“Ngritje pa kontroll e çmimeve”, “Çmimi i bukës në rritje”, “Çmimet e patundshmërive shkojnë në qiell”...
Këta dhe tituj të ngjashëm mund të lexoheshin shpesh në ballinat e mediave në Kosovë, sidomos nga fillimi i vitit 2022 e këndej.
Atëkohë, Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe konflikti mes tyre - që të dyja eksportuese të mëdha të produkteve në botë - shkaktoi rritje të inflacionit - apo të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve - gjetiu.
Kosova, si vend importues i shumicës së produkteve, nuk mbeti e paprekur. Vitin 2022 e mbylli me normë mesatare të inflacionit rreth 12 për qind. Më 2023 dhe këtë vit, inflacioni shkoi duke rënë në numra njëshifrorë, por jo edhe çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të konsumit.
SHIKONI EDHE: “Dal në treg e kthehem me duar në xhepa”: A i kontrollon kush çmimet?Të mërkurën e 25 shtatorit, REL-i publikoi një tabelë krahasuese të inflacionit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së e Eurozonës.
Shifrat e siguruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e nxorën vendin me inflacionin më të ulët në gusht - 1.4 për qind - që është më pak se edhe mesatarja e BE-së, edhe e Eurozonës.
Për krahasim, inflacioni në gushtin e vitit 2023 ishte 3.2 për qind.
Autoritetet e Kosovës i trumbetuan shifrat si sukses të tyrin.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, listoi në Facebook një sërë masash që tha se i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, në mënyrë që ndikimi i rritjes së çmimeve në nivel global të ishte sa më i përballueshëm.
“Nuk ka asnjë qeveri në rajon që ka ndërmarrë kaq shumë masa për mbështetjen e qytetarëve e bizneseve, për të përballuar inflacionin. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare të Eurostat-it dhe të agjencive përkatëse të statistikave”, shkroi Murati në Facebook.
Shifrat për Kosovën i shpërndau edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, por ajo ia atribuoi ato Eurostat-it - agjencisë së statistikave të BE-së - dhe jo ASK-së.
Kjo nxiti reagimin e disa kritikëve në rrjetet sociale.
“Ministrja abuzon me një institucion të BE-së”, shkroi në Facebook Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, shpreh mosbesim ndaj shifrës 1.4% inflacion.
“Qytetarët jetojnë më keq, sepse çdo gjë kushton më shumë, ndërsa pagat kanë mbetur njëjtë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Prej vitit 2021 deri më sot, çmimi i miellit është rritur për 52 për qind, çmimi i bukës për 48%, çmimi i qumështit për 37%...”, shton Bajrami.
“Çmime dyfish”
REL-i kërkoi komente edhe nga disa qytetarë në Prishtinë për çmimet në treg.
Për Nysret Ahmetin, inflacioni është shumë më i lartë se shifra e ASK-së prej 1.4%.
“Këtë e shohim në furnizimet e përditshme, në ushqime, në veshmbathje... Nëse i krahasojmë ushqimet, për shembull - tash është sezoni kur ne kemi qejf të konservojmë turshi - [çmimet] janë dyfish më të larta se vitin e kaluar”, thotë juristi në pension.
SHIKONI EDHE: Perimet për turshi, “të paprekshme”“Jam duke shpenzuar dyfish më shumë në disa produkte të caktuara, krahasuar me shumën që kam shpenzuar para një viti”, thotë Rita Mulaj, punonjëse në marketing.
“Merr qumësht, varësisht prej llojit, ke ngritje goxha të madhe të çmimit. Ujin kur duhet ta blesh, apo të gjitha produktet që nuk bën pa to... ato të higjienës... e vërej që kanë ngritje të madhe [çmimesh]”, shton ajo.
Edhe Albatrit Matoshi, i cili punon në njërin prej institucioneve të Kosovës, thotë se produktet ushqimore janë shumë më shtrenjtë, krahasuar me vitin e kaluar.
“Mund të them se çfarë kemi blerë më herët me 200 euro - harxhin mujor - sot nuk mund ta marrësh ndoshta as me 300 euro. Jetesa jonë është shtrenjtuar dhe nëse nuk dimë ta menaxhojmë paranë, e kemi problem ta lidhim muajin me muaj”, thotë Matoshi.
Paga mesatare në Kosovë është rreth 520 euro, ndërsa minimalja nga 1 tetori pritet të jetë 350 euro.
E pandryshuar nga viti 2011, vlera e minimales aktualisht është 130-170 euro.
Çka thonë ekspertët?
Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se është paradoksale që inflacioni në Kosovë - vend që përdor euron - të jetë më i ulët se në vendet e Eurozonës.
“Besoj se mund të ketë ndonjë gabim në përllogaritje ose ndonjë vonesë të përllogaritjes së shportës, çmimeve të produkteve...”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se inflacioni ka rënë krahasuar me kulmin e vitit 2022, por thotë se një gjë e tillë është rezultat i rënies së çmimeve në tregjet botërore.
SHIKONI EDHE: E vërteta e rritjes ekonomike“Ky inflacion i ulët nuk është rezultat i politikave ekonomike të Qeverisë aktuale, por është rezultat i stabilizimit të çmimeve në bursat botërore. Inflacioni është i importuar”, sipas Bektashit.
Rënia e inflacionit nuk do të thotë edhe rënie e çmimeve, por nënkupton se çmimet rriten më ngadalë. Vetëm herë pas here ato mund të bien pak në krahasim me muajin paraprak.
“Në shumicën e tregjeve, përfshirë edhe Kosovën, nuk kemi rikthimin e çmimeve të vjetra, ndonëse ato çmime janë ulur në bursa. Merreni çmimin e vajit, të bukës, të shumë produkteve esenciale... të cilat faktikisht kanë mbetur nga periudha kur inflacioni ka qenë dyshifror”, thotë Bektashi.
Kosova importon gati të gjitha produktet nga vendet e rajonit, të BE-së dhe më larg.
Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh - duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore - ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove - më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.
Sipas të dhënave të ASK-së, importi i mallrave në gusht kishte vlerën e 582 milionë eurove, ndërsa eksporti 83.5 milionë euro.
“Dhe, përderisa norma e inflacionit mbetet ende e lartë edhe në vendet nga të cilat importon Kosova, atëherë mund të themi se në fund të këtij viti do të kemi një inflacion prej rreth 3%”, thotë ish- guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, për Radion Evropa e Lirë.