Marrëveshja e vjetër që nxiti tensione të reja

Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës, nga serbët lokalë, 1 gusht 2022.

Ajo që Kosova bëri në mesnatën e 1 gushtit në pikat kufitare me Serbinë, që çoi në tensionimin e situatës në veri të Kosovës, ishte dakorduar në Bruksel para 11 vjetësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje Serbia e pati zbatuar menjëherë ndaj shtetasve të Kosovës, por jo edhe Kosova ndaj shtetasve serbë. Ky dokument i zëvendëson dokumentit e identifikimit të dy shteteve gjatë qëndrimit në to.

Më 29 qershor, në një mbledhje të rregullt, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrjen të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS.

SHIKONI EDHE: Riregjistrim i veturave nga KM në RKS dhe reciprocitet ndaj dokumenteve serbe

Vendimi i nënshkruar nga kryeministri Kurti nuk jep ndonjë shpjegim se pse pas 11 vjetësh fillon të aplikohet kjo masë.

Në vendim thuhet se “çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikëkalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”.

SHIKONI EDHE: Çfarë çoi deri te rihapja e kufijve në veri?

Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, qeverive të kaluara në Kosovë u ka munguar vullneti politik.

“Nuk ka pasur vullnet politik që pozicioni i Kosovës të vihet në nivel të barabartë me pozicionin e Serbisë”, tha Sveçla në një intervistë për televizionin publik, më 2 gusht.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit u arrit në Bruksel në vitin 2011 nga asokohe negociatorët Edita Tahiri nga Kosova dhe Borko Stefanoviq nga Serbia.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes

Pika 3 e marrëveshjes thotë se “Secila palë mund të aplikojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokument të shkruar hyrje/dalje për personat nga vendi tjetër”.

Këtë letër, ideja e së cilës ishte që të përfaqësonte neutralitet në raport me dokumentet shtetërore të të dyja vendeve, nga viti 2011 Serbia ia lëshon çdo shtetasi të Kosovës që futet në territorin e Serbisë.

E njëjta marrëveshje parasheh që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS ose KS. Targat KS nga shtatori i vitit 2020 më nuk lëshohen nga autoritetet kosovare.

SHIKONI EDHE: Reciprociteti i Kosovës ndaj Serbisë


Kjo pasi më 2016 palët u pajtuan që targat KS të përdoren edhe për një periudhë pesëvjeçare.

Në veri, megjithatë, këto vite janë përdorur targat me akronimet e Kosovës të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron ilegale.

Ndërkombëtarët nuk i përkrahën letrat hyrje-dalje

Ish-zyrtarët që kanë udhëhequr me dialogun e Brukselit, siç është Edita Tahiri, nuk e kanë komentuar faktin se pse Kosova nuk vendosi për lëshimin e letrave hyrje-dalje për shtetasit serb, njëjtë siç bëri Serbia.

Pse në këtë nuk ka insistuar as BE-ja, si ndërmjetësuese e negociatave, po ashtu nuk ka përgjigje nga Brukseli zyrtar.

Dy negociatorët që pasuan Edita Tahirin në udhëheqjen e dialogut me Serbinë në Bruksel, Skënder Hyseni dhe Avni Arifi, thanë se në kohën sa ata e kanë udhëhequr dialogun, nuk është diskutuar për lëshimin e këtyre letrave për shtetasit e Serbisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Hiqen barrikadat për ta shtyrë reciprocitetin


Arsye, sipas tyre, është se Kosova ka insistuar të mos vendosë barriera siç ka bërë Serbia.

“Sa e kam udhëhequr unë dialogun, kjo nuk ka qenë temë e diskutimit. Sa e kam udhëhequr unë dialogun temë e diskutimit ka qenë vetëm marrëveshja e përgjithshme për njohje – normalizim”, u shpreh Hyseni, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por më tej, Hyseni që ishte edhe ministër i Brendshëm në qeverisjen e Isa Mustafës, tha se faktori ndërkombëtar nuk e ka përkrahur idenë që Kosova të lëshojë letra të tilla për shtetasit e Serbisë.

“Atëherë e ka udhëhequr dialogun zonja Edita Tahiri, që të synohej një zgjidhje e përgjithshme dhe ka qenë kërkesë e Bashkësisë Ndërkombëtare që të mos fillohet me zbatimin e kësaj pike. Nuk e ka zbatuar të plotë, as Serbia, e as Kosova, marrëveshjen [për Lirinë e Lëvizjes]”, tha Hyseni.

Nga BE-ja thanë se si rregull i përgjithshëm, "ne nuk nxjerrim në publik detaje apo afate kohore për angazhimet tona me partnerët në tema të caktuara".

Nga ana tjetër, edhe ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun e Burkselit, Avni Arifi, në Qeverinë e Ramush Haradinajt, tha se as në takimet që ai ka udhëhequr në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me zyrtarët e BE-së, nuk është diskutuar çështja e lëshimit të këtyre letrave për shtetasit e Serbisë.

“Unë e kam udhëhequr dialogun nga janari i vitit 2018 dhe kjo temë nuk është shtjelluar në atë kohë kurrë. As unë, pra, s’kam qenë pjesë e marrëveshjes [për Lirinë e Lëvizjes e arritur në vitin 2011]”, thotë Arifi.

Rashiti: Kosova e konsideroi masë të përkohshme

Në një raport të publikuar në muajin mars nga Grupi i Ballkanit për Politika thuhet se Kosova kishte hequr dorë nga aplikimi i formularëve për ‘hyrje-dalje’ qysh në fazën e hershme të zbatimit të marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë.

Aty jepen dy arsye, e para se dokumenti nuk përmban asnjë element të sigurisë për identifikimin e individëve, të cilët kalojnë kufirin dhe se përbën barrierë në lirinë e lëvizjes.

Drejtori i kësaj organizate, Naim Rashiti, tha për Radion Evropa e Lirë se qeveritë në Kosovë vazhdimisht kanë besuar se dialogu po shkon drejt një marrëveshjeje finale që përfshinë edhe njohjen reciproke të dokumenteve të identifikimit.

“Çdo qeveri ka mundur ta bëjë [lëshimin e letrave ‘hyrje-dalje’ për shtetasit e Serbisë], por është menduar gjithmonë se çështja e këtyre letrave do të jetë aranzhim i përkohshëm dhe se po shkohet drejt marrëveshjes finale”.

“Kosova nuk ka dashur të krijojë barriera sepse si shtet i ri nuk ka dashur të jetë një vend ku njerëzit që hyjnë ballafaqohen me barriera”, tha Rashiti.

Veriu i bllokuar nga barrikadat


Ai i cilësoi marrëveshjet, të arritura në fillim të procesit teknik të dialogut, si më të suksesshmet porse, sipas tij, ngecja në implementimin e tyre i ka shndërruar ato në burim të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe në veçanti në pjesën veriore të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Si përhapin dezinformata për Kosovën kanalet ruse dhe pro-ruse në Telegram?

Në Serbi thonë se Kosova nuk mund të vendosë reciprocitet

Milovan Drecun, përfaqësues i Partisë Progresive Serbe dhe ish-kryetar i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të vendosë reciprocitet.

“Nuk mund të krahasohet dhe nuk mund të flitet për reciprocitet sepse Kosova nuk është një vend i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ndryshe nga Serbia, dhe nuk mund të ketë reciprocitet atje”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Do të shkoj në Bruksel për dialog, por nuk pres asgjë

I pyetur për moszbatimin e plotë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, Drecun, tha se qeveria aktuale në Serbi, nuk pranon asgjë që nuk ka neutralitet në statusin e Kosovës.

“Ju duhet të pyesni një përfaqësues të qeverisë së mëparshme (në atë kohë negociator) Borko Stefanoviq, i cili e pranoi. Për sa i përket kësaj qeverie, ne nuk duam të biem dakord për asgjë që nuk është ‘status neutral’”, theksoi Drecun.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe ish-kryenegociatorin e Serbisë, Borko Stefanoviq, porse ai nuk ka kthyer përgjigje.

Drecun tha se institucionet e Prishtinës nuk duhet të insistojnë që me forcë t’i zbatojnë marrëveshjet pasi, sipas tij, ekziston mundësia për dhunë dhe zgjerim të konflitikit.

Vendimi i Kosovës për reciprocitet nxiti reagime të ashpra edhe të zyrtarëve të tjerë në Serbi, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Në veri u shkaktuan edhe tensione në katër komuna me shumicë serbe, ku popullata lokale bashkë, e përkrahur nga përfaqësuesit politikë serbë bllokuar rrugët në drejtim të dy pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak.

SHIKONI EDHE:

Forcat e NATO-s të përgatitura të intervenojnë në KosovëShoqëria civile serbe bën thirrje për zgjidhje paqësore të krizës në veri Borrell fton Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel për vazhdimin e dialogut

Popullata serbe kundështoi edhe nisjen e procesit të konvertimit të targave të veturave në RKS nga KM,pasi që ato konsiderohen ilegale në Kosovë.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, të martën, mirëpriti vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse.

Për këto dy masa tha se janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

Kontribuoi: Iva Martinoviq