Pronari i kompanisë Tesla, Elon Musk, thotë se nëse oferta e tij për të blerë rrjetin social Twitter është e suksesshme, ai do të anulojë suspendimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump nga kjo platformë.
Njeriu më i pasur në botë ra dakord për një ofertë prej 44 miliardë dollarësh me bordin e Twitter muajin e kaluar.
Por ai tha se nuk ishte një marrëveshje e përfunduar dhe se në mënyrë ideale marrëveshja do të përfundohej në dy deri në tre muajt e ardhshëm.
Vendimi i Twitter-it për të ndaluar ish-presidentin amerikan ishte "moralisht i gabuar dhe absolutisht budallallëk", tha Musk në samitin e Financial Times “E ardhmja e veturës”.
Në muajin janar 2021, Twitter-i tha se llogaria e ish-presidentit Donald Trump ishte "pezulluar përgjithmonë...për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës" pas trazirave në të cilat protestuesit sulmuan objektet qeveritare amerikane në Uashington.
SHIKONI EDHE: Trump i drejtohet gjykatës për llogarinë në TwitterMusk i tha Financial Times: "Unë do ta anuloja pezullimin e përhershëm, por nuk e kam ende Twitter-in, kështu që kjo nuk është një gjë që do të ndodhë patjetër".
Ai tha se pezullimi nuk e kishte heshtur ish-presidentin Trump, por duke e bërë atë të lëvizte në rrjetin e tij social Truth Social, ai kishte përforcuar zërin e tij mes të djathtës ekstreme.
Ai vuri në dukje se zoti Trump kishte thënë më parë se nuk do të kthehej në Twitter edhe nëse llogaria e tij do të rivendosej.
Musk tha se kishte folur me bashkëthemeluesin e Twitter, Jack Dorsey, për çështjen e mbylljes së llogarive të përdoruesve si përgjigje ndaj postimeve fyese.
“Ai dhe unë kemi të njëjtin mendim se ndalimet e përhershme duhet të jenë jashtëzakonisht të rralla dhe të rezervuara për llogaritë që janë llogari të rreme”, tha Musk.
SHIKONI EDHE: Trump hap rrjetin e tij socialMusk tha se nëse dikush poston diçka "të paligjshme ose ndryshe shkatërruese për botën", duhet të pezullohet përkohësisht ose postimi duhet të bëhet i padukshëm.
Ai tha se Twitter duhet të ndërtojë më shumë besim duke ndarë algoritmin e tij dhe duke u kërkuar njerëzve të bëjnë sugjerime se si ta përmirësojnë atë.