Mospajtime ndërmjet Kosovës dhe BE-së për heqjen e masave

Flamuj të Kosovës të vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të Bashkimit Evropian(BE), por thekson se Aneksi për zbatimin e saj duhet të zbatohet “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.

Kështu e komenton Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, qëndrimin e BE-së se, për heqjen e masave ndëshkuese - krahas hapave të mëtejshëm drejt shtensionimit të situatës në veri - është “me rëndësi thelbësore” zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe Aneksit të zbatimit të tij.

SHIKONI EDHE: BE-ja do hapa të tjerë pas zvogëlimit të pranisë policore në veri

“Kjo përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë]”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së, është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj, palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, marrëveshja ra në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.

Pse u vendosën masa ndëshkuese ndaj Kosovës?

Në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan. Me atë rast u plagosën rëndë dhe lehtë rreth 90 ushtarë të KFOR-it, si dhe dhjetëra serbë që morën pjesë në përleshje.

*Video nga arkivi për zhvillimet në veri më 29 maj

BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.

SHIKONI EDHE: E ndëshkuar nga BE-ja, çka e pret Kosovën?

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 korrik, në Bratisllavë arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri.

Përveç hapave konkretë që kanë të bëjnë me tërheqjen e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE-ja theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu.

Qeveria e Kosovës: Masa të padrejta, zbatim me radhë dhe i balancuar i marrëveshjes

Qeveria e Kosovës thekson se pika e parë e marrëveshjes për shtensionim, e cila ka të bëjë me reduktimin e forcave policore, tashmë është përmbushur dhe shton se deri më tani, 50 për qind e policëve janë tërhequr nga dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit.

Qeveria thekson se është bërë një vlerësim i sigurisë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in (misionin e BE-së për sundimin e ligjit), siç parashikohet në pikën e dytë të marrëveshjes, dhe se është duke vazhduar përgatitja e udhëzimit administrativ, në bazë të të cilit do të hapet rruga për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Në të njëjtën kohë, në terren ne kemi një situatë të shtensionuar në shkallë të konsiderueshme. Siguria është më e mirë. Situata është më e qetë. Janë bërë rreth dy muaj prej kur është shënuar incidenti i fundit i dhunshëm”, thonë nga Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, ata shtojnë se Kosova është e vetëdijshme për përshkallëzimin e ri potencial që mund të shkaktohet nga Serbia duke “nxitur urrejtje dhe agresivitet”.

Prandaj, siç thuhet në përgjigjen për REL-in, Qeveria e Kosovës beson se masat ndëshkuese të BE-së ishin dhe janë të padrejta, “veçanërisht pas progresit në zbatimin e marrëveshjes për shtensionim dhe përmirësimit të situatës në terren”.

Lidhur me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj, Qeveria e Kosovës thekson se Prishtina zyrtare është gjithmonë “e gatshme, konstruktive dhe e përkushtuar” për ta zbatuar marrëveshjen “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.

“Ndërkaq, në anën tjetër, duhet gjithmonë të theksohet refuzimi publik i njëpasnjëshëm i Serbisë për t’i zbatuar ato, bashkë me shkeljet e vazhdueshme, pa asnjë vërejtje apo pasojë nga BE-ja”, thotë Qeveria e Kosovës.

Marrëveshja për normalizim ndërmjet dy palëve dhe Aneksi për zbatimin e saj, ndër të tjera, parashohin që Kosova t’u sigurojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë një “nivel të caktuar të vetëmenaxhimit”.

Zyrtarë ndërkombëtarë, disa herë kanë thënë se kjo pikë e marrëveshjes ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshja për Asociacionin u arrit në vitin 2013 dhe ajo duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.

BE-ja edhe më tej e shqetësuar

Në përgjigjen për REL-in, Peter Stano thekson se BE-ja është ende e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës dhe përkujton se është bërë e qartë se do të merren masa, nëse situata nuk shtensionohet.

Ai shton se BE-ja mirëpret vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të reduktuar praninë e policisë, por se janë të nevojshëm hapa të mëtejmë për uljen e tensioneve.

“Për t’i dhënë fund krizës aktuale, do të duhej sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë, me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thotë Stano.

BE-ja ka njoftuar disa herë se do të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, nëse ajo nuk bashkëpunon lidhur me shtensionimin e situatës.

SHIKONI EDHE: Shtensionimi në veri “në gjysmë të rrugës”

Megjithatë, në përfundim, Stano thekson rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pritjet e Kosovës nuk janë realiste”

Demush Shasha nga Instituti Kosovar për Politika Evropiane, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë vlerëson se pritjet e Qeverisë për tërheqjen e masave ndëshkuese nga ana e BE-së, nuk janë reale, gjegjësisht, se hapat e parë drejt shtensionimit janë vetëm nisje në atë drejtim.

SHIKONI EDHE: "Heqja e ndalesës për mallrat serbe në këmbim të shfuqizimit të masave nga BE-ja"

Ai konsideron se BE-ja pret që Kosova, pas shtensionimit të situatës në veri, të fillojë zbatimin konkret të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për shtensionim në veri nuk mjafton për të anuluar masat e BE-së, veçanërisht nëse kemi parasysh se BE-ja është e kujdesshme për shkak të skepticizmit që ekziston në Prishtinë ndaj dialogut”, thotë Shasha.
Sipas tij, Bashkimi Evropian pret që Qeveria e Albin Kurtit të bëjë një “korrigjim strategjik” në raport me dialogun.

“Nuk duhet të jetë vetëm manovër e përkohshme politike rreth fillimit të zbatimit të kërkesës për shtensionim të situatës në veri”, thotë njohësi i politikës evropiane, Shasha.

Shtensionimi i situatës në veri dhe kthimi në dialog janë kërkesa edhe të shteteve perëndimore ndaj Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë, më 16 gusht, tha se kërkesat e vendit të tij ndaj Qeverisë së Kosovës nuk kanë të bëjnë me presion.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Kërkesat e SHBA-së ndaj Kosovës nuk janë presion

Ai shtoi se Kosova ka të drejtë të marrë vendime në mënyrë të pavarur, por sipas tij, është e dëshirueshme që Kosova t’i pranojë këshillat dhe sugjerimet kur bëhet fjalë për shmangien e tensioneve.

Në këtë kontekst, ai tha se nga Kosova kërkohet “ta zbatojë menjëherë Marrëveshjen e Ohrit dhe t’i avancojë negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Hovenier, gjithashtu, shprehu qëndrimin se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta “kushtëzojë” BE-në lidhur me heqjen e masave, por duhet të punojë për shtendosjen e marrëdhënieve, pa ndërmarrë hapa që mund të çojnë në përshkallëzim të ri.

Përgatiti: Bekim Bislimi