Bartja e shamisë, që ndryshe njihet edhe si hixhab, është bërë shkak që vajza me inicialet A.D. të mos ndjekë mësimet në vitin e fundit të gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë.
Autoritetet e shkollës e kanë larguar atë nga procesi mësimor qysh në fillim të vitit të ri shkollor, më 2 shtator.
Prokuroria Themelore e Pejës është duke hetuar nëse ky veprim përmban ose jo elemente të veprës penale: shkelje e të drejtave të njeriut.
Dyshime për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut shpreh Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Por, autoritetet e gjimnazit “Bedri Pejani” dhe ato komunale të Pejës, përgjegjëse për arsimin, thonë se vendimi për largimin e 18-vjeçares është marrë në përputhje me një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI).
Për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe Qendrën Kosovare për Paqe, ky udhëzim është keqinterpretuar dhe keqpërdorur nga autoritetet arsimore në Pejë dhe, rrjedhimisht, sipas tyre, ato i kanë shkelur të drejtat e 18-vjeçares.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron ligjet në vend, thonë se Udhëzimi Administrativ 6/2014 i MASHT-it - në fuqi tash e dhjetë vjet - krijon “pasiguri juridike” dhe “mundësi për veprime arbitrare”.
E, vetë MASHTI hesht përballë kërkesave për komente.
Vendimi “sipas Udhëzimit Administrativ”
Largimi nga procesi mësimor i nxënëses A.D. - identiteti i plotë i së cilës është i njohur për redaksinë e REL-it - është denoncuar në Prokurorinë Themelore të Pejës nga vetë familjarët e saj, me pretendimin se ky është një veprim i jashtëligjshëm, thotë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, për Radion Evropa e Lirë.
“Ne e kemi pranuar një njoftim prej prindit, i cili ka thënë se përmes vendimit verbal, pa vendim me shkrim, drejtori i shkollës ia ka pamundësuar të vijojë mësimin, me pretekstin se nuk lejohet shamia. Për këtë çështje ne kemi hapur rast”, thotë Nikçi.
SHIKONI EDHE: Fëmijët e kthyer nga Siria heqin simbolet fetare në shkollaSipas tij, prokurori tashmë po heton rastin nëse ka elemente të veprës penale: shkelje e të drejtave të njeriut.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të bisedojë me 18-vjeçaren dhe familjarët e saj, por nuk kanë pranuar.
Në Udhëzimin Administrativ 6/2014 të MASHT-it, në Nenin 3, thuhet se nxënësve u ndalohet “bartja e uniformës fetare” në shkolla, por nuk specifikohet se çka nënkupton ajo uniformë.
Drejtori i gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, thotë se sa i përket rastit në fjalë, ai vetëm ka zbatuar Udhëzimin Administrativ të MASHTI-t.
“Ky është një udhëzim, të cilin unë nuk mund ta kaloj. Mua më mjafton që dikush të vijë dhe të më thotë: ‘përse e ke shkelur udhëzimin, për aq kohë sa ju punoni në bazë të këtyre udhëzimeve’”, thotë Nikçi për Radion Evropa e Lirë.
Udhëzimi obligon drejtorin e shkollës ta informojë Drejtorinë Komunale të Arsimit lidhur me masat e caktuara disiplinore që u shqiptohen nxënësve.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Pejës, Naser Gega, thotë për Radion Evropa e Lirë se për largimin e një nxënëseje nga gjimnazi “Bedri Pejani” është informuar gojarisht nga drejtoria e gjimnazit.
“Iu kam thënë ‘zbatojeni Udhëzimin Administrativ, gojarisht”, thotë Gega.
Megjithatë, ai shton se është në pritje të një njoftimi zyrtar me shkrim nga drejtoria e gjimnazit “Bedri Pejani”. Ndonjë ankesë nga nxënësja e larguar nga shkolla thotë se nuk ka marrë.
Qelaj: Udhëzimi i MASHT-it nuk interpreton manifestimin e besimit fetar
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se, në parim, ekzistojnë dyshimet se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për largimin nga shkolla të nxënëses, për shkak të bartjes së shamisë.
Në këtë kontekst, ai thotë se në vendimin për largimin e nxënëses A.D. ka elemente të diskriminimit.
“Udhëzimi Administrativ vetëm e rregullon çështjen e ‘uniformës fetare’, por nuk e interpreton manifestimin e besimit fetar, përmes simboleve - shamisë në këtë rast - apo formave tjera. Për ne, kjo paraqet bazë të pamjaftueshme [ligjore] dhe është në kundërshtim me standardet e përcaktuara kur kufizohet një e drejtë”, thotë Qelaj.
SHIKONI EDHE: Për dhe kundër futjes së lëndës së mësim-besimit në shkollaAi shton se për rastin e largimit të nxënëses A.D. nga shkolla, është informuar nga shoqëria civile.
Radio Evropa e Lirë mori vesh se pas ndalimit të qasjes në shkollë, familjarët e nxënëses A.D. kanë kontaktuar organizatën joqeveritare Qendra Kosovare për Paqe, të cilën e drejton Labinot Maliqi, imam në njërën prej xhamive të Prishtinës.
Maliqi thotë për Radion Evropa e Lirë se në shtatë vjetët e fundit, në mënyrë vullnetare, ka ndërmjetësuar me sukses në mbi 50 raste për kthimin në shkolla të nxënëseve, të cilat janë përjashtuar për shkak të bartjes së shamisë.
Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja përse është kontaktuar nga familja e nxënëses A.D.
“Sapo kam kuptuar rastin e largimit nga shkolla të nxënëses shembullore për nga sjellja dhe suksesi, A.D., kam njoftuar personalisht ministren [e MASHT-it] Arbërie Nagavci, Prokurorinë Themelore të Pejës, si dhe Zyrën e Avokatit të Popullit”, thotë Maliqi.
Këtë javë, ai ka mbajtur një konferencë për media në Prishtinë, ku ka kërkuar shfuqizimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla, duke përmendur edhe rastin e nxënëses A.D.
Emri i imamit Maliqi dhe organizatës që ai drejton është përmendur viteve të fundit në raportet për Kosovën të Departamentit amerikan të Shtetit për liritë fetare ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Raporti i DASH-it mbi liritë fetare: Kosova e Shqipëria me probleme të trashëguaraNë raportin e vitit 2021 është thënë se imami Maliqi “ka raportuar raste të shumta në disa komuna, në të cilat nxënëseve të shkollave fillore u është mohuar hyrja në shkollë për shkak të veshjes së hixhabit”.
Duke iu referuar deklaratave të imamit Maliqi, raporti ka theksuar se “disa zyrtarë të shkollës e kanë kthyer vendimin e tyre, pasi Qendra Kosovare për Paqe ka biseduar për situatën”.
Imami Maliqi konsideron se Udhëzimi Administrativ i MASHT-it, i cili ndalon bartjen e uniformës fetare nga nxënësit, nuk saktëson nëse shamia - që, sipas tij, nënkupton mbulesën e kokës, por jo edhe të fytyrës - mund të konsiderohet “uniformë”.
Në këtë kontekst, thotë ai, ky udhëzim është burim keqinterpretimi dhe krijon mundësi për shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e cila garanton lirinë për të praktikuar dhe shprehur bindjet fetare.
“Kjo ndalesë e padrejtë, jo vetëm që pengon të drejtën elementare për arsimim të vajzave që kanë vendosur të bartin shami, por edhe lirinë e tyre për të praktikuar besimin në mënyrë të hapur”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: DASH: Bashkësitë fetare në Kosovë me ankesa për diskriminimREL-i u është drejtuar zyrtarëve të MASHT-it dhe ministres Nagavci për këtë temë, përkatësisht për të konfirmuar nëse janë njoftuar për rastin e largimit të nxënëses A.D. nga gjimnazi “Bedri Pejani”, si dhe të shpjegojnë se kush ka kompetencë për të sqaruar nëse shamia konsiderohet uniformë fetare, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në një intervistë për Radiotelevizionin Iliria (RTI) në Kosovë, të publikuar më 15 shtator në rrjetet sociale, ministrja Nagavci ka thënë se “nuk ka raste të pengesave për vijimin e mësimit”.
“Kushtetuta e garanton të drejtën për shkollim për të gjithë, ashtu sikurse e garanton edhe të drejtën dhe lirinë për besim”, ka thënë ajo.
A është hixhabi normë apo uniformë fetare?
Çështja e largimit nga institucionet arsimore të nxënëseve që bartin shami, është bërë problematike prej vitesh në Kosovë.
Uniforma dhe mbulesa dallojnë. Termi ‘uniformë’ dallon tërësisht nga ky obligim ose kjo veshje, që është fetare..."
Në vitin 2010, MASHTI ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ që ka përcaktuar kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, përmes të cilit, po ashtu, është ndaluar “bartja e uniformave fetare”.
E njëjta ndalesë është përsëritur edhe në Udhëzimin Administrativ të MASHT-it të vitit 2014.
Bashkësia Islame e Kosovës, asokohe, ka reaguar duke thënë se shamia nuk është uniformë fetare.
Shamia apo hixhabi, sipas interpretimit të BIK-ut, është normë në traditën e besimit islam dhe nuk paraqet veshje uniforme të një modeli, ngjyre apo materiali, me të cilin identifikohen organizatat apo institucionet e caktuara.
Ahmet Sadriu, sekretar i BIK-ut, thotë se MASHTI nuk e ka konsultuar fare institucionin që përfaqëson besimtarët myslimanë në Kosovë, për të definuar se çfarë nënkupton hixhabi dhe çfarë uniforma fetare.
“Uniforma dhe mbulesa dallojnë. Termi ‘uniformë’ dallon tërësisht nga ky obligim ose kjo veshje, që është fetare, që është obligim fetar. Nuk kemi të bëjmë me një uniformë unike”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.
Çdo kostum që identifikon një fe të caktuar, është uniformë fetare, sipas meje".
Por, ndryshe e interpreton “uniformën fetare” drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega. Sipas tij, “uniforma fetare vërehet qartë te çdo individ” që e bart atë.
“Çdo kostum që identifikon një fe të caktuar, është uniformë fetare, sipas meje”, thotë ai.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se në Nenin 3 të Udhëzimit Administrativ 4/2014 ka ndalesa të përgjithshme, interpretimi i të cilave nuk saktësohet.
Gëzim Shala nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se dispozitat e përgjithshme, të cilat nuk janë të saktësuara, e cenojnë sigurinë juridike.
“Palët nuk do të kenë mundësi t’i parashikojnë veprimet e tyre. Në anën tjetër, është rrezik të shtohet arbitrariteti, për shkak se është një vlerësim i gjerë dhe, më pas, institucionet kanë mundësi ta interpretojnë në mënyra të ndryshme”, thotë Shala.
Sipas tij, interpretimet e ndryshme të dispozitave nga palët e caktuara, rrisin rrezikun për të krijuar situata të trajtimit selektiv të rasteve.
Si mund të zgjidhet problemi?
Çështja e zbatimit të Udhëzimit Administrativ, në pikën ku ua ndalon nxënësve “bartjen e uniformës fetare”, ka ngritur dilema dhe interpretime kontroverse, pranojnë kompetentët e arsimit komunal në Pejë.
Gega thotë se çështjen nëse shamia konsiderohet uniformë fetare ose jo, duhet ta zgjidhë vetë MASHT-i.
“Për t’i hequr dilemat, për të zbatuar ligjin, në këtë rast Udhëzimin Administrativ, Ministria e Arsimit duhet të dalë dhe të thotë decidivisht ‘bën’ ose ‘nuk bën””, thotë Gega.
BIK-u, edhe më herët, ka kërkuar sqarimin e dilemave të tilla, ndërsa imami Maliqi këmbëngul që ky udhëzim duhet të shfuqizohet ose përmirësohet.
“Zgjidhja e këtij problemi është që të shfuqizohet tërësisht ndalesa në fjalë nga Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Arsimit ose të përdoret një shtojcë, duke e interpretuar qartë se shamia, ku fytyra është e dukshme, nuk është uniformë fetare”, thotë ai.
Sipas tij, ndalesa në udhëzim i cenon të drejtat kushtetuese të njeriut për lirinë fetare dhe shprehjen e besimit fetar.
Kushtetuta e Kosovës, në nenin 38, u garanton qytetarëve të vendit “lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë” si dhe të drejtën “për të manifestuar fenë” dhe “për të shfaqur bindjet personale”.
Kushtetuta, gjithashtu, saktëson se “liria e manifestimit të fesë, besimit dhe ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”.
Kufizimi “vetëm me ligj” i të drejtave dhe lirive që burojnë nga Kushtetuta, saktësohet edhe në Nenin 55 të aktit më të lartë juridik të Kosovës.
Gëzim Shala nga IKD-ja thekson se të drejtat kushtetuese të qytetarëve nuk mund të kufizohen me udhëzim administrativ, i cili është akt normativ nënligjor.
Në situatat, kur nxënëseve u ndalohet qasja në shkolla të mesme të larta, për shkak të bartjes së shamisë, sipas Shalës, palët që konsiderojnë se janë dëmtuar - individë ose organizata joqeveritare që përfaqësojnë interesin e qytetarëve - mund t’i drejtohen Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Në gjykatë e ngrit argumentin se në rastin konkret kemi të bëjmë me kufizim të të drejtave të njeriut, e që ky kufizim nuk është i përcaktuar me ligj. Rrjedhimisht, akti nënligjor duhet të shfuqizohet”, thotë Shala.
Sipas tij, i mbetet gjykatës të vendosë lidhur me ligjshmërinë ose jo në bazë të procedurave ligjore.
Radio Evropa e Lirë pyeti Sadriun se përse BIK-u nuk u është drejtuar institucioneve gjyqësore lidhur me çështjen që e konsideron si shkelje të të drejtave të njeriut.
“Do të shikojmë se çfarë do të bëjmë. Por, me siguri se do të ndërmarrim një hap të tillë”, thotë sekretari i BIK-ut.
Çështja e bartjes së shamisë në shkolla nga vajzat ishte temë debati edhe në vitin 2021.
SHIKONI EDHE: Riaktualizohet çështja e bartjes së shamisë në shkollaNë qershorin e atij viti, Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës kërkoi nga Ministria e Arsimit që vajzave nën moshën 18-vjeçare të mos u ndalohet shkuarja në shkollë edhe nëse ato mbajnë në kokë shami.
Komisioni ftoi ministren e Arsimit, Nagavci, të raportojë lidhur me këtë çështje.
Asokohe, ajo tha se “duhet të sigurohemi që asnjë vajzë të mos mbetet jashtë bankave shkollore”.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.