Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë të hënën se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe që shteti ka bërë shumë kompromise dhe hapa që dëshmojnë përkushtimin e vendit në këtë drejtim.
Ai i ka bërë këto deklarata në Samitin e 20-të Evropian, të mbajtur të Salsburg të Austrisë, kushtuar të ardhmes dhe reformave të BE-së.
“E ardhmja e rajonit është në transformimin ekonomik dhe politik dhe në lidhjen e ndërsjellë. Ne po luftojmë që kompanitë maqedonase të dalin përtej kufijve, të ndihmojnë eksportet dhe të tërheqin kapital të huaj. Deri më tani në këtë periudhë të shkurtër kemi treguar rezultate dhe së bashku do të bëjmë shumë më tepër”, ka thënë Mickoski në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se pas takimeve me zyrtarë evropianë dhe vetë shefen e BE-së, Ursula von der Leyen, do të bëjë një “analizë të hollësishme” dhe do t’i kërkojë më pas BE-së që të zhbllokohet procesi integrues i Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian.
“Bashkëbiseduesve ua përcolla përkushtimet dhe synimet tona drejt rrugës evropiane të Maqedonisë [së Veriut]. Evropa duhet t’i hapë dyert për vendet që bëjnë hapa përpara”, ka thënë Mickoski.
Zhbllokimi i procesit integrues pritet të jetë një nga temat e diskutimit gjatë takimit mes kryeministrit maqedonas dhe shefes së BE-së, e cila do të vizitojë të enjten Shkupin, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor.
SHIKONI EDHE: Me raportet e progresit, Komisioni Evropian synon përshpejtimin e zgjerimitMinistri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, beson se ekziston hapësirë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të zhbllokonte procesin eurointegrues.
“Edhe më tej do të këmbëngulim që të sigurojmë procesin nga fillimi e deri në mbarimin e negociatave, për shkak se sipas nesh ekzistojnë hapësira të caktuara ku tani shohim se ka potencial për bllokada nga Bullgaria”, ka thënë të hënën Murtezani, duke nënvizuar se pushteti është i gatshëm për ndryshimin e Kushtetuës, por po punon në një zgjidhje me të cilën edhe nëse ndryshohet Kushtetuta, procesi integrues të mos bllokohet përsëri.
Ndërkohë që Qeveria thekson se ekziston hapësirë për përmirësimin e pozitës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane, opozita ka kërkuar sqarime rreth mbështetjes së BE-së për ndryshimet kushtetuese.
“Ose nuk e tregon të vërtetën (ai – Mickoski) ose nuk ka asnjë plan. Në atë kontekst ishte thirrja jonë që të organizohet seancë në Kuvend ku kryeministri dhe Qeveria do të tregojnë se si është plani për eurointegrimet”, ka deklaruar të hënën deputeti dhe lideri i partisë opozitare maqedonase të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) Venko Filipçe.
Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse bëhen ato ndryshime, zbatimi i tyre të zgjatet.
Kjo ide është përjashtuar nga Bashkimi Evropian.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë qenë në ritmin e njëjtë për integrimet evropiane deri javë më parë, kur Tirana është shkëputur nga pakoja, dhe i ka hapur kapitujt e parë.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar për t’u bërë pjesë e këtij blloku.