Nuk ka kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë - Fotografi nga arkivi

Serbia ende nuk i ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të saj presidenciale dhe parlamentare brenda territorit të Kosovës, tha të hënën Mimoza Kusari - Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë qeverisëse në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke folur pas një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, Kusari - Lila përsëriti qëndrimin e mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, se për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit mund të vendoset vetëm pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Serbia.

“Zgjedhjet mund të organizohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vetëm pas një kërkese nga shteti serb te shteti i Kosovës. Kjo kërkesë nuk ka ardhur”, tha Kusari - Lila.

Më 14 mars, Kusari - Lila ka thënë se Beogradi u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por, siç ka thënë ajo, autoritetet sovrane në Kosovë janë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës.

Lexoni edhe këtë: Serbia kërkon që zgjedhjet e saj të mbahen edhe në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 15 mars se është në kontakt me ambasadat e vendeve të Quint-it (SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës) dhe Bashkimin Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por, në të njëjtën kohë, sipas tij, të mos cenohet as shtetësia e Kosovës.

Serbia paralajmëron vendim më 22 mars

Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të hënën se autoritetet e Kosovës duan t'i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë më 3 prill.

Petkoviq e cilësoi si “gënjeshtër” dhe “mashtrim” deklaratën e Kurtit se ka vullnet të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e tij, “qëndrimi i Republikës së Serbisë dhe organeve të saj shtetërore lidhur me situatën e re do të shpallet nesër (22 mars), pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kur edhe do të vendoset për hapat e ardhshëm”.

“Beogradi zyrtar pret që vendet e Quint-it të marrin qëndrim të qartë dhe pa mëdyshje për shantazhin dhe sabotimin e Prishtinës, si dhe për shkeljen e të drejtave themelore, civile dhe demokratike të serbëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Opozita: Vendimi për zgjedhjet serbe të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Lexoni edhe këtë: Kusari-Lila: Kosova do ta shqyrtojë mbajtjen e zgjedhjeve nëse Serbia i dërgon kërkesë

Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i kërkon Qeverisë që ta mbrojë sovranitetin e vendit tonë. Çdo zgjidhje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Besnik Tahiri, nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria që të ketë komunikim me Kuvendin për çfarëdo vendimi që mund të marrë për zgjedhjet serbe.

“Qeveria duhet ta trajtojë këtë temë shumë seriozisht, mos të na sjellë panik. Duhet ta njoftojë Parlamentin që nëse vendos kundër, çka janë pasojat dhe të mirat, dhe anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

Cilat janë qëndrimet e analistëve politikë?

Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike në Prishtinë, thotë se një kërkesë e drejtpërdrejtë e shtetit serb te Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, do të duhej të pranohej.

“Këtë po e themi meqë kemi pasur presion dhe kërkesë nga vendet mike dhe konsiderojmë që Kosova nuk do të duhej të bëhej pengesë ose prishëse e planeve dhe interesave të aleatëve të Kosovës”, thotë Loxha.

Në të ardhmen, shton ajo, Kosova, bashkë me aleatët, duhet ta adresojë këtë çështje “njëherë e mirë”, në mënyrë që të mos përballet më me situata dhe presion të tillë.

Loxha nuk jep detaje se çfarë do të mund të bënin autoritetet e Kosovës në këtë rast.

Sipas Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), mbajtja e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale serbe në Kosovë nuk duhet të përzihet si temë me mbajtjen e referendumit serb brenda Kosovës.

Përderisa mbajtja e referendumit “është refuzuar me të drejtë”, Kosova do të duhej të bënte përpjekje për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë për hir të shtetasve serbë të Kosovës, thotë ai.

“Si IKD mendojmë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë modalitete, të cilat nuk do të jenë lëshim në raport me Republikën e Kosovës, por mesazh dhe promovim i të drejtave të qytetarëve të Kosovës nga komuniteti serb që kanë shtetësi të dyfishtë”, thotë Miftaraj, duke shtuar se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Për Enis Halimin, politolog dhe ish-kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, presioni ndërkombëtar për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është i pritshëm.

“Presioni nga jashtë, në këtë kohë, duhet të shihet edhe në kontekst të zhvillimeve të fundit për sa i takon aspektit të sigurisë, ndonëse paradigma e stabilitetit ka qenë dhe është prijëse në raportet ndërkombëtare”, thotë Halimi, duke aluduar në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të saj në siguri.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është zotuar se do të respektojë Kushtetutën e vendit për mënyrën se si do të mund të votojnë qytetarët me shtetësi serbe në Kosovë në zgjedhjet që i organizon Serbia.

Lexoni edhe këtë:

Kushtetuta nuk i lejon zgjedhjet e SerbisëSerbia fut në agjendën e dialogut zgjedhjet e prillit

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Lexoni edhe këtë: BE-ja sërish shpreh keqardhje për mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Këtë thirrje, e fundit e ka përsëritur ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, gjatë një vizite në Kosovë, javën e kaluar.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.