Me platformë, por pa unitet në dialog

Presidenti Hashim Thaçi, dhe bashkëkryesuesit e Ekipit negociator Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti (Foto nga arkivi).

Përderisa Platforma e Kosovës për bisedime me Serbinë, pritet që së shpejti të jetë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për miratim, polarizimet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Ekipit negociator, janë duke vazhduar përmes deklaratave që paraqesin qëndrime krejtësisht të kundërta lidhur me qasjen që, sipas tyre, do ta ketë Kosova në negociatat me Serbinë.

Qëndrimet e kundërta shpërfaqen veçanërisht për çështjen e ndryshimit të kufijve. Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Platforma e Kosovës për bisedime me Serbinë, është një pikë fillestare e negocimit.

SHIKONI EDHE: Çfarë marrëveshje po synon Kosova në dialogun me Serbinë?

Kjo platformë e artikulon çështjen e sovranitetit dhe mbrojtjes së rendit juridik të Kosovës dhe bazat ligjore, mbi të cilat është shpallur pavarësia e vendit, por megjithatë, nuk ekziston kurrfarë garancie juridike që për çështjen e kufijve nuk do të diskutohet në negociatat me Serbinë në Bruksel. Në këtë pikë, sipas tij, qëndron edhe problemi i polarizimit ndërmjet presidentit dhe Ekipit negociator.

“Tani mendoj që është edhe problemi në mes të palëve, ndërmjet presidentit dhe Ekipit negociator. Si problematikë është ndërlidhur edhe me krizën e përgjithshme qeveritare. Në një kohë kur flitet për mundësinë e ndryshimit të qeverisë, por edhe të formulës së përfaqësimit - në rast se futet Lidhja Demokratike e Kosovës në Qeveri, siç ka kërkuar ajo, që të jetë një qeveri gjithëpërfshirëse, por edhe të ndryshohet formula e përfaqësimit në dialog - atëherë kjo ka rol në procesin e mëtutjeshëm. Kështu që, këto mospajtimet e tanishme, në njëfarë forme edhe nuk kanë peshë në një kohë kur dialogu është i bllokuar nga (kryeministri Ramush) Haradinaj, pikë së pari”, thekson Maliqi.

SHIKONI EDHE: Pritjet për marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi, përtej realitetit 

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që në kuadër të Platformës ishte dashur të jetë një pikë, e cila do ta specifikonte qartë që asnjë institucion qendror kushtetues nuk mund ta ketë objekt diskutimi territorin e Kosovës, në mënyrë që të eliminohet dilema për një gjë të tillë.

“Vetë ekipi ynë, presidenti, si shef i shtetit dhe delegacioni shtetëror, janë me qëndrime të polarizuara. Në një paradite, dikush thotë që ‘duhet të ketë një korrigjim të lehtë (të kufirit), e pasdite dikush tjetër thotë ‘jo, sepse territori nuk do të jetë objekt diskutimi’ dhe në anën tjetër, afër gjysma e deputetëve shqiptarë nuk janë pjesë e këtij procesi. Kjo është një lloj tallje. Nuk bën që në procese kaq të ndjeshme dhe kaq vitale për shtetësinë e këtij vendi dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë, që të luhet në këtë mënyrë”, thotë Kryeziu.

Ai shton se vendi ka dy alternativa para se të shkojë në tavolinën e negociatave me Serbinë: të ndërtohet një konsensus i gjerë i partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës ose partitë të shkojnë drejt zgjedhjeve që do ta kenë legjitimitetin e qytetarëve për ofertat e tyre.

Aktualisht, sipas njohësve të zhvillimeve politike, në rast se Kosova do t’u qasej në këtë moment negociatave me Serbinë, do të ishte në pozitë të pafavorshme.

Analisti Maliqi shpreh mendimin se mungesa e një pozicioni të përbashkët të presidentit të vendit dhe Ekipit negociator, e bën pozicionin dialogues të Kosovës tejet të palakmueshëm.

“Kjo, besoj që do të jetë një vështirësi, me të cilën do të përballemi menjëherë, sapo dialogu të rifillojë. Prandaj, mendoj që ndoshta do të jetë shumë e rëndësishme që ky zhbllokimi i dialogut dhe që sillet rreth taksës (për produktet e importuara nga Serbia), të provojë ndoshta një gjithëpërfshirje më të madhe ose edhe një konsensus të ri në lidhje me parimet e dialogut”, shprehet Maliqi.

SHIKONI EDHE: Haziri: LDK-ja hyn në Qeveri vetëm me rolin prijës dhe me gjithëpërfshirje

Por, Kryeziu vlerëson që mospajtimet në qëndrime ndërmjet presidentit dhe Ekipit negociator, do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Ajo që po e shohim është që ligji, që e rregullon këtë punë, thotë në një pjesë të saj, që nuk është vetëm Delegacioni shtetëror autoriteti i vetëm për të negociuar, por ‘në bashkërendim me institucionet tjera kushtetuese’. E thotë vetë projektligji. Atëherë i bie që institucion kushtetues është edhe presidenti. Kështu që në këtë rast po shihet që nuk është qëndrim i njëzëshëm i faktorit të Kosovës në këto bisedime. Kjo nuk na bën mirë, sepse nuk jemi unikë dhe në tryezën e bisedimeve na defaktorizon dhe na bën më të dobët”, vlerëson Kryeziu.

Presidenti Thaçi ditë më parë ka deklaruar se idenë për korrigjimin e kufirit e ka marrë nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke u ndërlidhur me këtë deklaratë, Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka thënë se askush zyrtarisht nuk e ka bërë një kërkesë në Bruksel për të shtruar një temë të tillë.

Ahmeti ka theksuar se Ekipi negociator në dialogun me Serbinë, do “njohje nga Serbia në kufijtë ekzistues”.