Mirëpritet opinioni ligjor i KiE-së rreth projektligjit për KPM-në

Pjesëtarë të ekipeve mediale në Kosovë duke mbuluar një ngjarje në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim dhe Evropë (OSBE) në Kosovë, dhe Zyra e Bashkimit Evropian, e kanë mirëpritur të hënën opinionin ligjor të përgatitur prej Këshillit të Evropës (KiE) rreth projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë.

Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Radio Evropa e Lirë ka fituar qasje në opinionin e KiE-së dhe në të ka parë një mori rekomandimesh.

Rekomandimet kryesore në opinionin e KiE-së

Në opinionin e Këshillit të Evropës është thënë se, në përgjithësi, projektligji harmonizohet me Direktivën për Shërbimet Mediale Audiovizuele. Por, disa prej rekomandimeve për të janë:

1. Të qartësohet qëllimi i ligjit - të thuhet qartë se qëllimi i ligjit është të rregullojë sektorin e mediave audiovizive dhe të shtjellojë të drejtat dhe përgjegjësitë e shërbimeve të mediave audiovizive dhe shërbimeve të platformës së ndarjes së videove

2. Të përcaktohen detyrimet e shërbimeve mediatike - përfshirë ato për t’i mbrojtur të miturit dhe për të ofruar materiale të qasshme për personat me aftësi të kufizuara

3. Të largohen përkufizimet e panevojshme - të eliminohet përkufizimi i “shërbimeve mediatike audiovizive në internet (online)”

4. Të qartësohen kërkesat për licencim dhe regjistrim - në përputhje me standardet evropiane

5. Të vendosen sanksione dhe gjoba proporcionale - të sigurohet që sanksionet dhe gjobat të jenë proporcionale me ashpërsinë e shkeljeve, duke përcaktuar qartë llojet e shkeljeve dhe dënimet përkatëse

6. Të qartësohen kompetencat dhe pushteti i Autoritetit Rregullator Kombëtar (ARrK) dhe të forcohet pavarësia e tij

7. Të rritet transparenca së pronësisë së medias

8. Të krijohet një fondi për mbështetjen e medias

9. Të promovohet vetërregullimi dhe bashkërregullimi

10. Të adresohet dezinformimi dhe promovimi i edukimit medial

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.

Misioni i OSBE-së dhe i BE-së kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, "siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”.

Dy trupat i kanë bërë thirrje Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të japë hapësirë për shqyrtimin e duhur të raportit dhe konsultimin me palët e interesit të sektorit të medias, në mënyrë që rekomandimet e tij më pas të pasqyrohen në një draft të ri.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i pati thënë thënë Radios Evropa e Lirë se ligji i ri buron prej direktivës së BE-së.

“Ai parasheh rregulla të njëjta të veprimit për shërbimet mediale audiovizuele, të cilave u nënshtrohen edhe televizionet private dhe publike”.

SHIKONI EDHE: Rregullimi i mediave online: Gjithçka që duhet të dini

Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) - i themeluar në vitin 2005 - është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

AGK-ja funksionon si shoqatë joprofitabile, ndërsa KMSHK-ja është trup vetërregullues.

Diskutimi në Komisionin për Media të Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës janë zotuar të hënën se do ta marrin parasysh edhe opinionin e Këshillit të Evropës.

“Opinioni ligjor e ndihmon Komisionin që çështjet që do të kalojnë do ta kenë edhe një filtër nga Këshilli i Evropës”, ka thënë Valon Ramadani nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Mërgim Lushtaku i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se Komisioni duhet të ketë kujdes "tek pjesa që kemi ngritur shqetësimet tona, te ndalimi i partive politike që të themelojnë televizione, besoj që kjo e vret median e lirë”.

Kosova ka shënuar regres sa i përket lirisë së mediave, sipas organizatës joqeveritare Reporterët pa Kufij.

Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, Kosova renditet e 75-ta nga 180 shtete, apo 19 vende më poshtë sesa vitin paraprak, kur mori vlerësimin më të mirë në një dekadë e gjysmë.

SHIKONI EDHE: Reporterët pa Kufij: Kosova shënon regres në lirinë e medias