Fëmijë, të rritur dhe pleq janë në listën e 1.617 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.
“Më rrëqethet trupi sa herë që fillojnë gërmimet në ndonjë lokacion të dyshuar për varrezë masive”, thotë Bajram Jahaj nga Suhareka, djali i të cilit, Naseri, është i zhdukur që nga muaji mars i vitit 1999.
Krejt çfarë di familja Jahaj për Naserin që u zhduk kur ishte 13 vjeç, është vendi ku u kidnapua nga forcat serbe në fshatin Samadrexhë të Suharekës.
Ai u pa aty për herë të fundit, së bashku me dajën e tij dhe tre të rinj të tjerë.
“Nata i ka zënë në Samadrexhë, edhe aty i kanë zënë serbët dhe thonë se aty i kanë marrë”, rrëfen Bajrami për Radion Evropa e Lirë.
Informacione të tjera thotë se nuk ka.
“Kam dalë nëpër fushë, kam shikuar mos është i mbytur diku. Deri në shtator-tetor [1999] e kam kërkuar nëpër fushë, nuk kam lënë vend pa e kërkuar”, thotë babai me zërin që i dridhet.
Gjatë viteve, Bajrami tregon se persona të ndryshëm, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, i kanë thënë se djalin e ka të gjallë diku në burgje të Serbisë.
Video: Breza të zhdukur
Your browser doesn’t support HTML5
Ai kujton momentin kur në vitin 2000, disa zyrtarë i kanë thënë se djali i tij është në burgun e Prokuples në Serbi.
“Pas një kohe e kemi kuptuar se këto informata ua kishte dhënë një gardian që ka punuar në burgun e Prizrenit e që në atë kohë ishte në Prokuple”, thotë ai.
Kjo informatë e as të tjera më vonë nuk i ndihmuan Bajramit të zbardhë fatin e Naserit.
Ai ende jeton me shpresën se do të takohen një ditë.
“Por, derisa nuk takohemi, e kemi të vështirë”, thotë Bajrami.
SHIKONI EDHE: Shpresa e dhimbshme“Jetoj që t’i gjej derisa unë jam gjallë”
Në Zveçan - pjesa veriore e Kosovës - Radmilla Shapiq jeton që nga paralufta.
Ajo është rritur në fshatin Leçinë të Skenderajt, ku familja e saj ka jetuar deri më 9 qershor të vitit 1998.
Mëngjesin e kësaj dite, kujton Radmilla, njerëz të armatosur kanë kidnapuar me dhunë babanë e saj, Mirosllav Shmigiq, 70 vjeç, nënën Sulltana Shmigiq, 65 vjeçe, kushërinjtë Radomir Shmigiq, 50 vjeç, dhe Aleksandra Shmigiq, 70 vjeçe.
Pak ditë më parë thotë se i kanë kidnapuar edhe kushërirën tjetër, Dostana Shmigiq, 47 vjeçe.
Të pestit mbeten të zhdukur.
“Vëllai im [kushëriri] ka pasur traktor dhe i kanë vendosur në rimorkio dhe i kanë dërguar në drejtim të Runikut... dhe aty te pompa, siç kemi marrë vesh më vonë, i kanë vrarë që të katërtit. Kurse, për vajzën e axhës [Dostana] nuk dimë asgjë, përveçse ajo ka qenë në Likoc, në llogore”, rrëfen Radmilla.
Radmilla thotë se vazhdimisht është përpjekur të kuptojë se çfarë ka ndodhur me familjarët e saj të zhdukur, por kot.
“Nga ajo kohë u ka humbur çdo gjurmë. Këtë nuk e bënë komshinjtë tanë shqiptarë, të cilët ishin aty. Këtë e bënë të tjerët, që erdhën nga vendet e tjera, sepse babai im i ka njohur të gjithë njerëzit në atë fshat”, thotë Radmilla.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se jeton që një ditë ta kuptojë të vërtetën.
“Unë jetoj për atë, më besoni. Jetoj për atë që t’i gjej derisa unë jam gjallë, që t’i varros”, thotë Radmilla.
“Varrin e ka të ndarë”
Për më shumë se dhjetë vjet, në Varrezat e Martirëve të Luftës në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes ka qenë i hapur një varr.
Aty, Hasan Metushi shpresonte se një ditë do të mund të varroste trupin e nënës së tij, Sahides, e cila u vra nga forcat serbe më 15 janar të vitit 1999.
Sahidja u vra në ditën kur forcat serbe u futën në Reçak dhe vranë e masakruan 45 civilë shqiptarë.
Trupi i saj është i vetmi që mungon nga ajo ditë.
“Kur kanë ardhur aty poshtë [forcat serbe], e kanë kapur nënën, ata [dëshmitarët] thonë që e kanë vrarë, pastaj e kanë futur në qese dhe e kanë gjuajtur në automjet dhe janë larguar. Më shumë informata nuk di”, rrëfen Hasani.
Më 15 janar, forcat serbe vranë edhe babanë e Hasanit, Hakiun, dhe dy vëllezërit e tij.
Hasani thotë se ka bërë përpjekje të shumta për të gjetur trupin e nënës, por pa sukses.
“Besojmë që një ditë do të gjendet dhe ta afrojmë në mesin e tyre aty”, thotë Hasani, duke treguar vendin e ndarë për varr.
Sa herë që qëndron aty, thotë se i zbehet edhe më shumë shpresa se një ditë do ta gjejë trupin e nënës.
Bilanci i luftës
Lufta në Kosovë, e iniciuar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë, prodhoi pasoja të mëdha për shumë familje.
Rreth 13.500 njerëz u vranë. Prej tyre, rreth 11.000 ishin shqiptarë, rreth 2.200 serbë dhe rreth 300 të komuniteteve tjera.
Në përfundim të luftës, të zhdukur ishin rreth 6.000 persona.
Gjatë gërmimeve që janë bërë në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, janë gjetur mijëra mbetje mortore në varreza masive.
Procesi i kërkimit të 1.617 personave ende të zhdukur është ngadalësuar viteve të fundit, për shkak se kanë filluar të rrallohen edhe informatat.
Sipas institucioneve, dëshmitarët mund të kenë vdekur, disave u ka humbur kujtesa, e të tjerët ose kanë vendosur të mos flasin, ose frikësohen të tregojnë vendndodhjen.
Arkivat e Serbisë, çelësi i procesit
Në Qeverinë e Kosovës thonë se identifikimi i varrezave të reja masive është tejet problematik, pasi, sipas tyre, mungon bashkëpunimi i Serbisë. Autoritetet serbe, në anën tjetër, thonë se bashkëpunojnë.
Për të arritur më shpejt tek identifikimi i varrezave masive, është e nevojshme qasja në arkivat ushtarake të Serbisë, thotë Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur.
“Zgjidhja do të ishte pikërisht në arkivat e institucioneve të Serbisë, duke pasur parasysh edhe mënyrën se si kanë vepruar institucionet e Serbisë gjatë kohës së luftës, në kuptimin e një zinxhiri të qartë të hierarkisë komanduese”, thotë Gara për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE:
Inatet politike shtojnë ankthin e familjarëve të të pagjeturveKosova akuzon Serbinë për mosgatishmëri për zbardhjen e fatit të të zhdukurve"Zhdukja më e rëndë se vdekja"Në vitin 2021, në Kizhevak të Serbisë janë gjetur mbetjet mortore të nëntë viktimave të luftës. Nga ajo kohë, gjetje të tjera nuk ka pasur.
Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më i vështirë do të jetë procesi i identifikimit të varrezave masive, thotë eksperti i mjekësisë ligjore në Kosovë, Naim Uka.
“Sfida kryesore është informata e saktë. Sfida e dytë, sigurisht, është edhe ndryshimi i terrenit. Megjithatë, ekspertët e fushës arkeologjike kanë mundësi që të bëjnë hulumtimin dhe analizën e përmbajtjes së dheut dhe, përmes asaj analize, mund të japin edhe informata dhe këshilla për ekspertët tjerë, antropologë, mjekë ligjorë, për lokacionin e caktuar”, thotë Uka.
Dialogu që s’po prodhon zgjidhje
Nga viti 2011, kur Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, në Prishtinë dhe Beograd është kërkuar që të arrihet një marrëveshje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Në të dyja vendet, prej asaj kohe, janë ndërruar disa qeveri, por një marrëveshje e tillë nuk është nënshkruar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se vendi i tij është i gatshëm për marrëveshje, por diçka konkrete nuk ka. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e fundit me Vuçiqin, më 18 gusht, pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes, edhe pse teksti i saj ekziston.
Kushtrim Koliqi, drejtues i organizatës Integra, e cila merret me drejtësi tranzicionale, thotë se ka humbur besimi që, përmes procesit të dialogut Kosovë-Serbi, të arrihet deri te zbardhja e fatit të personave të zhdukur.
“Qofshim ne gabim, ne lutemi të jemi gabim, mirëpo, deri tash, të gjitha veprimet që janë bërë, na kanë krijuar këtë [mos]besim... që mos t’i besojmë këtij procesi në fushën e drejtësisë tranzicionale, specifikisht për fatin e personave të pagjetur”, shprehet Koliqi.
Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.
Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë - lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.