“Nuk është problemi me njerëzit, mendoj se politika dhe politikanët i kanë bërë problemet shumë të mëdha, por shpresoj që në të ardhmen do të kemi më shumë bashkëpunim midis rinisë shqiptare dhe serbe”. Kështu thotë Milena Beran në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, studiues e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Beograd. Ajo thotë po ashtu se nuk ka shumë diferenca të mëdha mes kulturës dhe traditës ndërmjet popujve.
Radio Evropa e Lirë: A është hera e parë që ju merrni pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, apo keni qenë edhe herëve të tjera?
Milena Beran: Është hera e dytë për mua. Kam qenë edhe vitin e kaluar. Tash jam në nivelin e tretë dhe duhet të mësoj më shumë gramatikën dhe fjalë në gjuhën shqipe. Vitin e kaluar kam qenë në nivelin e dytë, dhe ky nivel më ka ndihmuar shumë. Kam filluar të flas gjuhën shqipe vitin e kaluar këtu, pikërisht në seminar.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë temat për të cilat më shumë keni interesim të dini dhe të mësoni?
Milena Beran: Tani interesohem shumë për kulturën dhe traditën shqiptare dhe mendoj se është një gjë interesante për mua. Dua të them se nuk jemi shumë të ndryshëm, sa besojmë se jemi të ndryshëm. Mendoj se kemi pak diferenca, por nuk jemi shumë larg nga njëri-tjetri, pra e kam fjalën për kulturën dhe traditën.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë keni mësuar gjatë këtyre ditëve, apo diçka që nuk keni ditur më herët për gjuhën shqipe?
Milena Beran: Është gramatika sepse kam problem me gramatikën dhe sintaksën. Mendoj se gjuha shqipe nuk është e lehtë, duhet të mësosh shumë e të studiosh shumë, të punosh shumë, që të kesh mundësi të flasësh një shqipe të rrjedhshme. Mendoj se fakti që jam këtu në Kosovë dhe që flas me njerëzit kudo në rrugë, në dyqane ose kudo edhe në seminar, është shumë mirë për mua dhe ndihem shumë mirë këtu.
Radio Evropa e Lirë: Çka ju ka bërë përshtypje këtë herë në Kosovë, në krahasim me të kaluarën?
Milena Beran: Nuk kam një përshtypje të re apo ndryshe nga hera e parë. Nuk kam asnjë problem, ndihem shumë mirë me kosovarët edhe me Kosovën. Përshtypja më e madhe tash për mua është se njerëzit në rrugë duan të flasin gjuhen serbe me mua. Kur më dëgjojnë mua kur unë flas diçka me shoqet dhe njerëzit që nuk i njoh unë, kthehen dhe më thonë “a ti je nga Serbia se ti flet serbisht?... a dua të flas me ty sepse e kam harruar gjuhën nuk dua të harroj”. Është diçka e mrekullueshme. Është diçka që nuk e kam pritur nga njerëzit këtu.
Radio Evropa e Lirë: Para se të vini në Kosovë herën e parë çfarë përshtypje keni pasur?
Milena Beran: Hera e parë për mua në Kosovë, pas konfliktit ishte pak me ankth. Nuk isha kaq e lirë sa jam sot sepse nuk e dija çfarë do të bëhet këtu dhe si janë njerëzit këtu sepse dua të them se edhe ne që jemi në Serbi, edhe ju që jeni në Kosovë ose në Shqipëri, jemi rritur me mediat që nuk flasin mirë për njëri-tjetrin.
Për shembull, imazhi i shqiptarëve në Serbi nuk është i mirë dhe imazhi i serbëve në Kosovë ose në Shqipëri nuk është i mirë dhe kisha frikë, kisha pak frikë dhe familja ime kishte frikë, po tani është shumë mirë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem.
Radio Evropa e Lirë: Ju vini nga Serbia, jetoni në Beograd. A ndiheni ndonjëherë në siklet, pasi vendi nga vini ju nuk e ka njohur Kosovën si shtet?
Milena Beran: Më vjen shumë keq edhe për konfliktet që kishim në të kaluarën. Më vjen shumë keq edhe për gjërat që po ndodhin edhe sot, që nuk janë të mira, dhe shpresoj që do të kemi një mundësi në të ardhmen që të bëhemi një shoqëri e mirë në Ballkan, pa konflikt, pa paragjykime sepse mendoj që ne mund të bëhemi shokë dhe shoqe sepse jam mike me shumë njerëz këtu. Mendoj se nuk është problemi me njerëzit, mendoj se politika dhe politikanët i kanë bërë problemet shumë të mëdha, por shpresoj që në të ardhmen do të kemi më shumë bashkëpunim midis rinisë shqiptare dhe serbe. Është e nevojshme, është diçka që duhet bërë.
Radio Evropa e Lirë: A ka paragjykime për bashkëvendësit tuaj, për gjuhën që ju studioni, për gjuhën shqipe?
Milena Beran: Po, patjetër, sigurisht që ka. Kur unë fillova të studioj gjuhën shqipe, nëna ime ishte e kënaqur, nuk kishte paragjykime. E kuptoi që unë e dua gjuhën shqipe dhe duhet të mësoj më shumë dhe duhet të lexoj, por vëllai im, i cili është më i vogël se unë dhe nuk e kuptonte pse pikërisht dua ta studioj gjuhën shqipe. Por, tani kur do të filloj vitin e katërt në tetor, vëllai im është shumë krenar me mua dhe gjithmonë u thotë shokëve të tij që motra ime studion gjuhën shqipe dhe është shumë e guximshme. Situata nuk është sikurse ne kemi dëgjuar në televizion ose diku tjetër. Mendoj se me mua, me eksperiencën time edhe familja ime po ndryshon, po i ndryshojnë mendimet. Për shembull, vitin e kaluar kam bërë pushime në Ulqin me familjen time dhe ishte shumë mirë. Nëna ime gëzohej, nuk kishim asnjë problem dhe tani po përpiqemi të shkojmë në Shqipëri, të bëjmë pushime atje dhe pse jo.