Situata në veri nëpërmjet fotografive

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar praninë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pasi ka prioritet "ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët".

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se rritja e prezencës policore ishte “e domosdoshme” pas incidenteve të fundit në këtë pjesë të vendit.

Në orët e vona të 8 dhjetorit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veri. Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës.

Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës ka pasur incidente me armë zjarri dhe me granata. Incidentet më 6 dhjetor ndodhën teksa policia po përcillte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, pasi autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet për kryetarë komune në veri të Kosovës, të caktuara për 18 dhjetor.

Po ashtu, më 8 dhjetor kishte tentim të plaçkitjes së Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Policia e Kosovës tha se ka kapacitete që të menaxhojë dhe të kontrollojë situatën e sigurisë në mbarë vendin.

Policia e Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve.

Policia e Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut. Ky është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarët, serbët dhe boshnjakët.

Ura mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në Veriore dhe atë Jugore.

Automjetet e EULEX-it në urën mbi lumin Ibër. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive të policëve me përkatësi etnike serbe.

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe ka thënë se i konsideron këto tensione si rezultat i veprimeve nga të dyja anët.

Italia ka dërguar përforcime para disa javësh.

Një nga sheshet në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e 9 dhjetorit.