Opozitari i burgosur rus, Aleksei Navalny, është vendosur në izolim, një ditë pasi aleatët e tij thanë se autoritetet ia kanë hequr të drejtën që të shkruajë materiale, që është mënyra e vetme që ai komunikon me botën jashtë.
Përmes një postimi në llogarinë e Navalnyt në X – që më herët njihej si Twitter – u tha se kritiku i Kremlinit do të qëndrojë 12 ditë në izolim, pasi një zyrtar i burgut i ka shqiptuar atij dënim për një shkelje. Megjithatë, ende nuk është e qartë se për çfarë shkeljeje bëhet fjalë.
“Jam rikthyer në qelinë e ndëshkimit për 12 ditë. Baza e gjithë kësaj është një raport i një oficeri të burgut, në të cilin ai ka shkruar ‘përderisa i kërkova Navalnyt të dilte nga qelia për të marrë një dyshek, ai më poshtëroi dhe më shau'”, shkruhet në postimin e Navalnyt.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, tha se kjo ishte hera e 21-të që opozitari rus është vendosur në izolim që kur është dërguar në burgun IK-6, 250 kilometra në lindje të Moskës, në gusht të vitit 2022.
Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, më herët gjatë këtij viti u dënua me 19 vjet burgim dhe u dërgua në një burg famëkeq rus. Ai u gjet fajtor për krijimin e një organizate terroriste.
Më herët gjatë këtij muaji, tre nga bashkëpunëtorët e tij u arrestuan, përderisa ekipi i tij paralajmëroi se autoritetet ruse duan që të kufizojnë edhe më shumë komunikimin e Navalnyt me botën jashtë.
Akuzat ndaj Navalnyt gjerësisht shihen si hakmarrje për përpjekjet e tij për të ekspozuar atë që ai e përshkruan si paligjshmëri, korrupsion dhe represion nga Putini dhe sistemi i tij politik.
Ai edhe më herët ishte burgosur dhe gjendet në burg që nga viti 2021, kur u arrestua pasi u kthye nga Gjermani, ku ishte trajtuar për helmim, për të cilin e ka fajësuar Kremlinin.