Qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për trajtime mjekësore jashtë vendit.
Këto shifra i ka dhënë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke u thirrur në statistikat e bankës Botërore. Sipas tij, shërbimet mjekësore në vend vazhdojnë të mbesin të mangëta, andaj edhe qytetarët kërkojnë trajtime jashtë Kosovës.
“Konsiderojmë se për shkak të politikave që i kemi dhe mos marrjes së shërbimeve shëndetësore, shpenzohen 120 deri 150 milionë euro në vit nga qytetarët në spitale private (jashtë Kosovës). Sikur këto të holla të investoheshin brenda vendit, shërbimet do të ishin të mira. Këto shifra i ka publikuar Banka Botërore”, ka thënë Syla.
Përveç rasteve individuale të kërkimit të shërbimeve mjekësore jashtë vendit, një pjesë e tyre referohen për shërim jashtë edhe nga vend institucionet e Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, gjatë vitit 2016, ka ndarë rreth 6 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Lulzim Uka, zyrtar për informim tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur 1958 aplikime për shërbime shëndetësore jashtë vendit, të formave të ndryshme. Prej tyre, kanë përfituar 1100 pacientë. Kurse shpenzimet për mbulimin e këtyre rasteve kapin shifrën prej 8 milionë euro.
“Buxheti ka qenë 6 milionë euro, derisa pjesa tjetër është bartur si borxh për këtë vit, gjë që dëshmon se ky buxhet nuk mjafton. Ministria e Shëndetësisë në baza ditore po punon në ngritjen e infrastrukturës në mënyrë që të ketë sa më pak nevoja për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Uka.
Në anën tjetër, zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë se rastet që nuk trajtohen brenda kësaj qendre, si institucion terciar referent për tërë Kosovën, referohen për trajtim jashtë vendit.
“Në kuadër të secilës klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet që duhet trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore. Sëmundjet ndërlidhen kryesisht me leukeminë, por edhe me transplantet që nuk mund të kryhen (këtu)”, ka thënë Fazliu.
Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, interesimi më i madh për trajtime jashtë vendit, është në citostatik me 187 aplikime, brakiterapi me 34, kardiologji me 637 aplikime.
Po ashtu, interesim për trajtim jashtë ka edhe për kardiokirurgji me 36 , kirurgji me 45, leukemi me 35, nefrologji me 23 aplikime, neurologji me 49, oftalmologji me 341, onkologji me 12, ORL me 42, ortopedi me 299, pediatri me 132 dhe të tjera, ku përfshihen 21 pacientë që kanë aplikuar për trajtim jashtë Kosovës. (REL)