Reuters
Tufa e parë me avionët luftarakë F-16, prodhim amerikan, do të mbërrijë së shpejti në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda. Ata do të fluturojnë mbi qiejt ukrainas këtë verë, tha të mërkurën sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Kohëzgjatja e procesit, nga prokurimi i avionëve luftarakë dhe trajnimi i pilotëve ukrainas e deri te fluturimi i tyre, e ka zemëruar Kievin.
Rusia ka pasur kohë për ta përgatitur mbrojtjen në përpjekje për ta asgjësuar ndikimin e avionëve F-16, ndërkohë që Ukrainës i është dashur të mbijetojë me një mbrojtje të dobët ajrore, e cila është shumë më e vogël sesa mbrojtja ajrore e sofistikuar e armikut.
SHIKONI EDHE: Anëtarët e NATO-s i premtojnë Ukrainës avionë luftarakë dhe ndihmë shtesëMë poshtë mund t’i lexoni disa fakte për mënyrën se si avionët F-16 mund ta ndihmojnë Ukrainën dhe për pengesat me të cilat përballet ajo për përdorimin e tyre.
Ndikimi i mundshëm
Disa analistë thonë se vetëm avionët F-16 nuk do të dëshmohen si pikë kthese në luftën pushtuese që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.
“Duhet ta ndani simbolizmin nga ndikimi i mirëfilltë në fushëbetejë – i cili do të jetë i dobishëm por i thjeshtë, posaçërisht në fillim”, tha Mark Cancian, këshilltar i lartë për Programin e Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Serhii Kuzan, kryetar i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim, një grup hulumtues joqeveritar, tha se nevojiten së paku 60 avionë për operacione të mëdha në përpjekjet e Ukrainës për ta zmbrapsur aviacionin rus matanë kufijve të vet.
Ligjvënësja Oleksandra Ustinova, e cila e udhëheq komisionin parlamentar të Kievit për armët dhe municionet, tha se Ukraina ka nevojë për gati 120 avionë F-16, për ta forcat dukshëm mbrojtjen ajrore.
Derisa pilotët fitojnë përvojë në qiejt ukrainas dhe ushtria ndërton infrastrukturën ajrore, dërgesat e para mund ta ndihmojnë Ukrainën së paku ta forcojë mbrojtjen e vet ajrore, thonë ekspertët.
SHIKONI EDHE: Zelensky thotë se Ukrainës i duhen më shumë avionë F-16“Do të ofrojnë paksa mbrojtje ajrore dhe, mbase, do të ndihmojnë për t’u mbrojtur kundër Shahedëve [dronëve të prodhimit iranianë] dhe kundër raketave lundruese”, tha Justin Bronk, hulumtues i lartë i teknonologjisë dhe fuqisë ajrore në Royal United Services Institute (RUSI).
Ushtria ukrainase ka punuar fort për ta kufizuar kërcënimin ndaj avionëve F-16 në muajt e fundit, duke i sulmuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë, sipas Kuzanit.
“Formimi i fushëbetejës, posaçërisht në jug, është duke ndodhur tashmë. Ukraina ka armë për ta sulmuar vazhdimisht mbrojtjen kryesore ajrore të Rusisë”, tha ai.
Pilotët dhe mirëmbajtja
Trajnimet do të jenë vendimtare.
“Mund të kesh shumë avionë luftarakë të shpejtë, por nëse ata nuk kanë armë efektive dhe ekuipazh për t’i përdorur ata me taktika efektive, atëherë ata do të rrëzohen me shumicë”, tha Bronk.
Kohëzgjatja e trajnimit të pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve F-16 ka qenë tema kryesore e bisedimeve për dërgimin e më shumë se 70 avionëve luftarakë që i janë premtuar Ukrainës.
Deri në fund të këtij viti, Ukraina pret t’i ketë së paku 20 pilotë të gatshëm për t’i fluturuar avionët F-16, thotë Ustinova.
Sipas saj, në fillim Ukraina do të ketë më shumë avionë F-16 sesa pilotë të kualifikuar.
SHIKONI EDHE: Pilotët ukrainas i nisin stërvitjet në SHBA“Nuk është në rregull të presim në radhë për 10 vjet derisa pilotët tanë të jenë të trajnuar”, shtoi ajo.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se pyetet për trajnimet duhet t’i drejtohen Ukrainës dhe kanë theksuar se pilotët mund të stërviten edhe në Evropë. Megjithatë, Bronk tha se kapacitetet e NATO-s janë të mbingarkuara tashmë.
Ai shtoi se mirëmbajtja e avionëve është sfidë edhe më e madhe sesa trajnimi i pilotëve.
Ai theksoi se shumica e mirëmbajtjes dhe ndreqjeve duhet të kryen brenda Ukrainës dhe se asaj mbase do t’i duhet të varet nga kompani të huaja që e njohin këtë lloj avioni.
Bazat ajrore të kërcënuara
Rusia i ka rritur tashmë sulmet ajrore në infrastrukturën e cila mund të përdoret për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e avionëve F-16, sipas disa ekspertëve.
“Rusia po i sulmon të gjitha fushat ajrore, bazat e mundshme të avionëve F-16, çdo ditë, dhe po tenton t’i dëmtojë pistat ajrore dhe infrastrukturën. Këto sulme nuk kanë pushuar në dy muajt e fundit”, tha Kuzan.
Objektivat do të bëhen edhe më të cenueshme kur të mbërrijnë avionët, pilotët dhe ekipet mirëmbajtëse.
SHIKONI EDHE: Putin thotë se Rusia s’do ta sulmojë NATO-n, por do t’i rrëzojë F16-shat në UkrainëKjo me gjasë do ta detyrojë Ukrainën të vendosë kundërajrorë për t’i mbrojtur ata, edhe pse ajo përballet me mungesë kundërajrorësh dhe municionesh për ta.
“Ne duhet ta pranojmë faktin se fushat ajrore do të jenë të mbrojtura shumë mirë kur të sulmohen objektivat civile”, tha Kuzan, duke shtuar se çdo bazë do të ketë nevojë për së paku dy kundërajrorë Patriot dhe dy bateri NASAMS, për t’u mbrojtur.
“Sapo t’i përforcojmë aftësitë tona luftarake, ne do t’i zmbrapsim avionët luftarakë të tyre dhe terrori do të marrë fund. Por, dy muajt e parë do të jetë vërtet të vështirë”, shtoi Kuzan.