Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.
“Rregullatori joefikas i medieve, Komisioni i Pavarur i Mediave [KPM], po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.
Në raport thuhet se gjatë vitit, gazetarët në Kosovë kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe “rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre”. Në raport thuhet po ashtu janë rritur paditë SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] ndaj gazetarëve.
“Edhe pse sulmet po hetohen nga policia dhe prokuroria, rastet rrallë ndiqen penalisht. Sulmet ndaj gazetarëve janë rritur në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në raport.
Gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve të tyre majin e vitit të kaluar në veri të Kosovës, kur u rritën tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.
Në raportin e Reporterëve pa Kufij u tha po ashtu se mediat në Kosovë janë të varura nga reklamat qoftë “nga Qeveria apo nga partitë politike”.
“Për më tepër, përmes pronarëve të tyre, mediat private janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha në tregun e vogël, ku disa media varen nga financimi që vjen nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar”.
Edhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar kthim prapa sa i përket lirisë së medias. Sa i përket Serbisë, në raport thuhet se ky shtet renditet në vendin e 98-të, krahasuar me një vit më parë kur ishte në vendin e 91-të.
“Në një klimë politike që gjithnjë e më shumë u bë polarizuese për shkak të protestave antiqeveritare më 2023, gazetarët shpesh ishin cak i sulmeve nga anëtarët e elitës udhëheqëse, që u amplifikuan nga disa kanale televizive ndërkombëtare”, u tha në raport, ku u shtua se rregullatori i mediave elektronike në Serbi, anëtarët e së cilit kryesisht emërohen nga Qeveria, “nuk kanë qenë të gatshëm të korrigjojnë situatën”.
Sipas Indeksit, edhe Shqipëria ka rënë nga vendi i 96-të në atë 99. Në Shqipëri, sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët përballen me presion politik, veçmas gjatë zgjedhjeve.
“Gazetarët kritikë shpesh janë subjekt i sulmeve që synojnë diskreditimin e tyre si nga Qeveria, ashtu edhe opozita, dhe ata e kanë të vështirë të kenë qasje në informacione publike”, u tha në raport.
Edhe tri shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë bërë kthim prapa sa i përket lirisë së mediave, sipas indeksit të Reporterëve pa Kufij. Maqedonia e Veriut nga vendi 36 sa ishte vitin e kaluar, këtë vit është në vendin e 38. Bosnje e Hercegovina nga pozita 64, tani është në 81, ndërkaq Mali i Zi ka rënë për një vend, nga 39 në 40.