Ndalimi i agjencisë së OKB-së nga Izraeli, "katastrofë" për palestinezët

Ushtarët izraelitë duke kaluar pranë selisë së UNRWA-s në Rripin e Gazës.

Vendimi i Izraelit për ta ndaluar agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, do ta pengojë skajshëm dërgimin e ndihmave në Gazën e rrënuar nga lufta, nëse zbatohet, paralajmërojnë ekspertët.

Ekspertët thonë se kjo ndalesë nga Izraeli do të ketë pasojë të rënda për mbi 2 milionë palestinezë në Gazë, të cilët varen shumë në ndihmën humanitare dhe shërbimet e UNRWA-s, e cila është furnizuesja më e madhe e ndihmës në këtë vend.

“Kjo është një goditje e rëndë për çdo përpjekje humanitare që tenton të shpëtojë jetë në Rripin e Gazës”, tha Anders Fange, një punëtor suedez i ndihmës, i cili menaxhoi punën e UNRWA-s në Bregun Perëndimor prej vitit 2003 deri në vitin 2007.

SHIKONI EDHE: Izraeli e ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë

“Asnjë agjenci apo institut tjetër nuk mund ta zëvendësojë UNRWA-n”, shtoi ai.

Lufta shkatërruese njëvjeçare e Izraelit në Gazë ka vrarë dhjetëra mijëra civilë, sipas zyrtarëve palestinezë, dhe e ka rrënuar pjesën më të madhe të infrastrukturës në enklavë. Shumë njerëz kanë mbetur pa strehë, ushqim dhe kujdes mjekësor.

Izraeli e ka akuzuar UNRWA-n për bashkëpunim me Hamasin, grupin palestinez i cili cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Hamasi e kreu një sulm të paparë ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023. Ky sulm çoi në pushtimin e Gazës nga Izraeli.

Palestinezët protestojnë pranë selisë së UNRWA-s në Gaza. (Fotografi nga arkivi)

Por, ekspertët thonë se vendimi i Izraelit është politik dhe synon t’ua heqë statusin e refugjatit palestinezëve në Lindjen e Mesme.

“Jeta është bërë edhe më e pamundur”

E themeluar në vitin 1949, UNRWA është njëra nga operacionet më të mëdha të OKB-së, me mbi 30.000 punonjës. Kjo agjenci u shërben rreth 6 milionë palestinezëve që jetojnë në Gazë, Bregun Perëndimor, Jordani, Siri dhe Liban.

Prej kur Izraeli e pushtoi Gazën në tetor 2023, UNRWA ka shpërndarë ushqim dhe ka ofruar ndihmë mjekësore për shumicën e banorëve të territorit. Qindra shkollat të saj janë shndërruar në strehimore për palestinezët e zhvendosur nga lufta.

Fange tha se "qëllimi i Izraelit për ta ndaluar tani UNRWA-n, është ta bëjë jetën edhe më të pamundur për palestinezët në Gazë".

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar Izraelin për sulmimin e spitaleve dhe shkollave, shumë prej të cilave menaxhohen nga UNRWA, dhe për vrasjen e qindra punonjësve humanitarë.

SHIKONI EDHE: Palestinezët numërojnë pasojat e luftës shkretuese

Izraeli e ka kundërshtuar UNRWA-n për vite me radhë. Por, kundërshtimi ndaj kësaj agjencie është përshkallëzuar pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, kur u vranë rreth 1.200 izraelitë.

Prej asaj kohe, Izraeli ka pohuar se qindra punonjës të UNRWA-s ishin anëtarë të “organizatave terroriste.” Rreth 16 shtete donatore pezulluan përkohësisht financimin për këtë agjenci.

Në gusht, UNRWA largoi nga puna nëntë punonjës për shkak të përfshirjes së tyre të mundshme në sulmin e Hamasit.

Khaled Elgindy, drejtor i Çështjeve të Palestinës dhe të Marrëdhënieve Palestinezo-Izraelite në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, tha se UNRWA është përpjekur me çdo kusht të tregojë se është “bashkëpunuese” dhe “mjaftueshëm transparente”.

Njerëzit kalojnë pranë një shkolle të drejtuar nga OKB-ja pas bombardimeve izraelite në Nuseirat, në Rripin e Gazës, në korrik 2024.

Elgindy theksoi se ndalimi i UNRWA-s nga Izraeli, nëse zbatohet, do të ishte “me tepër se katastrofik” për popullin në Gazë.

Ai tha se arsyeja e vërtetë pse Izraeli po shënjestron UNRWA-n është se ajo përfaqëson një simbol të refugjatëve palestinezë - diçka që “shumë izraelitë e konsiderojnë kërcënim ekzistencial”.

Sipas ligjit ndërkombëtar, refugjatët palestinezë dhe pasardhësit e tyre kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre në Izraelin e sotëm.

Por, Izraeli ka refuzuar të lejojë kthimin e tyre. Izraeli ka thënë se refugjatët palestinezë duhet të asimilohen nga vendet pritëse dhe se shërbimet e UNRWA-s i mbajnë të gjallë shpresat e palestinezëve për t'u kthyer në shtëpitë e tyre.

SHIKONI EDHE: OKB-ja përjashton nëntë punëtorë që mund të kenë dorë në sulmin e 7 tetorit

“Pse Izraeli dëshiron ta shkatërrojë një institucion që po ofron shërbime të rëndësishme për jetën dhe për të cilin nuk ka alternativë në Gazë?” pyeti Elgindy. “Përgjigja lidhet me natyrën ekstreme të kësaj qeverisjeje izraelite”.

Shumë qeveri të huaja dhe organizata për të drejtat e njeriut e kanë dënuar vendimin e Izraelit për të ndaluar UNRWA-n.

Norvegjia i ka bërë thirrje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të kërkojë vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për të përcaktuar nëse Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar duke penguar OKB-në në ofrimin e ndihmës humanitare për palestinezët.

Përgatiti: Ekrem Idrizi