Navalny thotë se po përballet me një rast të ri penal

Opozitari rus, Aleksei Navalny, gjatë një paraqitjeje në një gjykatë në Moskë më 20 shkurt të vitit 2021.

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili është duke shërbyer 19 vjet burgim nën akuza për ekstremizëm dhe akuza të tjera të cilat ai i cilëson si të motivuara politikisht, më 1 dhjetor tha se autoritetet kanë hapur një rast të ri penal ndaj tij.

Në postimet e bashkëpunëtorëve të tij në X, që më herët njihej si Twitter, Navalny tha se ka pranuar një letër nga Komiteti Hetues i Rusisë përmes së cilës është informuar për hapjen e një rasti të ri ndaj tij për “krime sipas pikës dy të nenit 214 të Kodit Penal”, që ka të bëjë me vandalizëm.

“Shumë rrallë ndodh që një i burgosur që gjendet në izolim për më shumë se një vit, ka pasur një ekzistencë vibrante sociale dhe politike”, thuhet në një nga postimet në X, që iu atribuua Navalnyt.

“Kjo nënkupton se ata kanë iniciuar një rast të ri penal ndaj meje çdo tre muaj”.

Më 21 nëntor, ai u fut në izolim 15-ditor për shkelje të paspecifikuara, pasi kishte përfunduar qëndrimin në izolim një ditë më herët. Ishte hera e 23-të që Navalny është vendosur në qeli të izoluar që nga gushti i vitit 2022, apo thënë ndryshe, ai ka qëndruar 266 ditë në izolim.

SHIKONI EDHE: Navalny thotë se është futur sërish në izolim

Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në gusht iu rrit dënimi në 19 vjet burgim, pasi u gjet fajtor për krijimin e një organizate ekstremiste dhe u transferua në një burg “me regjim më të ashpër”.

Dënimi paraprak i ishte shqiptuar më 2021, pasi kishte arritur në Moskë nga Gjermania, ku ishte trajtuar nga një helmim, për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.

Para se të burgosej, ai ishte opozitari më i zëshëm që organizoi protesta të mëdha kundër Qeverisë ruse.

Tre prej avokatëve të Navalnyt - Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster - janë arrestuar në tetor dhe po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një komunitetit ekstremist, për shkak të lidhjeve të tyre me Navalnyn dhe me fondacionin e tij kundër korrupsionit.