Prishtina nderon viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Në sheshin Skenderbeu në Prishtinë, më 11 korrik, në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë u ndezën qirinj, për të nderuar viktimat. 

Më 2021, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin në Srebrenicë të kryer nga forcat serbe dhe dënon mohimin e gjenocidit. 

Në Bosnjë e Hercegovinë më 11 korrik u shënua 27-vjetori i masakrës në Srebrenicë,në të cilën forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve '90.

Vrasjet në Srebrenicë konsiderohen si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërkaq  Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur masakrën si gjenocid.

Vitin e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.

Autoritetet në Serbi si dhe udhëheqësit serbë në Bosnjë e Hercegovinë refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Më 11 korrik 2022, në Qendrën Përkujtimore Potoçari, u varrosën eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, që janë identifikuar së voni. 
 

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.

Në Prishtinë, mbrëmjen e 11 korrikut, u ndezën qirinj për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës. Kjo ngjarje u organizua nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për Ligjin Humanitar në Kosovë për të shënuar 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, masakër në të cilën forcat serbe vranë më 1995 mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.