Marrëveshje për normalizim apo për status quo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke pritur para një takimi me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Bruksel, më 27 shkurt 2023.

Njohësit e çështjeve politike thonë se mosnënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin Kosovë-Serbi nxjerr në pah mospajtimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me këtë dokument.

Dy udhëheqësit u takuan të hënën në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë.

Në tryezë të diskutimeve kishin një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, që u titullua “Marrëveshje drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi takimin, tha se palët u dakorduan për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

*Video: Kosova dhe Serbia pranojnë "Marrëveshjen drejt normalizimit"

Borrell tha se tani do të pasojnë negociatat për të përcaktuar modalitetet e zbatimit të saj.

Kurti dhe Vuçiq konfirmuan se kanë rënë dakord për përmbajtjen e marrëveshjes, por thanë se nuk kanë nënshkruar asgjë dhe për këtë fajësuan njëri-tjetrin.

Kurti tha se ka qenë i gatshëm për nënshkrim, por se pala serbe ka refuzuar.

Vuçiq tha se ka qenë Kurti ai që nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. E, në mesin e tyre është edhe Marrëveshja për Asociacionin, e cila është arritur në viti 2013, por nuk është zbatuar kurrë.

SHIKONI EDHE:

Çfarë pas pranimit të propozimit të BE-së? Bislimi përmend tri kushte për formimin e AsociacionitOpozita e ndarë rreth pranimit të propozimit evropian

Paçarizi: Nënshkrimi i marrëveshjes kërkon garantues të fuqishëm

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka qenë e pritshme që palët të mos e nënshkruajnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Sipas tij, formati i takimit të 27 shkurtit ishte i tillë që nuk siguronte mundësi për nënshkrimin e saj.

“Për t’u nënshkruar Marrëveshja, duhet të ketë palë garantuese të fuqishme, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian - natyrisht, të përfaqësuara në nivele më të larta sesa nivelet e ndërmjetësuesve, të cilët, praktikisht, e kanë pasur për detyrë që ta përgatisin marrëveshjen, por jo të jenë garantues të nënshkrimit të saj. Mendoj se ky ka qenë problemi themelor, ndonëse, në takimin trepalësh, doli pastaj çështja e zbatimit. Serbia ka insistuar që të nisë me Asociacionin, me çka Kosova, kryeministri Kurti nuk është pajtuar”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Në pikën 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit Kosovë-Serbi thuhet se të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese, përfshirë atë për Asociacionin.

*Video: Pesë gjëra që duhet t’i dini për Asociacionin

Në nenin 7 të Marrëveshjes, ndërkaq, thuhet se të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”.

Kurti është shprehur vazhdimisht kundër kompetencave ekzekutive për komunitetin serb, duke thënë se një gjë e tillë mund të çojë në ndarjen e Kosovës.

Vuçiq, në anën tjetër, thotë se pa formimin e Asociacionit nuk mund të ketë përparim në dialog.

Nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar marrëveshjen për këtë asociacion, Kurti, në fillim të shkurtit, ka paraqitur disa kushte, të cilat përfshijnë ndërrimin e emrit të Asociacionit dhe mosbartjen e asnjë pushteti publik apo ekzekutiv.

SHIKONI EDHE: Një emër tjetër për Asociacionin?

Gogiq: Pajtim i paqartë

Politologu Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut thotë se “qasja e njohur e BE-së për dykuptimësi konstruktive në formulimin e dokumenteve” është reflektuar edhe në Marrëveshjen e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dhe kjo, sipas tij, u mundëson palëve që ta interpretojnë dokumentin ashtu siç u konvenon, duke krijuar situatë të paqartë.

Ky konfuzion, thotë Gogiq, është edhe arsyeja e mosnënshkrimit të dokumentit nga palët, përkundër pajtimit të shprehur për përmbajtjen e tij.

“Asnjëra palë nuk është e kënaqur tërësisht me atë çfarë nënkuptohet. Kështu që ato janë konsistente dhe mendojnë se, në parim, propozimi është i pranueshëm, por se është e nevojshme që disa gjëra të tjera në kuadër të tij, të definohen. Në ato pozicione edhe kanë mbetur”.

“Është e paqartë se çfarë pritjesh ka cilado palë nga kjo marrëveshje dhe si mendojnë ato se duhet të duket që të pranohet. Borrelli tha se ata e kanë pranuar propozimin, por nuk e kanë nënshkruar. Në çfarë mënyre reflekton ky pajtim? E gjithë kjo tregon, sipas mendimit tim, se është bërë një hap prapa”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: BE: Kosova dhe Serbia, të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjes

Ai thotë se nuk beson se dispozitat e Marrëveshjes do të mund të zbatohen.

Për më tepër, shton ai, Marrëveshja synon që të sigurojë një qetësim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe një lloj status quo-je, që do të parandalonte ndonjë përshkallëzim të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, në kohën kur vëmendja e Perëndimit është fokusuar te pushtimi rus i Ukrainës.

A është propozimi i BE-së status quo?

Paçarizi pajtohet se Marrëveshja në fjalë nënkupton një lloj status quo-je. Por, sipas tij, problemet që mund të shkaktohen pa këtë marrëveshje, janë shumë më të mëdha se ato që mund t’i shkaktojë vetë marrëveshja.

Paçarizi thotë se paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor nuk varen kryekëput nga raportet e Kosovës dhe Serbisë, por se marrëveshja ua heq atyre nga dora argumentet për të shkaktuar trazira.

“Këtu ka një lloj avancimi. Palët zotohen për ta zbatuar Asociacionin, për ta zbatuar çështjen e vendndodhjeve religjioze... Pastaj, Serbia e pranon ekzistencën e shtetit të Kosovës - gjë që është një hap përpara. Prandaj, nuk është krejtësisht status quo, por është marrëveshje për ta vazhduar dialogun më tutje, marrëveshje që problemet të rifuten në kanalin e bisedimeve dhe të mos mbeten në rrugë, të shpërndara, të deformuara e të shkaktojnë probleme shumë të mëdha”, thotë Paçarizi.

*Video: Çfarë mendojnë qytetarët në Kosovë dhe në Serbi për propozimin evropian?


Gogiq thotë se Kurti dhe Vuçiq, por edhe Bashkimi Evropian, janë të vetëdijshëm se Marrëveshja e bazuar mbi propozimin evropian “nuk mund ta zgjidhë problemin qenësor - çështjen e njohjes së statusit të Kosovës”, e cila nuk është pjesë e saj.

Marrëveshja për normalizim nuk përfshin njohjen reciproke Kosovë-Serbi, por zotimin e dy palëve për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

“Kjo, në fakt, nënkupton ngrirjen e status quo-së. Bashkimi Evropian dëshiron që me këtë ta qetësojë situatën. Kështu që, për mua, kjo marrëveshje e re është vetëm një qilim, nën të cilin dëshirohet të futen problemet që ekzistojnë në terren. Më duket se Bashkimi Evropian, me çdo kusht, dëshiron t’i marrë nënshkrimet e Vuçiqit dhe Kurtit për një dokument, të cilin do ta shpallë si sukses në politikën e jashtme”, thotë Gogiq.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, paralajmëroi takimin e radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.

Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi është mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia.