Ndërlidhjet

Maqedonia, përfituese nga beteja tregtare Kosovë - Serbi


Ilustrim
Ilustrim

Tregtarët nga Maqedonia janë ata që mund të kenë më së shumti përfitim nga “lufta” ekonomike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, konsideron se Maqedonia, për shkak të situatës së re të krijuar në Kosovë me produktet serbe, duhet t’i dalë në ndihmë tregut kosovar për nevojat reale që ka rreth produkteve të ndryshme. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Iseni thotë se kjo paraqet dhe një mundësi të mirë për tregtarët e Maqedonisë për të realizuar përfitime.

“Ky rast duhet shfrytëzuar një herë për ta ndihmuar tregun kosovar me produktet që ekzistojnë në Maqedoni dhe e dyta duhet përfituar nga ky rast që t’i jepet një stimul i ri këmbimit tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës”.

“Ky është një përfitim afatshkurtër që mund ta ketë ekonomia vendore e Maqedonisë, ndonëse ne mendojmë se kjo çështje duhet të shihet në perspektiva më afatgjata edhe atë duhet krijuar kushte që kjo tregti të avancohet edhe më shumë para së gjithash me avancimin e projekteve infrastrukturore këtu në Maqedoni”, thotë Iseni, duke shtuar se Kosova mbetet një nga partnerët më relevant të Maqedonisë.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se Qeveria e Maqedonisë në këtë situatë duhet të bëjë një analizë të thuktë se çka i nevojitet më së shumti tregut kosovar, që të krijohet një pasqyrë e qartë rreth asaj se ku duhet të fokusohen tregtarët nga Maqedonia.

Ndërkohë, nga Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë, thonë se, “përfitimet e Maqedonisë nga vendimi i Kosovës për rritjen e doganave me Serbinë mund të jenë afatshkurtra dhe jo në një afat më të gjatë kohor”.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thekson se Maqedonia nuk do të përzihet në këtë kontest, duke i lënë palët që vetë ta zgjidhin problemin.

"Ne konkurrencën e bazojmë në fuqinë e kompanive, por edhe të prodhimeve tona se sa mund të jenë konkurruese, e jo nga kjo masë që mund të sjellë përfitime, por ato përfitime janë afatshkurtra”, thotë Bekteshi.

Edhe nga Ministria e Bujqësisë së Maqedonisë, theksojnë se Maqedonia si vend anëtar i CEFTA-s, nuk duhet të synojë përfitimin e tregjeve përmes barrierave apo kontesteve që kanë shtetet mes tyre.

Në këtë drejtim, Veljo Tantarov, kryetar i Lidhjes së Prodhimeve Bujqësore për Radion Evropa e Lirë thotë se Serbia në Kosovë më së shumti i importon miell dhe prodhime nga drithërat - prodhime këto që janë të mangëta në Maqedoni, sepse edhe ajo i merr nga Serbia.

“Në Kosovë, Serbia, si shtet, kryesisht importon miell dhe drithëra, prodhime këto që Maqedonia i ka të mangëta si shtet dhe të njëjtat i merr po nga Serbia”, thotë Tantarov.

Ai shton se në këtë drejtim mund të ndodhë ri-importimi i mallrave nga Serbia përmes Maqedonisë dhe ato sërish të shkojnë në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG