Ndërlidhjet

Çfarë do të thotë për serbët në Kosovë heqja e lejes së punës për kompaninë MTS?


Mitrovica e Veriut. (Fotografi nga arkivi).
Mitrovica e Veriut. (Fotografi nga arkivi).

Acarim serioz i situatës që shkon përtej kornizave ekonomike, ekzistencë e diskutueshme e mbi 250 familjeve të komunitetit serb në Kosovë dhe ndërprerje e komunikimit dhe informimit për rreth 80.000 përdorues të shërbimeve të kompanisë MTS d.o.o.

Sipas kompanisë “Telekom Serbia”, këto janë pasoja në rast se kompanisë së saj në Kosovë nuk i lejohet aktiviteti.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në fund të vitit 2016, kjo kompani mori licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës. Themeluese me 100 për qind të aksioneve është “Telekom Serbia”.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës pretendon se kjo kompani, sikurse edhe dhjetëra kompani të tjera, shkelin rendin kushtetues të Kosovës për shkak se dosjet e tyre përmbajnë dokumente, në të cilat qytetet e Kosovës përmenden si pjesë e Serbisë.

Nga Qeveria e Kosovës Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se cilat janë alternativat e serbëve në rast të mbylljes së MTS-së.

A ka alternativa?

Në dy-tre vjetët e fundit, MTS-ja në Kosovë ka blerë pothuajse të gjithë operatorët kryesorë kabllorë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri dhe në jug të lumit Ibër. Kjo është arsyeja pse autoriteti për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë ka nisur një hetim ex-officio në fund të nëntorit 2022.

Dyshohet se MTS d.o.o. nuk i ka raportuar transaksionet e tij, siç kërkohet me ligj në Kosovë.

Përveç paketave televizive, MTS-ja u ofron përdoruesve të saj edhe shërbime interneti, celulare dhe fikse.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë thekson se kompania serbe, MTS, në Kosovë është e autorizuar për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike sipas Marrëveshjes së Telekomunikacionit të arritur gjatë procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në përgjigje shtohet se ARKEP-i në vazhdimësi është duke “mbikëqyrur përmbushjen e obligimeve që ka kjo ndërmarrje dhe për mospërmbushjen e tyre është duke aplikuar sanksionin ekonomik në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

“Sa i përket çështjeve tjera, ARKEP-i është në kontakt me institucionet relevante dhe të gjitha veprimet i merr në përputhje të plotë me mandatin dhe kompetencat e përcaktuara në Kornizën Rregullatore për Komunikimet Elektronike”.

Në Kosovë ka edhe operatorë të tjerë që ofrojnë shërbime të ngjashme me MTS-në, si Telekomi i Kosovës Vala, dhe kompanitë private IPKO dhe Artmotion.

Mirëpo, pjesëtarët e komunitetit serb pothuajse nuk i përdorin shërbimet e tyre, përveç kur është fjala për telefoninë mobile nga operatorët Vala dhe IPKO. Këto dy rrjete celulare janë më të përhapura në zonat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit.

Në anën tjetër, organi rregullativ për komunikime elektronike në Serbi “RATEL” ka vite që në raportet e veta thekson se nuk ka të dhëna për përdoruesit e rrjetit celular në Kosovë.

Po ashtu, në raportin e punës për vitin paraprak, “Telekom Serbia” nuk tregon se sa përdorues ka në Kosovë, por thekson se gjatë vitit 2022, investimet në MTS kanë qenë pak më shumë se 1.5 milion euro.

“Telekom Serbia” nuk e pranon anulimin e licencës, paralajmëron ankesë

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, “Telekom Serbia” thekson se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), e ka njoftuar të premten për mbylljen e kompanisë së saj dhe shton se nuk i është dhënë asnjë mundësi për të plotësuar dokumentacionin e regjistrimit.

Po ashtu shtohet se arsyeja e vendimit për revokimin e lejes së punës është se njëri nga anëtarët e menaxhmentit ka pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë dhe se si alternativë e vetme për t'u përgjigjur iu është dhënë afati për ankimim prej 30 ditësh.

“Tashmë jemi duke punuar në të gjitha masat ligjore që do t'i marrim, para së gjithash ankesën, dhe nëse nuk pranohet do të kërkojmë masë të përkohshme nga gjykata”, thonë nga “Telekom Serbia”.

Ata nënvizojnë se i kanë njoftuar ambasadat e huaja në Prishtinë dhe Beograd, si dhe Bashkimin Evropian që është duke ndërmjetësuar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç theksojnë më tej nga operatori shtetëror i telekomunikacionit të Serbisë, ishte e vështirë t'i shpjegohej komunitetit ndërkombëtar se një kompani po mbyllet për shkak se ka një "gabim administrativ".

Çfarë thuhet në Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin?

Themelimi i kompanisë MTS d.o.o. në Kosovë është rënë dakord me Marrëveshjen për telekomunikacionet në vitin 2015.

Është paraparë që organet rregullatore t'i lëshojnë licencë kompanisë së re për ofrimin e shërbimeve në fushën e telefonisë mobile dhe fikse, e cila do të regjistrohet në përputhje me kornizën rregullative të Kosovës.

Qeveria e Kosovës më pas ka miratuar vendimin që kompanisë MTS d.o.o. t’i lëshohet një leje pune.

Në bazë të së njëjtës marrëveshje, Kosova ka marrë kodin e shtetit +383.

Pse kontestohet puna e kompanisë MTS?

Në vendimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) thuhet se komisioni për riverifikimin e dosjeve ka konstatuar se në dosjen e kompanisë gjendet dokumenti identifikues/pasaportë e përfaqësuesit të lëshuar nga Serbia, ku si vendlindje shënohet “Kosovska Mitrovica, Republika e Serbisë”.
“Përmbajtjet e tilla nuk lejohet të përdoren në Republikën e Kosovës, për shkak se emërtimi i përdorur për vendlindjen dhe shtetin, ka shkaktuar shkelje të normave kushtetuese dhe një veprim i tillë, paraqet kërcënim serioz ndaj sigurisë publike…”, thuhet në vendimin e ARBK-së.

Çfarë thotë Ministria kompetente?

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë me kërkesë për të dhënë një shpjegim më të detajuar se përse kompanisë MTS i hiqet licenca, gjegjësisht pse nuk i lejohet plotësimi apo harmonizimi i dokumentacionit. Përgjigja nuk erdhi deri në publikimin e këtij teksti.

Ata nuk janë përgjigjur as në pyetjen se çfarë do të ndodhë me shfrytëzuesit e shërbimeve të MTS-së, të cilët kryesisht janë nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.

Mirëpo, ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka shpjeguar më herët se kompani të caktuara kanë dorëzuar “dokumentet antikushtetuese”, në cilat qytete të Kosovës përmenden si pjesë e Serbisë gjatë paraqitjes së aplikacioneve për regjistrim.

Në fakt, këto janë dokumente që lëshohen nga autoritetet paralele serbe për qytetet e Kosovës dhe që nuk njihen nga Prishtina zyrtare.

Ministrja Hajdari nënvizoi se shkelja e Kushtetutës së Kosovës nuk mund të konsiderohet si “gabim teknik”.

Ministria kompetente ka njoftuar, gjithashtu, se janë marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pasi kanë lejuar regjistrimin e kompanive me dokumente të dyshimta.

REL-i iu drejtua Bashkimit Evropian, i cili është duke ndërmjetësuar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e heqjes së licencës për punë nga kompania MTS. Megjithatë, asnjë përgjigje nuk erdhi.

Nuk janë përgjigjur as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

*Shënim: Në versionin origjinal të këtij teksti, shkruhej se MTS-së iu hoq licenca për të punuar për shkak se në fletën e regjistrimit thuhej se adresa e kompanisë ishte "Kosovska Mitrovica, Serbi". Mirëpo, ajo që kontestohet, bazuar në vendimin e ARBK-së, të cilin “Telekom Serbia” ia ka dorëzuar REL-it, është se në dokumentin identifikues të përfaqësuesit të kësaj kompanie, si vendlindje figuron “Kosovska Mitrovica, Republika e Serbisë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG