Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovë, thonë se po ndërmarrin veprime të përditshme dhe monitorim të punës së gjyqtareve dhe prokurorëve.
Sistemi i drejtësisë ka vite që është nën thumbin e kritikave si nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin Evropian, ashtu edhe ata të organizatave joqeveritare vendore. Kritikat e vazhdueshme në adresë të gjyqtarëve e prokurorëve, kryesisht ndërlidhen me mungesën e pavarësisë dhe me ndikimin politik ndaj tyre, por edhe me punën e ngadaltë që ka rezultuar me mijëra lëndë të grumbulluara nëpër sirtarë.
SHIKONI EDHE: Mbi 245 mijë lëndë presin zgjidhje në gjykataPërfaqësuesit e Këshillit Prokurorial, thanë për Radion Evropa e Lirë se komisionet disiplinore janë duke funksionuar pa ndikime dhe si rezultat janë ndërmarrë masa suspendimi dhe ndëshkimi për prokuroret të cilët kanë bërë shkelje në punë.
Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurori të Kosovës tha se pas propozimeve të komisioneve disiplinore, Këshilli Prokurorial ka vendosur që t'ju shqiptohen masat adekuate atyre që kanë shkelur ligjin.
"Një pjesë e prokurorëve të cilët kanë rënë ndesh me Kodin e Etikës apo edhe me çështjet e tjera ligjore, tanimë nuk janë në sistem, janë suspenduar apo edhe ka propozime për largim nga detyra”, tha Hyseni.
Ai tha po ashtu se në takimin e fundit të Këshillit Prokurorial janë formuar katër grupe të komisioneve për të shqyrtuar disa raste të prokurorëve, të cilët dyshohet se nuk kanë përfillur ligjin dhe Kodin e Etikës.
Sipas tij, askush s’mund të thotë se këto komisione nuk janë efikase, pasi që siç nënvizon ai, çdo ditë ndërmerren veprime për një sistem prokurorial të pavarur dhe efikas.
Hyseni tha se është një numër i madh i prokurorëve ndaj të cilëve janë shqiptuar masa të rrepta, deri edhe te largimi nga puna.
"Brenda këtij viti kemi një propozim për largim, do të thotë brenda pak muajve kemi dy prokurorë që kemi suspenduar, kemi të tjerë që u kemi shqiptuar masa", tha Hyseni, duke nënvizuar se ka edhe raste tjera që janë në proces.
SHIKONI EDHE: Qytetarët presin më gjatë se 10 vjet për zgjidhjen e një kontesti në gjykatëSipas të dhënave nga Këshilli Prokurorial, Komisioni Disiplinor në janar të vitit 2019 ka trashëguar nga vitet e kaluara tri raste disiplinore, kurse ka shqyrtuar edhe tri raste të tjera gjatë këtij viti. Ky komision gjatë këtij viti ka zgjidhur gjashtë raste, si rezultat i të cilave janë propozuar masa për largim nga detyra e prokurorit, ulje në detyrë brenda sistemit prokurorial, pastaj masë qortimi, e të tjera.
Kurse në Këshillin Gjyqësor thonë se Komisioni Disiplinor prej fillimit të vitit 2019 e këndej ka pranuar dhe shqyrtuar tri raporte përfundimtare të pranuara nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.
Për këto tri raporte, Komisioni thuhet se ka marrë tri vendime, përfshirë edhe atë për ulje të pagës për 30 për qind, në kohëzgjatje prej tre muajve.
Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, tha për Radion Evropa e Lirë se komisionet janë duke shqyrtuar rastet në fjalë “pa ndikime nga jashtë”.
“Unë nuk konsideroj se ka ndonjë problem në këtë drejtim, sidomos tani kur kemi në fuqi Ligjin për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve” , tha Çoçaj.
Deri më tani ka qenë Zyra e Komisionit Disiplinore që është marrë me shkeljet e mundshme të gjyqtarëve e prokurorëve, por me miratimin e Ligjit të ri për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo çështje ka kaluar brenda vetë trupave të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
Nga ana tjetër, në Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se komisionet disiplinore nuk janë të pavarura në vendimet që marrin për kolegët e tyre.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, që monitoron punën e sistemit të drejtësisë, tha për Radion Evropa e Lirë se joefikasiteti në disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka bërë që të kemi një sistem gjyqësor dhe prokurorial jo llogaridhënës dhe jotransparent.
"Deri më tash ka pasur ndikime të vazhdueshme, si politike, si të grupeve të ndryshme të interesit, po ashtu edhe solidaritet mes gjykatësve dhe prokurorëve të cilët thjesht e kanë ruajtur dhe e ruajnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Tash kemi kohë të shohim se si do të zbatohet ligji i ri në të cilin ka një sistem të ri të llogaridhënies, por në të cilin nuk kemi shpresa shumë, duke u bazuar në praktikat e deritanishme", tha Musliu.
Ndikimet politike në sistemin e drejtësisë në vazhdimësi janë përmendur në raportet e publikuara nga Komisioni Evropian, por edhe nga organizatat vendore, siç është edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Musliu nga kjo organizatë, thekson se sidomos në sistemin prokurorial, persona të caktuar kanë lidhje me politikën.
"Pritjet, realisht janë të zbehura duke e ditur ndikimin e politikës në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Këtu e kam fjalën duke nisur nga bartësit, sidomos në sistemin prokurorial, të cilët janë personazhe të njohura dhe të cilët kanë koketur vazhdimisht me politikën", tha Musliu.
SHIKONI EDHE: A po hezitojnë gjykatat t’i trajtojnë rastet ku përfshihen politikanët?Në prokuroritë dhe gjykatat vendore, mbesin ende qindra raste të papërfunduara që lidhen me korrupsionin. Ndërsa mungesa e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimisht është vlerësuar si pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë.