Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë e konsideron zhvillim të ri vizitën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa spekuluar rreth detajeve të takimit, Rashiti thotë se "vizita dhe hapja e derës është me rëndësi" në kohën e zhvillimeve në veri.
Rashiti thotë se tensionet në veri ose marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, me SHBA-në dhe QUINT-in, kanë shkuar larg, ndërsa vlerëson se Kosova, nga moskoordinimi me aleatët e saj po dëmtohet shumë në rrafshin ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, sot doli lajmi që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një postimi të tij në Facebook, ai ka njoftuar se është takuar me asistentin special të presidentit Biden, Michael Carpenter, si dhe me drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën qendrore, Kathleen Larkin. Kjo vizitë po ndodh në kohën kur SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, siç është mbyllja e Postës së Serbisë. Për fillim, si e shihni ju këtë vizitë të kandidatit të PDK-së në Uashington?
Naim Rashiti: Ky është një zhvillim i ri. Ka kohë që nuk ka pasur vizita dhe takime të tilla të nivelit, për shkak të një marrëdhënieje të tensionuar të institucioneve të Kosovës me administratën (Joe) Biden. Veçanërisht, është si zhvillim i ri për faktin që është lider i opozitës që takohet në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk ndodh shpesh. Dhe, e dyta është, jam i bindur, që ka lidhje me Mitrovicën, urën dhe ka ose është bërë një përpjekje për ndonjë simbolikë në raport me zhvillimet në Mitrovicë. Por, pjesë tjera (të vizitës) nuk i dimë.
Zyrtari i lartë amerikan, Carpenter, ka qenë ambasador i SHBA-së në OSBE, është njeri shumë i afërt i Bidenit. Dhe, natyrisht, se është një zyrtar shumë i lartë i SHBA-së sa u përket çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve me BE-në, me Evropën dhe Euroazinë.
SHIKONI EDHE: Hamza në SHBA takohet me zyrtarë amerikanëRadio Evropa e Lirë: Z. Rashiti, a mund të kuptohet kjo vizitë si një mbështetje e SHBA-së për z.Hamza, i cili është kandidat për kryeministër nga PDK-ja?
Naim Rashiti: Nuk i dimë detajet, nuk i di detajet. Nuk mund ta themi në këtë fazë që [takimi] mund të jetë një mbështetje politike për z.Hamza. Por, vizita dhe hapja e derës është me rëndësi. Përndryshe, detajet se çka do të rrjedhë [nga ky takim] nuk i di. Është vështirë të shohim dhe të paragjykojmë tash se çka do të jenë pasojat ose qëllimet e takimit. Besoj që z. Hamza do t'i shpjegojë më së miri, apo vetë administrata.
Radio Evropa e Lirë: Si mund të kuptohet pra... pse po ndodh kjo vizitë në këtë kohë?
Naim Rashiti: Jam i bindur se është e lidhur me çështjen e zhvillimit në Mitrovicë, në veri, rreth urës. Sepse, Hamza është edhe kryetar i komunës [së Mitrovicës së Jugut], edhe lider, edhe kandidat i PDK-së për kryeministër. Tensionet në veri ose marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, me SHBA-në dhe QUINT-in, kanë shkuar larg.
Kemi hyrë në qark të veprimeve të njëpasnjëshme, duke, në njëfarë forme, e humbur besimin e njëri-tjetrit në shkallë të lartë, saqë shohim një izolim të madh ose veprim për të izoluar institucionet e Kosovës nga Perëndimi.
Në anën tjetër, [shohim tentim] të Qeverisë së Kosovës, duke provuar, duke mos ia vënë veshin ose duke vazhduar me veprimet dhe agjendën e saj. Kjo nuk çon askund. Kjo do të përshkallëzohet në tensione më të mëdha dhe në plasaritje edhe më të madhe që tani veç edhe kanë arritur në një shkallë të lartë të cenimit të qëndrueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës.
SHIKONI EDHE: "Hap i njëanshëm, veprim i pakoordinuar": Historiku i aksioneve në veri që nxitën reagimin e PerëndimitRadio Evropa e Lirë: Pra, sipas jush, këto veprime që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës në veri, por edhe me, nëse mund të them, insistimin për hapjen e urës, e kanë dëmtuar vendin?
Naim Rashiti: Janë duke e dëmtuar shumë ndërkombëtarisht. Në vëzhgim të parë, mund të duken se është shtrirje e sovranitetit të Kosovës në veri, vendosja e rendit dhe ligjit, por në agjendën ndërkombëtare janë duke e dëmtuar Kosovën shumë.
Kjo, sepse agjenda ndërkombëtare e Kosovës krejtësisht varet nga miqtë e saj dhe në këtë rast miqtë e saj kanë krijuar kundërshtime të mëdha ndaj qasjes së Qeverisë në raport me veriun dhe në raport me dialogun.
Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka pasur gjithmonë qëllim në vetvete dialogun e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, pa avancimin ndërkombëtar të agjendës ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe, ky ishte qëllimi më i madh dhe shpesh janë bërë kompromise në veri për qëllimin më të madh të rritjes së sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Tani jemi në një situatë tjetër, ku jo vetëm çështja e urës apo mungesa e një dialogu të mirëfilltë që Qeveria po dështon ta bëjë me faktorin ndërkombëtar, por janë veprimet e njëpasnjëshme që faktorit ndërkombëtar, i cili ndihet përgjegjës për sigurinë e Kosovës dhe rajonit, nuk po i pëlqejnë. [Të tilla] ishin ato vizitat e ministrave në liqenin e Ujmanit për garat e sportit e kështu me radhë.
Ka veprime të vogla e të njëpasnjëshme që aktorëve ndërkombëtarë ose miqve të Kosovës nuk po iu pëlqejnë dhe kjo gjithnjë e më shumë po acaron, veprim pas veprimi, njëri reagim pas tjetrit, po vazhdon ta humbë besimin ose ta maksimalizojë humbjen e besimit mes dy palëve - mes Qeverisë së Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë, dhe kjo nuk do t'i shërbejë Kosovës në [një periudhë] afatgjatë.
SHIKONI EDHE:
BE: Veprimet e fundit në veri mund të ndikojnë negativisht në heqjen e masave ndaj KosovësSHBA-ja thellësisht e zhgënjyer me vendimin e Kosovës për mbyllje të degëve të Postës së SerbisëRadio Evropa e Lirë: Ju përmendët që veprimet e deritashme të Qeverisë së Kosovës po e dëmtojnë imazhin e Kosovës. E thatë në mënyrë të përgjithësuar. Konkretisht, në cilat sfera më shumë mund të dëmtohet?
Naim Rashiti: Çështja e urës është çështje e cila mund të ishte menaxhuar lehtë në një proces të dialogut të brendshëm, të implementimit të marrëveshjeve dhe koordinimit dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar. Jam i bindur që do të kishim pasur hapa të mirëfilltë dhe do të ishte arritur qëllimi i hapjes së urës me një proces politik të brendshëm.
Çështja ndërkombëtare është shumë e thjeshtë. Para disa viteve, Gjermania dhe aleatët e saj, sidomos Gjermaninë që po e marr si shembull, ka dërguar 60 demarsh në vende të botës për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Dhe, kemi ardhur në një situatë ku Gjermania pengon procesin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kjo është situatë alarmante, situatë e rëndë. Dështimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës me këto premisa të mira që i kishte Qeveria e Kosovës në këtë fazë të paprecedent, do të jetë një humbje e madhe strategjike për Kosovën.
SHIKONI EDHE: Lulzim Peci: Kosova po shkon drejt një përplasjeje të madhe me ndërkombëtarëtDhe, pastaj, në marrëdhëniet ndërkombëtare hyn në qark të veprimeve, qoftë pozitive, qoftë negative, dhe, në këtë rast, nëse hyn në qark të marrëdhënieve të tensionuara, do të duhet kohë për të dalë nga ai qark dhe do të duhen shumë përpjekje për të dalë nga ai qark. Ose të çojnë drejt marrëdhënieve edhe më tensionuara, ose duhet shumë-shumë përpjekje për të dalë në një fillim tjetër.
Qeveria e Kosovës ka nevojë të ripozicionohet, të rishikojë sidomos disa nga veprimet në raport me implementimin e dialogut dhe veriut, si dhe të fillojë një mekanizëm konsultativ me faktorin ndërkombëtar, me aleatët e saj, që bashkërisht t'i arrijnë qëllimet.
Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje që ka të bëjë me vizitën e Bedri Hamzës në Uashington. Nuk kemi pasur që një kohë të gjatë ndonjë zyrtar që ka shkuar në Uashington dhe ka pasur takime të tilla. A mendoni se një mbështetje nga Amerika ndaj z.Hamza mund të ndikojë te votuesit në Kosovë?
Naim Rashiti: Nuk e dimë as si do të përkthehet kjo mbështetje apo ky takim. Është herët të flasim. Unë nuk kam informacione se si është aranzhuar takimi, çfarë është diskutuar aty. Nuk e dimë, nuk e besoj, por SHBA-ja mbetet besnike e bashkëpunimit me institucionet.
Nuk e besoj që ka një ndryshim, por kanë dallime të mëdha dhe qëndrime shumë të ashpra në raport me Qeverinë. Por, jo në tërë spektrin qeveritar e institucional. [SHBA-ja] kërkon një qasje tjetër.
SHIKONI EDHE: SHBA: Kosova po vë në rrezik mundësitë që ne i kemi ndihmuar të krijojëTradicionalisht SHBA-ja ka punuar me gjithë spektrin politik në Kosovë, sidomos me spektrin politik parlamentar dhe subjektet politike parlamentare. Por, kjo vjen në një fazë të zhvillimeve pak më ndryshe se të zakonshmet. A do të ketë takime tjera? A do të ketë agjenda tjera? Nuk e di, nuk e kam idenë se çka do të ndodhë.
Një gjë që është e vërtetë dhe që e dimë nga e kaluara, SHBA-ja, sidomos në periudhën e zgjedhjeve, ka kërkuar shumë kujdes, maturi dhe ka kërkuar durim dhe në njëfarë forme menaxhim të agjendave, që mos të ketë zhvillime të papritura që do ta pengonin administratën në SHBA.
Dhe, në çdo fazë të zgjedhjeve, SHBA-ja e ka kërkuar këtë dhe jam i bindur që do të kërkojë - përtej mungesës së menaxhimit të përbashkët të proceseve për implementimin e dialogut ose hapjes së urës në veri dhe zhvillimeve të tjera në veri – që Kosova në njëfarë forme të ketë shumë kujdes për veprimet, të cilat mund të kenë nevojë angazhim më të madh diplomatik, politik të SHBA-së, për shkak të agjendës së zgjedhore atje. Kjo ka ndodhur gjithmonë.
Dhe, e dyta që duhet ta kuptojmë është që procesi i gjithë integrimit të veriut, hapjes së urës, implementimit të dialogut, do të ndodhnin shumë më lehtë dhe më mirë dhe me më shumë përfitime për Kosovën, nëse do të kishte një agjendë të përbashkët me miqtë e saj.
Në raport me implementimin e dialogut dhe mbajtjen e zgjedhjeve, e procesit të rikthimit së serbëve në institucione, implementimin e [Planit të] Ahtisaarit mes dy komunave [në Mitrovicë] Jug dhe Veri, e kështu me radhë.
Dhe, po të kishim pasur një proces politik të mirëfilltë gjithëpërfshirës që i adreson të gjitha këto, jam i bindur që do të kishte pasur përkrahje edhe për hapjen e urës.