Mungesa e njohjeve – Diplomacia në pauzë   

Kosovë: flamuri i Republikës së Kosovës mbi ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Qeveria e Kosovës synon që procesin e dialogut me Serbinë, ta shfrytëzojë si mjet për të siguruar njohje nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro, janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Disa nga to kanë shprehur rezerva sa i takon njohjes, pa u arritur një marrëveshje përfundimtare në procesin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore, të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB”, thuhet në Programin e Qeverisë së Kosovës, 2021-2025.

Pjesa e programit qeverisës që i kushtohet politikës së jashtme, kryesisht fokusohet në rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes njohjeve të reja si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE: Diplomacia e Kosovës në vendnumërim

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se është ende në fazën fillestare të përgatitjes për t’iu qasur procesit të dialogut në Bruksel.

Në fund të muajit prill përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi një takim të mundshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Kurti, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut, por ka kërkuar kohë për përgatitje për këtë proces.

Në më shumë se tri vjetët e fundit, Kosova është njohur vetëm nga dy shtete. Barbadosi në muajin shkurt të 2018 si dhe së fundi nga Izraeli, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

MPJD nuk flet për njohjet

Gjatë këtyre viteve, Kosova u përball me një fushatë të ashpër nga diplomacia serbe, që vazhdimisht lobonte për tërheqje të njohjeve të shtetit të Kosovës.

Fushata e Serbisë dhe lajmet se disa shtete kishin tërhequr njohjet, krijuan dilema për numrin e saktë të shteteve që e kanë njohur Kosovën.
SHIKONI EDHE: Çnjohjet mund të çojnë në izolimin e Kosovës

Në ueb-faqen e MPJD-së, aktualisht janë të shënuar emrat e 117 shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për faktin se cila do të jetë strategjia e re për të siguruar njohje të reja.

REL ka kërkuar po ashtu përgjigje nga MPJD-ja, se cilat shtete dhe rajone do të jenë prioritet për diplomacinë kosovare.

Megjithatë, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Nevoja për rishikim strategjik të diplomacisë

Sipas ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama, e gjithë energjia diplomatike duhet të fokusohet aktualisht në njohjen nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Njohja e pesë vendeve të BE-së do të duhej të ishte kërkesë në dialog, sepse ky dialog zhvillohet nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të duhej të finalizohej me një marrëveshje përfundimtare, që do të duhej të përfshinte garanci për njohje nga pesë vendet në fjalë. Ndryshe do të ishte e pakuptimtë”, thotë ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama.

Për të arritur këtë, Lama e sheh pozitiv faktin se politikën e jashtme të BE-së e udhëheqë politikani spanjoll, Josep Borrel, që vjen nga një shtet mosnjohës si dhe që procesin e dialogut Kosovë – Serbi, e ndërmjetëson sllovaku, Mirosllav Lajçak, shteti i të cilit heziton që ta njoh shtetin e Kosovës.

“Përfshirja e njohjes automatike të këtyre [pesë] vendeve me një marrëveshje e cila do të mbajë vulën e Bashkimit Evropian, pra mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se duhet të jetë kërkesë themelore e Kosovës në këtë dialog”, tha Lama.

Lama sugjeron që në kuadër të strategjisë së re për të siguruar njohje, Qeveria e Kosovës të angazhojë edhe diplomatë ndërkombëtarë.

SHIKONI EDHE: Kosova hap Ambasadën në Jerusalem

Spahiu: Njohja nga Izraeli inatosi vendet tjera në Lindje të Mesme

Përveç pesë vendeve të BE-së që konsiderohen më të rëndësishmet, Kosova nuk ka arritur që të sigurojë shumë njohje as nga vendet arabe si dhe ato të Amerikës Latine.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA dhe Turqi, Avni Spahiu, tani në pension, thotë se janë lënduar raportet e Kosovës me vendet arabe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë - Izrael.

“Duhet t’i ripërtërimë raportet me vendet arabe, por edhe që të guxojmë të vazhdojmë të punojmë me ato vende që ende nuk na kanë njohur në rajonin e Lindjes së Mesme. Po ashtu, duhet të punojmë me rajonin e Amerikës Latine. Tani me njohjen që kemi marrë nga Izraeli, do ta kemi një argument shtesë për të lobuar në këto vende”, tha Spahiu.

SHIKONI EDHE: Daniel: Raportet Kosovë-Izrael mund të drejtohen nga zhvillimi dhe ekonomia

Në shtator të vitit 2020, dy delegacione të larta shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, në prani të ish-presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve të administratës amerikane, u pajtuan për një marrëveshje që synim kishte normalizimin ekonomik.

Por, dokumentet që nënshkruan asokohe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin më shumë karakter politik.

Një nga pikat me ndikim të madh politik ishte kërkesa që Kosova për një vit të mos kërkonte anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE: A ka Kosova strategji për t’u ballafaquar me lobimin e Serbisë?

Serbia obligohej që të ndalonte fushatën e saj diplomatike të lobimit te shtete të ndryshme të botës, që të tërheqnin vendimet për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Vendosja e këtij moratoriumi sipas ish-ambasadorit Avni Spahiu, ka dëmtuar forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Serbia e ka shfrytëzuar këtë kohë, këtë moratorium, që të shtoi presionin e vet te vendet e ndryshme që të mos e njohin Kosovën, por edhe t’i anulojnë njohjet”, tha Spahiu.

Ndonëse është diskutuar shumë çështja e marrëveshjes së Uashingtonit, deri më tani, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, nuk ka dhënë një qëndrim të qartë nëse do ta zbatojë këtë marrëveshje apo jo.

Kjo marrëveshje, në kohën e arritjes së saj, ishte kritikuar nga kryeministri i tanishëm i Kosovës Albin Kurti.

Tkurrja e njohjeve dhe skandali me Xhamajkën

Që nga vitit 2017, Serbia pati nisur një fushatë të udhëhequr nga ish-ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, për t’i bindur shtetet që të tërheqin vendimet për njohjen e shtetit të Kosovës.

Daçiq kishte deklaruar se 18 shtete kishin kthyer pas vendimin. Në mesin e tyre: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guinea e Re, Lesoto, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru.

SHIKONI EDHE: Diplomacia regresive e Kosovës përballë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar

Paqartësi rreth numrit të njohjeve kishin shkaktuar në të kaluarën edhe vet institucionet e Kosovës.

Një skandal me njohje kishte ndodhur në shkurt të vitit 2020, kur asokohe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte njoftuar se shteti i Xhamajkës kishte njohur shtetin e Kosovës.

Mirëpo pak kohë pasi ai e postoi një status në rrjetin social Twitter, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith, mohoi lajmin.

Ky dështim diplomatik u bë shkak akuzash në mes të ish-presidentit Thaçi, ish-ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca si dhe ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.