Praktikat e deritashme të fushatave zgjedhore të subjekteve politike dhe zotime e tyre për realizimin e programeve, janë shndërruar në premtime klishe dhe të parealizueshme dhe kjo ka bërë që qytetarët ta humbin besimin në premtimet e subjekteve politike, vlerësojnë disa qytetarë në Prishtinë.
Tri subjektet politike të cilat kanë kandidatë që garojnë për të siguruar mandatin e kryeministrit të vendit dhe për të udhëhequr me qeverinë e ardhshme janë Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Të tri këto subjekte politike, në kuadër të programeve të tyre zgjedhore kanë premtuar adresimin e mundësive për tejkalimin e pandemisë së koronavirusit, si dhe për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, pas dëmeve të shkaktuara nga pandemia.
LVV: Vaksinim i 60 për qind të popullatës dhe intervenim fiskal për rimëkëmbje ekonomike
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që në për të luftuar pandeminë e koronavirusit, do të vënë në zbatim “planin e detajuar”, të cilin do ta mbështesin financiarisht duke u bazuar në situatën në terren. Lëvizja Vetëvendosje, premton që masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë “ vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnim i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve shëndetësore në kujdesin parësor shëndetësor”.
Gjithashtu Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që do të nisin menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, “me theks të veçantë, Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19”, si dhe do të nisë përgatitjet dhe do të aplikojë për anëtarësim të vendit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Rimëkëmbja ekonomike dhe “kthimi i jetës ekonomike në normalitet është prioriteti kryesor në angazhimin, në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes”, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje. Ajo ka premtuar se është e gatshme për një intervenim ambicioz fiskal me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike. Për të realizuar këtë, sipas këtij subjekti politik, do të krijohet një partneritet ndërmjet pesë shtyllave, “ndërmarrjeve, shtetit, sistemit bankar, Fondit kosovar për garantimin e kredive dhe komunitetit të donatorëve dhe kredidhënësve ndërkombëtarë”, të cilat “së bashku e garantojnë daljen e shpejtë nga recesioni i tanishëm”.
LDK: Kthim në normalitet në muajt e pranverës dhe zhvillim i sektorit privat
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se prioritet i saj i parë në qeverisje do të jetë shëndetësia dhe “sigurimi sa më parë i vaksinave dhe të vaksinohen qytetarët, në mënyrë që në muajt e pranverës të kthehet plotësisht normaliteti”. Ky subjekt politik ka thënë që ka përgatitur strategjinë e vaksinimit dhe imunizimit ku specifikohen në detaje hapat, protokollet e nevojshme për shpërndarjen e vaksinave “duke u nisur nga stafi shëndetësor, personat me sëmundje kronike, personat e moshuar dhe më pas sektori publik dhe grupet tjera të popullsisë”.
Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj e ka prezantuar zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, “shtylla e parë e të cilës është zhvillimi sektorit privat”, ku përfshihen përmirësimi i kushteve për financim të bizneseve përmes Fondit për garantim të kredive, do të ndërtojë hartën e plotë të zonave ekonomike, do të kompletojë kornizën ligjore për mbrojtjen e investitorëve dhe për të promovuar investimet e huaja dhe vendore. Gjithashtu, LDK-ja “do t’i kushtojë vëmendje të veçantë promovimit të eksporteve, të vlerës së shtuar në përgjithësi, duke ndërtuar edhe skema të ndryshme për të ndihmuar bizneset në certifikimin e produkteve sipas standardeve evropiane”.
PDK: Vaksinim i 70 për qind të popullatës dhe 500 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike
Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me tejkalimin e pandemisë së koronavirusit në vend, ka premtuar vaksinimin e 70 për qind të popullsisë deri në verë të këtij viti. Për të realizuar këtë, sipas këtij subjekti politik, do të hapen 30 qendra të vaksinimit në të gjithë territorin e Kosovës. Gjithashtu ka premtuar, pako mbështetëse për të gjithë të infektuarit, Fondin për Sigurime Shëndetësore, përmes të cilit do të sigurohen 580 forma të barnave falas për të sëmurët kronikë, si dhe rritjen e pagave për 30 për qind për stafin mjekësor.
Partia Demokratike e Kosovës ka premtuar se për rimëkëmbjen e ekonomisë do të ketë një fond prej 500 milionë euro. Ky fond, sipas këtij subjekti politik, do të jetë në funksion të mbështetjes së drejtpërdrejtë të bizneseve dhe punëtorëve të prekur nga pandemia. Gjithashtu, ndër të tjera, PDK-ja premton që do të reduktojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 18 për qind në 9 për qind, për produktet ushqimore dhe të konsumit të përditshëm, lirimin nga TVSH-ja për barërat që importohen dhe ato që prodhohen në Kosovë, një fond prej 15 milionë euro për grandet pa kthim për të rinjtë që kanë biznese të reja.
Por, cilat do qofshin premtimet e subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, qytetarët thonë se nuk u besojnë premtimeve të tyre në përgjithësi, për cilëndo fushë.
Madje, siç thonë ata, nuk do t’u besojnë të gjitha premtimeve as të subjektit politik, për të cilin ata kanë ndarë mendjen që ta votojnë.
Premtime të përsëritura
Elma Ejupi, studente e Ekonomisë, thotë se edhe para se të niste zyrtarisht fushata zgjedhore, më 3 shkurt, subjektet politike kanë nisur të flasin për fusha të caktuara të jetës në vend, për të cilat japin premtimet që tashmë janë dëgjuar edhe në fushatat zgjedhore paraprake.
“Prapë nuk ju besojmë. Jemi mësuar me këto premtime të kota. Në përgjithësi, patën premtuar vende të punës shumë. Nuk i kanë mbajtur kurrë e sidomos jo për të rinjtë. Por, duhet të votojmë. Mbase të provojmë ndonjë ndryshim. Ndoshta do të përmbushen tash premtimet edhe pse jo të gjitha, për të paktën diçka po”, theksoi Ejupi.
SHIKONI EDHE: Mosbesimi në premtimet klishe të partive politikeBurhan Islami, inxhinier për softuer, thotë se nuk mban mend që ndonjë nga subjektet politike, të cilat në qeverisjet e kaluara kanë qenë në pushtet, të ketë mbajtur ndonjë prej premtimeve të dhëna. Kjo, sipas tij, është bërë sjellje e zakonshme e subjekteve politike, e cila sipas tij, duhet të ndryshohet.
“Për shembull, i kemi ato premtimet që kanë për të hapur 200.000 vende të reja të punës ose për shembull, për të pagjeturit. Secila parti që ka ardhur në pushtet, ka dhënë premtime që do të bëjnë diçka për të pagjeturit. Asgjë nuk është bërë në atë drejtim. Ka propagandë edhe tash. Jo 100 për qind, por besoj që tash është një frymë e re e ndryshimit që po vjen. Nuk dua të përmend parti politike, por disa prej premtimeve që ka bërë (një nga subjektet politike), u besoj. Prandaj edhe do të votoj për atë parti politike”, theksoi Islami.
SHIKONI EDHE: Pritjet e qytetarëve: Punësim e investime në shëndetësiRrezarta Bujupi, studente, thotë që pikërisht pse subjektet politike të caktuara, të cilat në vitet e fundit kanë qenë në pushtet, nuk kanë përmbushur premtimet e dhënë, ajo ka vendosur t’i dënojë duke mos ua dhënë votën.
“Jemi mbushur me premtime mjaft deri më tash. Kësaj here do ta ndryshoj partinë sepse në këtë mënyrë po i penalizoj ata që nuk kanë punuar. Po i penalizoj me votë, derisa të vijë dikush në pushtet që punon dhe që të paktën 50 për qind të premtimeve t’i realizojë. Më herët nuk i kanë realizuar thuajse as 10 për qind”, theksoi Bujupi.
Pritjet për ndryshime, me skepticizëm
Shaip Ajazi, pensionist, thotë se premtimeve të subjekteve politike, në përgjithësi, u beson fare pak dhe për këtë arsye fushatën zgjedhore të tyre do ta injorojë tërësisht.
“Bazuar në premtimet paraprake, fare pak t’u besohet ose hiç. Duke u bazuar në ato, unë as tash nuk ju besoj sepse nuk i kanë mbajtur premtimet e deritashme, asnjë prej tyre”, u shpreh Ajazi.
SHIKONI EDHE: Kush po ua sheh hajrin fushatave?Majlinda Kurti thotë se fushatat zgjedhore të subjekteve politike në mënyrë joformale kanë nisur qysh herët dhe ajo tashmë është përcaktuar se për cilin subjekt do të votojë. Por, sipas saj, ky votim nuk do të jetë për shkak se u beson premtimeve të dhëna gjatë fushatës.
“Jo aspak. Nëse do të votoj, atëherë jam pacaktuar më herët, por jo në bazë të premtimeve apo fushatës që janë duke e bërë. E kaluara ka qenë me shumë premtime të parealizuara dhe për këtë arsye, më nuk është asgjë serioze ose interesante”, tha Kurti.
Edhe Nuhi Dili, punëtor në Zyrën për Rregullatorin e Energjisë, thotë që pikërisht për shkak të premtimeve të mëhershme të papërmbushura, nuk u beson më subjekteve politike.
“Asnjërës sepse po gënjejnë. Po i kryejnë punët e veta dhe për popull nuk është duke punuar asnjë. Ka 21 vjet, nuk pamë dritë. Vizat, vizat, vizat... e kanë bërë bajat me këtë. Ekonomia, njëjtë. Të njëjtën pagë që e kemi pasur para shtatë ose tetë vjet, prapë të njëjtën e kemi, ndërkaq çmimet po shkojnë përpjetë çdo ditë. Do të votoj për atë që e kam menduar dhe nëse as ai subjekt politik nuk i përmbush premtimet, atëherë vetëm më duhet të ik nga Kosova”, tha Dili.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Fushata zgjedhore e subjekteve politike, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të zgjasë prej 3 shkurtit e deri më 12 shkurt. Në garën për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës, do të garojnë 28 subjekte politike me mbi 1.000 kandidatë për deputetë.