Barrikada e vendosur në territorin e Serbisë në rrugën që shpie në Merdare.
Një tjetër pamje nga barrikada e vendosur nga serbët në rrugën që çon kah pika e kalimit kufitar me Kosovën, Merdare.
Në barrikadën e vendosur në rrugë shihet edhe një grup qytetarësh serbë.
Pije e ushqime shihen në një ulëse të improvizuar pranë barrikadës në territorin e Serbisë.
Kjo barrikadë u vendos më 27 dhjetor brenda territorit të Serbisë, rreth 2 kilometra nga Merdarja.
Pika e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdare, më 28 dhjetor 2022.
Rruga pa automjete afër pikës së kalimit kufitar në Merdare. Në anën serbe të Merdares, sipas autoriteteve të Kosovës, janë vendosur barrikada për rreth dy kilometra para arritjes në këtë pikë kufitare.
Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Policia e Kosovës tha se bllokimi i Merdares është “i kundërligjshëm” dhe po pamundëson lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Merdare, 28 dhjetor 2022.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), tha se “grupet kriminale serbe” bllokuan kufirin në Merdare dhe ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të diasporës që t'i shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për të arritur në Kosovë.
Që prej kur janë vendosur barrikadat 19 ditë më parë, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
MPJD udhëzon qytetarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut - pikëkalimi kufitar i Preshevës - përmes Shkupit.
Pika e kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim si pasojë e vendosjes së barrikadës në rrugë, rreth dy kilometra brenda territorit të Serbisë. Radio Evropa e Lirë ju sjell pamje nga të dy anët e pikës kufitare të Merdares.