Njohësit e çështjeve ekonomike janë pajtuar me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka këshilluar Qeverinë që të ketë kujdes në menaxhimin e mjeteve buxhetore.
FMN ka pasur vërejtje me rritjen e skemave sociale dhe pagesat për veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të planifikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të ketë kujdes me menaxhimin e mjeteve buxhetore. Vërejtjet kryesore të FMN-së ndërlidhen me rritjen e skemave sociale dhe pagesat për veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të planifikuara me buxhetin e vitit 2019.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2019, i cili parashihet të arrijë shifrën e 2,3 miliardë euro dhe i cili parash rritje të shumës për pagesën e skemave sociale.
Në një deklaratë përmbyllëse të këtij Fondi, thuhet se institucionet e Kosovës duhet të procedojnë masat për frenimin e presioneve të shpenzimeve.
“Kjo përfshin reformat e përfitimeve për veteranët e luftës dhe invalidëve të luftës, futjen e skemave të pensionimit të parakohshëm për grupe të caktuara, përfitimet për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, shtesat e fëmijëve, por edhe çdo rritje e pensioneve”, thekson FMN, duke i cilësuar këto politika financiare të Qeverisë së Kosovës si të pamatura.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike pajtohen me deklaratat e Fondit Monetar, duke shtuar se shpenzimi për skema sociale rrezikon stabilitetin financiar dhe likuiditetin buxhetor të Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky subjekt ekonomik vazhdimisht ka kërkuar që buxheti i Kosovës të ketë komponentë zhvillimorë dhe sa më pak komponentë socialë.
“Rritja e skemave zhvillimore do të ketë ndikimet e veta edhe në adresimin e çështjeve sociale. Ndërsa, nëse adresohet vetëm pjesa sociale dhe nuk adresohen çështjet që janë në interes për zhvillim, atëherë ne krijojmë barrë të madhe sociale për të gjithë kontributdhënësit, por në të njëjtën kohë edhe e ngadalësojnë zhvillimin ekonomik”, shprehet Rukiqi.
Ndërkaq, eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi thotë se me përjashtim të vendimit për rritjen e pensioneve, të gjitha skemat tjera sociale janë të paarsyeshme dhe të panevojshme.
“Sa i përket skemave sociale për të cilat flet FMN-ja edhe ne kemi vërejtjet tona, për arsye se rritja e pakontrolluar e skemave sociale është barrë për ekonominë e Kosovës që nuk mund të përballojë në një periudhë afat gjate. Kosova ka Bruto Produktin Vendor rreth 6 miliardë euro dhe me kaq skema të mëdha financiare, ne do të kemi shumë vështirë që të mbajmë trendin e rritjes ekonomike edhe në vazhdim”, shprehet Gashi.
Gashi shpreh shqetësimin se mosharmonizimi i Qeverisë së Kosovës me këtë institucion financiar ndërkombëtar, (FMN-në) mund të përcillet me pasoja afatgjate për ekonominë e vendit.
Ai kujton kur Fondi Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2011 kishte anuluar një program paraprak me Qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.
“Në rast të rrezikimit të qëndrimit të statusit stand-by, atëherë kushtëzohen jo vetëm fondet e FMN-së dhe Bankës Botërore, mirëpo kushtëzohen edhe fondet e Komisionit Evropian, i cili vazhdimisht i bën thirrje institucioneve të Kosovës që të qëndrojnë brenda programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mosqëndrimi i Kosovës në këtë program, pasojat për ekonominë dhe vendin do të jenë shumë afat gjate dhe të paparashikueshme”, thekson Gashi.
Ndryshe, numri i kategorive sociale në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje. Vetëm në këtë vit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale planifikon të shpenzojë mbi 350 milionë euro për kategori të shumta sociale në vend.
Por, më buxhetin e vitit 2019 kjo vlerë do të rritet, pasi, Qeveria e Kosovës tashmë ka paralajmëruar se nga janari i vitit të ardhshëm do të rriten pensionet bazë dhe ato kontributdhënëse.
Kuvendi i Kosovës, ndërkaq gjatë këtij viti ka miratuar në parim Projektligjin për Statusin e Punëtorëve në Arsim të Viteve të 90-ta, që buxhetit të vitit 2019 do t’i kushtojë 6.6 milionë euro.
Po ashtu nga viti tjetër planifikohet të instalohet edhe sistemin e shtesave për fëmijë.