Ndërlidhjet

Anëtarët e NATO-s i premtojnë Ukrainës avionë luftarakë dhe ndihmë shtesë


Presidenti amerikan, Joe Biden (djathtas) ia prezanton sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Medaljen Presidenciale për Liri, në 75-vjetorin e NATO-s, në Uashington, 9 korrik.
Presidenti amerikan, Joe Biden (djathtas) ia prezanton sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Medaljen Presidenciale për Liri, në 75-vjetorin e NATO-s, në Uashington, 9 korrik.

Liderët e NATO-s, të mbledhur në Uashington për një samit historik, janë zotuar se do ta rrisin mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, derisa Shtetet e Bashkuara thonë se avionët luftarakë F-16 janë rrugës për në Kiev.

Ndërkohë, në draftin e komunikatës së samitit, e cila është duke u përgatitur, thuhet se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO është “e pakthyeshme”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se “derisa ne po flasim, dërgimi i avionëve F-16 ka filluar nga Danimarka, nga Holanda”.

Kjo u konfirmua edhe nga një deklaratë e përbashkët e këtyre dy vendeve, ndërsa avionët luftarakë pritet të mbërrijnë gjatë kësaj vere.

“Kjo është shenjë e qartë se aftësitë e Rusisë për t’i tmerruar popullin, qytetet dhe komunitetet ukrainase do të vazhdojnë të zbehen”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

"Më të fortë se kurrë": Biden lavdëron NATO-n në 75-vjetorin e saj
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Aleanca pritet të diskutojë një propozim të shefit të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg, për ta ndihmuar ushtarakisht Ukrainën me 40 miliardë euro për vitin e ardhshëm, pasi vendet anëtare nuk ia dolën të pajtohen për një paketë shumëvjeçare me ndihma ushtarake për Ukrainën që Stoltenberg e kishte propozuar.

Derisa Zelensky nuk do ta marrë ftesën e plotë për anëtarësim në NATO, për të cilën ai ka bërë shumë trysni i përballur me pushtimin rus, një komunikatë e përpiluar nga aleanca, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, thekson “të drejtën e Ukrainës për t’i zgjedhur marrëveshjet e veta të sigurisë dhe për të vendosur për të ardhmen e vet”.

“Derisa Ukraina vazhdon punën e saj jetike [për plotësimin e kushteve për anëtarësim në NATO], ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, përfshirë anëtarësimin e saj në NATO”, thuhet në komunikatë.

“Ne ritheksuam se do të jemi në gjendje t’ia dërgojmë ftesën Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës sapo aleatët të jenë pajtuar dhe sapo kushtet të jenë plotësuar”, thuhet në draftin e komunikatës, të cilën disa e shohin si një mënyrë për ta vështirësuar ndonjë marrëveshje të fshehtë me Moskën për paqen, e cila do ta përjashtonte Ukrainën nga aleanca.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka bërë të qartë se mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO është në mesin e kushteve të saj për ndonjë marrëveshje paqe.

Në fjalimin hapës më 9 korrik, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia nuk kërkon “asgjë më pak” se “ta fshijë Ukrainën nga harta”, por shprehu bindjen se presidenti Putin nuk do t’ia dalë.

Përveç njoftimit për avionët F-16, zyrtarët janë duke u përgatitur për mbështetje shtesë për Kievin, të cilën do ta zbulojnë më vonë gjatë samitit.

Këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha më 9 korrik se aleanca do të njoftojë për një komandë të re ushtarake të NATO-s në Gjermani, për bashkërendimin e trajnimit dhe pajisjeve të trupave ukrainase. Ata do ta vendosin edhe një përfaqësues të lartë të NATO-s në Kiev.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nëse Rusia do të dilte fituese në luftën e saj në Ukrainë, ajo do të trimëronte Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut, si dhe do të formësonte mjedisin e sigurisë globale për disa dekada në vazhdim.

“Nuk ka opsione pa rrezik me një Rusi agresive si fqinje”, tha Stoltenberg.

“Nuk ka opsione pa rrezik në një luftë. Dhe, mbajeni në mend, kostoja më e madhe dhe rreziku më i madh do të jetë nëse Rusia fiton në Ukrainë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha ai.

Një ditë para nisjes së samitit, më 8 korrik, Rusia kreu njërin prej sulmeve më të rënda ajrore në Ukrainë prej se Kremlini e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Së paku 43 njerëz u vranë të hënën në disa qytete të Ukrainës, përfshirë 21 në kryeqytetin Kiev.

Zyrtarët dhe analistët kanë theksuar së fundmi se, derisa Rusia i ka shpeshtuar sulmet, ajo duket se po e pozicionin veten për një konflikt afatgjatë.

Një zyrtar i lartë i NATO-s, i cili foli për gazetarë në kushte anonime, tha se, megjithëse po iu pakësohen burimet, Rusia me gjasë do të jetë në gjendje ta vazhdojë luftën e saj ekonomike për edhe tre apo katër vjet të tjera.

Megjithatë, ai shtoi se Kremlinit i mungojnë municione dhe trupa për ta kryer një ofensivë të madhe kundër Ukrainës në të ardhmen e afërt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG