Vihet në pikëpyetje projekt-buxheti 2019

Me debate dhe mospajtime ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar projektligjin për buxhetin e vitit 2019 të prezantuar nga Qeveria.

Projektbuxheti i parashikuar për vitin 2019 është 2.3 miliardë euro. Nga kjo shifër, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.

Gjatë prezantimit, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, tha se me këtë buxhet, rritja ekonomike do të arrijë deri në 4.7 për qind.

Sipas tij, prioritet ky projektbuxhet i jep sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Në bazë të prezantimit është vërejtur edhe rritje e skemave sociale.

“Ky propozim-buxhet ofron më të mirat për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh nga kufizimet që na imponohen, nga shumë faktorë të brendshëm dhe faktorë të jashtëm. Ky propozim-buxhet është në linjë me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë duke respektuar rregullën e deficitit buxhetor, rregullën mbi pagat dhe projektuar në nivel adekuat të bilancit bankar”, tha Hamza.

SHIKONI EDHE: Skemat që rrezikojnë buxhetin e Kosovës

Projektbuxheti është përkrahur nga partitë në pushtet, kurse është kritikuar për mangësi të shumta dhe orientim të gabuar të mjeteve nga partitë opozitare, të cilat janë deklaruar se nuk do ta mbështesin në parim projektligjin e propozuar.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë cilësuar projektimin e buxhetit për vitin e ardhshëm nga ana e Qeverisë si buxhet social dhe jo zhvillimor dhe për këtë arsye, thanë se nuk e mbështesin atë.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës në pamundësi të hapjes së vendeve të reja të punës, e ka shndërruar atë në buxhet të blerjes së paqes sociale në vend.

Lumir Abdixhiku nga ky subjekt politik, tha se ky projektbuxhet e devalvon programin qeverisës pasi, sipas tij, rritja ekonomike në programin qeverisës është proklamuar deri në 8 për qind.

SHIKONI EDHE: Nga ndërtimi i autostradave në rritje të skemave sociale

Vërejtja tjetër, siç tha ai, është diskrepanca e madhe në mes të të hyrave dhe shpenzimeve. Ky buxhet, nënvizoi ai, e përgjysmon progresin në shëndetësi, arsim dhe fusha tjera.

“Për herë të parë në historinë e buxhetit të konsoliduar e deri më sot, kategoria e mbrojtjes sociale është kategoria me pjesëmarrjen më të madhe në buxhet. Plot 21 për qind e buxhetit të vendit apo 465 milionë euro të buxhetit shkojnë për mbrojtje sociale. Për herë të parë kjo kategori e tejkalon kategorinë e zhvillimit ekonomik. Vetëm këtë vit 88 milionë euro shtohen në këtë kategori. Janë 22 skema sociale aktive në vend dhe të tjera plot në ardhje, të cilat nuk janë parashikuar në këtë buxhet”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, pos tjerash tha se vërehet rritje e skemave sociale dhe rritje e shpenzimeve buxhetore.

Sipas tij, ky buxhet plotëson nevojat e qeveritarëve, po jo edhe të qytetarëve. Në këtë kuadër, ai ka përmendur numrin e madh të të punësuarëve në zyrën e kryeministrit dhe shpenzimet e mëdha që nevojiten për këtë zyre.

Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo zhvillimit socio – ekonomik. Është buxhet i shtimit të borxhit publik jo produktiv dhe deficitit buxhetor e që do të gërryejë edhe Fondin e Privatizimit. Numrat e buxhetit janë problematik, sepse korniza makro-ekonomi, makrofiskale është e gabuar”, tha Kurti

Kurse, Dardan Sejdiu, deputet nga Partia Socialdemokrate, paraqiti disa argumente pse kjo parti nuk e mbështet në formën e paraqitur buxhetin për vitin e ardhshëm. Orientimi i buxhetit, sipas tij, është fokusuar në infrastrukturë rrugore, skema sociale dhe jo në zhvillim ekonomik pasi deficiti tregtar vazhdon të mbetet në proporcion 10 më 1 në favor të importit, e ky fakt tha ai, në buxhet nuk paraqitet me ndonjë zgjidhje konkrete.

“Ky buxhet, sipas PSD-së, është një buxhet, i cili vazhdon avazin e vjetër për trajtimin dhe akomodimin e nevojave të qeverive. Dhe, normalisht, ka shumë vend për sugjerim dhe kritikë. Por, gjithsesi, si konstrukt është i njëjti që kemi parë që 18 vite, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet. Dhe në fund fare mund të konstatojmë se më kësi lloji buxheti ekonomia përfundon këtu qysh është sot, pasi për 18 vite po e provojmë të njëjtën recetë dhe për 18 vjet, 350 mijë njerëz janë në marrëdhënie pune” shprehet Sejdiu.

Ndërkohë, që pritet të shihet rezultati i votimit në parim për projektligjin për buxhetin, seanca e Kuvendit do të vazhdojë të premten nga ora 11:00.

Nëse buxheti nuk votohet, sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri më 20 dhjetor, vendi mund të shkojë në krizë buxhetore. Atëherë, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti.