Ndërlidhjet

OKB-ja përjashton nëntë punëtorë që mund të kenë dorë në sulmin e 7 tetorit


Një ushtar izraelit shihet në vendin ku është kryer sulmi i Hamasit, në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023.
Një ushtar izraelit shihet në vendin ku është kryer sulmi i Hamasit, në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023.

Nëntë anëtarë të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë Palestinezë (UNRWA), mund të jenë përfshirë në sulmin e Hamasit – grupit të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera - të kryer më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Farhan Haq prej OKB-së ka bërë të ditur se të nëntë personave u janë ndërprerë kontratat.

Ai ka thënë se OKB-ja e ka përfunduar hetimin, pas dyshimeve të ngritura prej Izraelit se stafi i UNRWA-s ka qenë i përfshirë në sulm.

Në sulmin e 7 tetorit janë vrarë 1.200 izraelitë dhe janë marrë peng 240 të tjerë.

Haq nuk e ka specifikuar se si saktësisht kanë qenë të përfshirë këta punëtorë në sulm.

“Për ne, secila pjesëmarrje në sulm është tradhti e madhe ndaj punës që duhet të bëjmë në emër të popullit palestinez”, ka thënë ai.

OKB-ja i ka hetuar 19 anëtarë të UNRWA-s, pasi Izraeli pati dyshuar që 12 prej tyre kanë marrë pjesë në sulm.

Izraeli më vonë ka pretenduar që më shumë se 450 anëtarë të agjencisë UNRWA janë anëtarë të grupeve terroriste, mirëpo një vlerësim i kryer prej OKB-së në prill, ka gjetur se Izraeli nuk ka ofruar asnjë dëshmi për ato pretendime.

UNRWA, agjenci e cila punëson 13.000 njerëz në Gazë, ka thënë në mars se disa prej punëtoreve kanë raportuar se u është bërë presion prej autoriteteve izraelite që të pranojnë deklarata të rreme, sa kanë qenë nën masë ndalimi.

Shumica e shteteve patën tërhequr fondet për këtë agjenci të OKB-së, për shkak të supozimeve izraelite.

Në korrik, Mbretëria e Bashkuar dhe disa shtete i kanë rikthyer fondet, derisa Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndarë më së shumti fonde për këtë agjenci, nuk kanë bërë të ditur se synojnë rikthimin e fondeve.

Pas sulmit të Hamasit, ushtria izraelite është zotuar për shkatërrim të grupit dhe ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazë.

Sipas pasojë e luftës janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG