Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës njoftoi të mërkurën se e ka gjobitur ndërmarrjen MTS d.o.o me mbi 1.5 milion euro për shkeljen e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
MTS d.o.o. e ka për kompani amë operatorin shtetëror të telekomunikacionit, Telekomi i Serbisë, dhe u themeluar në tetor të vitit 2015 në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Selia e kësaj ndërmarrjeje shoqërore është në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Megjithatë, ajo ka degë edhe në komunat tjera të banuara me shumicë serbe në Kosovë: Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë dhe Ranillug.
Ky vendim vjen disa muaj pasi Qeveria e Kosovës ia hoqi licencën biznesore kësaj kompanie për shkak të dokumentacionit të kontestuar gjatë regjistrimit të biznesit.
Autoriteti tha, sipas vendimit që e mori më 18 dhjetor, se MTS d.o.o. e shkeli ligjin "duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International".
SHIKONI EDHE: Çfarë do të thotë për serbët në Kosovë heqja e lejes së punës për kompaninë MTS?
Verën e kaluar, emri i kompanisë MTS d.o.o. u gjet në listën e kompanive, të cilave mund t'u ndalohet veprimtaria e të bërit biznes në Kosovë, sepse në formularin e regjistrimit shkruan se ndodhet në territorin e Serbisë, përkatësisht shkruan "Mitrovica e Kosovës (Kosovska Mitrovica), Republika e Serbisë".
Lista e kompanive me vendndodhje gjeografike të ngjashme të kontestuar është përpiluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, pasi mediumit Klan Kosova iu pezullua certifikata e biznesit për të njëjtën arsye.
SHIKONI EDHE: Kompania serbe, MTS, rrezikon t’i konfiskohet një pjesë e përfitimeve të saj në Kosovë
Ligji për mbrojtjen e konkurrencës
Ligji i ri për mbrojtjen e konkurrencës ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2022 dhe parashikon që pjesëmarrësit në një përqendrim, d.m.th në uljen e numrit të pjesëmarrësve në treg, në disa raste duhet të kërkojnë paraprakisht leje nga Autoriteti i Konkurrencës.
Në ligj, "përqendrimi" përshkruhet si "ndryshim i qëndrueshëm i kontrollit të ndërmarrjeve kur bashkohen ndërmarrje të pavarura ose pjesë të tyre ose kur një a më shumë ndërmarrje fitojnë kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të tërësisë ose pjesëve të ndërmarrjeve të tjera, sidomos duke fituar aksione...”.
Deri në mesin e vitit të kaluar ishte në fuqi ligji, sipas të cilit nuk ishte e nevojshme leja për pjesëmarrje në përqendrim, pra blerje të kompanive të tjera të ngjashme.
Por, në bazë të ligjit të mëparshëm, Autoriteti i Mbrojtjes së Konkurrencës kishte të drejtë të niste një procedurë për rishikimin e marrëveshjeve ndërmjet shoqërive, nëse konstatohej se një kompani dominonte.