Vitit 2020 i erdhi fundi dhe ne kemi vendosur që t'ua rikujtojmë disa tema të cilat Radio Evropa e Lirë i trajtoi këtë vit.
Lufta mes jetës dhe vdekjes
Viti 2020 nisi me krizën me pandeminë e koronavirusit dhe po përfundon me përballjen me këtë virus. Në Kosovë, rastet e para me COVID-19 u regjistruan në muajin mars.
Radio Evropa e Lirë në korrik qëndroi brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aty, ku po zhvillohet lufta mes jetës dhe vdekjes.
Misioni i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve
Shqipëria ishte ndër vendet e rralla në kohën e pushtimit nga Gjermania naziste, popullata hebreje u rrit nga disa qindra në dy mijë persona.
Besa - tradita e lashtë shqiptare - ishte ajo që i mbajti gjallë hebrenjtë.
Të shurdhrit në Kosovë, të painformuar për masat kundër COVID-19
Shoqata Kosovare e të Shurdhërve realizoi një video informuese për këtë kategori të shoqërisë, në mënyrë që të informoheshin rreth masave të ndërmarra nga autoritetet kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Këta janë ATA: 1,643 të pagjeturit
Teksa në Serbi, gjatë vitit 2020, u zbulua varreza e pestë masive, ku dyshohet se janë varrosur mbetjet mortore të personave të vrarë në Kosovë, e që konsiderohen të pagjetur që nga përfundimi i luftës, Radio Evropa e Lirë krijoi një hartë, ku janë të shkruar emrat, viti i lindjes dhe rajonet ku 1,643 personat e pagjetur janë parë për herë të fundit.
Në mesin e të pagjeturve janë edhe mbi 100 fëmijë, fëmijëria e të cilëve u këput në gjysmë.
SHIKONI EDHE: Muzeu që tregon për një fëmijëri të lënë përgjysmë
Dhunimi i burrave, plaga e heshtur e luftës
Gjatë luftës më 1998-'99, organizatat ndërkombëtare kanë thënë se rreth 20,000 gra dhe burra kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Shumë nga burrat hezitojnë të flasin për përvojën e tyre, por njëri nga ta ka treguar historinë e tij për Radion Evropa e Lirë.
Nga fëmijë i humbur, në mbrojtës të vendit
Kjo është historia e oficerit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Dedë Hiseni i cili, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në moshën 12-vjeçare ishte ndarë nga familja e tij.
Deda, nga një fëmijë i dëbuar nga shtëpia e tij, u kthye në mbrojtës të Kosovës.
Kosova me nivelin më të ulët të punësimit të grave në rajon
Vetëm 14 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Por, përveç nivelit të ulët të punësimit, gratë ankohen edhe për paga të ulëta në sektorin privat.
“E kam familjen, jam nënë e katër fëmijëve, nëse paga është e ulët ato para të shkojnë vetëm rrugë, nuk mund të bësh asgjë me ato para”, thotë Flutura Berisha, 43-vjeçare, e cila tash e tre vjet është në kërkim të një vendi pune.
Bordet e ndërmarrjeve publike, të “rezervuara” për burra
Organizatat joqeveritare në Kosovë ngrisin shqetësimin për përfaqësimin e ulët të grave në bordet e ndërmarrjeve publike. Pavarësisht se sipas ligjit, emërimi në këto borde duhet të bëhet në bazë të meritës, por sipas drejtoreshës së organizatës FOL, Mexhide Demolli-Nimani, për t'u emëruar në këto borde është e nevojshme "libreza partiake".
'Pretendimet pronësore'
Pas 20-muajsh pauzë, në korrik të këtij viti, rinisi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Një ndër çështjet që palët kanë zhvilluar biseda më 2020 ishte edhe për “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”.
Ekspertët në Kosovë kanë paralajmëruar se Prishtina zyrtare duhet të jetë e kujdesshme kur trajton këtë temë dhe kanë shtuar se Serbia nuk ka prona të saj në Kosovë.
Nën trysni dhe duarthatë, viktimat e dhunës shpesh kthehen te dhunuesi
Gratë, që në të shumtën e rasteve janë viktima të dhunës në familje, shpeshherë detyrohen që të kthehen në shtëpi te dhunuesi, për shkak se nuk janë të pavarura financiarisht.
Në Kosovë ekzistojnë qendra të strehimit për viktimat e dhunës në familje, por aty viktimat mund të qëndrojnë deri në gjashtë muaj. Autoritetet kanë thënë se gjatë pandemisë, është rritur numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje.
Pronat e pretenduara të hebrenjve në Prishtinë
Më 4 shtator, 2020, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik, e cila, veç tjerash parasheh edhe kthimin e pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit si dhe të pronave të hebrenjve, që deri më tani nuk i ka kërkuar askush.
‘Ndarja’ e komunitetit mysliman në Kosovë
Përmes një projektligji, të miratuar në shtator në Qeverinë e Kosovës, synohet që të rregullohet statusi juridik i bashkësive fetare të Kosovës. Por, në këtë legjislacion, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës u përfshi si bashkësia e gjashtë fetare, gjë që nxiti debate dhe polemika mes kësaj bashkësie dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
A i ndal KEK-u filtrat gjatë natës?
Nga një hulumtim i bërë nga dy organizata, cilësia e ajrit në Obliqi thuhet se tejkalon në mënyrë enorme nivelin e ndotjes nga termocentralet "Kosova A" dhe "Kosova B". Ndotja dyshohet se shpesh ndodh për shkak të ndaljes së filterëve nga KEK-u.
Parada e Krenarisë, në katër rrota
Për herë të katërt në Kosovë u mbajt Parada e Krenarisë. Por, kësaj radhe, marshet nëpër sheshet e Prishtinës, për shkak të pandemisë, u anuluan. Aktivistët për të drejtat e LGBT-së kësaj radhe paradën e mbajtën "në katër rrota".
Imunizimi në rrezik
Vaksinimi kundër koronavirusit të ri ka nisur në shumë vende të botës. Ndonëse zbulimi i vaksinave rriti shpresat për dhënien fund të pandemisë, ende ka shqetësime lidhur me sigurinë e vaksinave.