Mjekët në grevë, pacientët në pritje

Punonjësit shëndetësorë në grevë të përgjithshme njëditore, kërkesë kryesore e të cilëve është rritja e pagave, 25 nëntor 2021.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë me Traumatologji në Prishtinë, Gani Jashanica, të enjten (më 25 nëntor) ishte në vendin e punës, por pa mantel të bardhë. Kjo ishte simbolika e grevës së përgjithshme njëditore të punonjësve shëndetësorë, në të gjitha qendrat mjekësore të Kosovës.

Ata po kërkojnë miratimin e Ligjit të pagave, rrjedhimisht, rritjen e pagave të tyre.

Gani Jashanica, drejtor i Klinikës Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,25 nëntor 2021.


“Pagat janë të pamjaftueshme. Me këtë grevë ne kemi bërë një hap të vogël për të ngritur vetëdijen e Qeverisë që të na përkrahë më shumë. Me kushtet aktuale ka interesim të punonjësve shëndetësorë që ta braktisin sektorin publik. Secili nga ne mund të gjendet më mirë, qoftë jashtë Kosovës apo në sektorin privat të shëndetësisë”, tha Jashanica për Radion Evropa e Lirë.

Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në mars. Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Kushtetuesja më pas e shpalli të pavlefshëm këtë ligj. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

SHIKONI EDHE: Projektligji për pagat konfronton Qeverinë me sindikatat

Me këtë ligj, një mjeku specialist parashihej t’i rritej paga nga 600 në 1,200 euro, kurse një infermieri nga rreth 400 në 525 euro. Mjeku i sapo diplomuar, pagë mujore merr 502 euro, kurse me Ligjin për paga, tashmë të shfuqizuar, ishte paraparë të merrte 800 euro.

Syla: Pagat janë ofenduese

Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, federatë kjo që ka organizuar grevën, thotë se paga aktuale e mjekëve dhe infermierëve është ofenduese.

SHIKONI EDHE: Ligji për paga: Mjekët nuk duan ndihma, por rritje pagash

Ai shprehet se në bazë të Ligjit të pagave, tashmë të shfuqizuar, janë nevojitur rreth 20 milionë euro në vit për zbatimin e pagave për punëtorët shëndetësorë.

“Duke marrë për bazë inflacionin që është rritur, paralajmërimet e rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe fakti që punëtorët shëndetësorë që nga viti 2014 nuk kanë pasur rritje të pagave, konstatohet lehtë se kërkesa është e drejtë dhe legjitime për rritje të pagave, në këtë mënyrë rritet edhe dinjiteti i mantelbardhëve, sepse më të vërtetë është përdhosur dinjiteti”, tha Syla.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se, “grupi punues aktualisht është duke punuar në projektligjin për paga, i cili pasi të hartohet, do të dërgohet për konsultime paraprake dhe konsultime publike”.

Megjithëkëtë, sindikalistët thonë se hartimi i projektligjit për pagat, po bëhet në mënyrë jotransparente.

SHIKONI EDHE: Ligji për paga rikthen grevat në Kosovë

Ndikimi i grevës te shërbimet mjekësore

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, (SHDPK) ka shprehur shqetësimin për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë. Sipas kësaj shoqate, rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën “nuk e ka përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vjet pas luftës”.

“E vetmja zgjidhje është reformimi i sistemit shëndetësor”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj shoqate.

Për shkak të grevës, disa pacientë të enjten kanë mbetur pa marrë shërbime. Njëri prej tyre është bashkëshorti i Valbona Shapit nga Peja, i cili ka ardhur për rrezatim në Klinikën e Onkologjisë.

“Nuk e kemi ditur se ka grevë. Kjo nuk po më duket e drejtë, ne kemi ardhur nga Peja, tash duhet të kthehemi. Për të (bashkëshortin) është lodhje është maltretim, sepse nuk është në gjendje të mirë shëndetësore”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Qytetarët shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për shërim jashtë Kosovës


Sidoqoftë, Blerim Syla, nga Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, paralajmëron se grevat dhe veprimet e tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe institucionet nuk reflektojnë karshi kërkesave të punëtorëve.

Pos sektorit të shëndetësisë, edhe punonjësit e arsimit kanë paralajmëruar protesta për muajin dhjetor, kurse edhe trisindikata të tjera, ajo e Policisë, e Doganave dhe Zjarrfikësve janë duke i shqyrtuar mundësitë e protestës me kërkesën që projektligji për pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat.