Maqedonia e Veriut dhe Kosova, projekte për forcimin e bashkëpunimit

Foto ilustruese

Maqedonia e Veriut dhe Kosova, e cila shënon 11-vjetorin e pavarësisë, synojnë forcimin e bashkëpunimit të mëtejmë me qëllim realizimin e qëllimit kryesor, që të bëhen pjesë e familjes euroatlantike, thonë nga Qeveria në Shkup, duke komentuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në këto vite të mëvetësisë së Kosovës.

“Fatkeqësisht, ka pasur periudha kur estabilishmenti politik maqedonas ka pasur edhe rezerva në komunikimin me Kosovën, por tani vlerësoj se është kaluar ajo kohë me një politikë krejtësisht progresive pro evropiane dhe pro NATO-s. Krejt kjo konsideroj se do të sjellë përfitime për dy shtetet fqinje pasi edhe në Kosovë aspiratat drejt NATO-s dhe BE-së, janë gjithnjë e më aktuale. Kjo do t’i ndihmojë dy shtetet që të krijojnë pozicion më të mirë në integrimet euroatlantike”, thotë Ismet Ramadani, këshilltar i kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtues i Këshillit Euroatlantik.

SHIKONI EDHE: Rritet importi i brendeve ndërkombëtare nga Maqedonia dhe Shqipëria

Dy vendet nuk kanë çështje të hapura politike, ndërsa kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në sfera të ndryshme. Gjatë vizitës javën e kaluar në Shkup, të ministrit kosovar të Zhvillimit Ekonomik, Vadrin Lluka, u paralajmërua mundësia e thjeshtësimin e procedurave doganore ndërsa me ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, nënshkruan edhe një memorandum në fushën e energjetikës.

Shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, sipas ekspertëve, gjithmonë ka qenë në favor të Maqedonisë së Veriut, që në disa situata ka arritur një suficit deri në 500 milionë euro, por me investimet e fundit në infrastrukturën kosovare, ky dallim i madh ka shënuar rënie.

SHIKONI EDHE: Maqedonia, përfituese nga beteja tregtare Kosovë - Serbi

“Në parim raportet ekonomike mes Maqedonisë dhe Kosovës, historikisht kanë qenë në rritje, edhe pse në pesë vjetët e fundit në aspekt statistikor ka një ulje. Kemi pasur vite kur shkëmbimi tregtar ka shkuar në favor të Maqedonisë me një suficit të jashtëzakonshëm deri në gjysmë miliardë euro. Megjithatë, viteve të fundit me gjetjen e tregjeve alternative, posaçërisht me ndërtimin e infrastrukturës me shtetet tjera, Kosovën sikur pak e humbën”.

“Por, ajo që na gëzon është se me ndërtimin e autostradës në anën e Kosovës dhe paralajmërimet nga ana e Maqedonisë për ndërtimin e autostradës në drejtim të Kosovës, sikur kemi një zhvillim pozitiv”, thotë Fatmir Bytyçi, njohës i çështjeve të ekonomisë.

SHIKONI EDHE: "Arbën Xhaferi", urë lidhëse Kosovë - Maqedoni

Ai shton se në forcimin e rritjes ekonomike mes dy vendeve ka ndikuar edhe taksa prej 100 për qind për prodhimet serbe dhe të Bosnjës dhe kjo, sipas tij, ka bërë që për disa prodhime, shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të rritet për 40 për qind.

Ai thotë se Maqedonia e Veriut duhet ta shohë Kosovën si një partner strategjik dhe beson se kjo mund të bëhet realitet edhe për shkak të vullnetit të mirë politik që ekziston te Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev.

“Maqedonia e sheh dhe duhet ta shohë Kosovën si një partner strategjik, si një shtet ku kompanitë me ndërveprimin e tyre mund të jenë më konkurruese në tregjet rajonale, por edhe më tutje. Mendoj se kemi kapacitet që këtë ta bëjmë realitet”, thotë Famtir Bytyçi, njohës i çështjeve ekonomike.

Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës, më 10 tetor të vitit 2008.