Shkupi nuk pret valë refugjatësh nga Rusia

Një pjesëtar i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut duke vëzhguar në një pikë kufitare. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut nuk pret fluks të migrantëve rusë, të cilët po ikin nga mobilizimi i shpallur nga presidenti Vladimir Putin, por drejtuesit e institucioneve, thonë se me kujdes po ndjekin zhvillimet në Rusi për të parandaluar infiltrimin e elementeve destabilizuese.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha të martën se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me kujdesin ndaj çdo shtetasi ukrainas që ikën nga agresioni rus. Ndërsa, sa i përket rusëve që po e braktisin vendin e tyre, Kovaçevski se kjo është një situatë tjetër, pasi ata po largohen kryesisht në ato shtete, me të cilat Rusia nuk ka regjim vizash.

“Unë nuk pres ndonjë valë të refugjatëve nga Rusia pas shkak se nuk kemi ndonjë lidhje direkte me Rusinë sikur që kanë disa shtete tjera. Ne do të vazhdojmë sikur edhe deri më tani të trajtojmë vetëm shtetasit ukrainas në përputhje me organizatat ndërkombëtare ku jemi të anëtarësuar e që kanë të bëjnë me kujdesin e njerëzve që ikin nga vatrat e luftës. Sa i përket rusëve kemi të bëjmë me një situatë tjetër. Ata po ikin nga vendi i tyre dhe po shkojnë në ato vende ku ka lidhje direkte ajrore”, deklaroi Kovaçevski.

Your browser doesn’t support HTML5

Rusët aterojnë në Beograd pas vendimit për mobilizim

Ai tha se deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë për heqjen e regjimit të vizave me Rusinë, por ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se regjimi i vizave do të mbetet dhe se Maqedonia e Veriut do të veprojë njëjtë sikur edhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian nuk ka një qëndrim sa i përket regjimit të vizave për shtetasit rusë. Ne deri tani kemi mbështetur të gjitha vendimet e BE-së. Për këtë çështje nuk ka qëndrim nga unioni dhe u është lënë shteteve që vetë të vendosin në përputhje me interesat e tyre kombëtare. Ne kemi regjim të vizave me Federatën Ruse dhe mendojmë se është një instrument i mjaftueshëm, por në koordinim me BE-në, ky qëndrim mund të ndryshojë në të ardhmen, varësisht zhvillimeve që mund të ndodhin atje”, theksoi Osmani.

SHIKONI EDHE:

Rusët nxitojnë të ikin pas urdhrit për mobilizim ushtarakPasaportë ruse në këmbim të shërbimit ushtarak

Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur për uljen e përpjekjeve për të kaluar ilegalisht kufirin, por, sipas kreut të policisë, Oliver Spasovski, “jashtë kufijve ka rritje të numrit të migrantëve që tentojnë të gjejnë rrugë tjera për të arritur në destinacionin e tyre të fundit, që janë vendet e Bashkimit Evropian”.
Spasovski tha se për dallim nga më parë, këtë vit janë regjistruar rreth 50 kalime ilegale të kufirit, por pa saktësuar shtetet se prej nga kanë hyrë. Ai rikujton se institucionet do të ndërmarrin masa ndaj çdokujt që shkel ligjin.

“Çdo kush që tenton ilegalisht të hyjë në Maqedoninë e Veriut, apo të tjerët që tentojnë të trafikojnë migrantë, do të përballen me institucionet. Migrantët do të vendosen në Qendrat e pranimit dhe më pas do të largohen nga vendi, ndërsa ata që trafikojnë, do të përballen me ligjin”, deklaroi Spasovski.

SHIKONI EDHE: Shkupi nuk njeh referendumet e rreme ruse në Ukrainë

Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, tha se institucionet duhet të rrisin shkallën e gatishmërisë për mbrojtje nga infiltrimi i elementeve destabilizuese nga Rusia.
Ai theksoi se në veçanti duhet pasur kujdes në kufijtë me Serbinë për shkak të, siç tha, lidhjeve të Serbisë me Rusinë, që u dëshmuan me marrëveshjen e fundit mes dy vendeve.

“Detyrimisht, duhet të ketë rritje jo vetëm të sigurisë kufitare, por edhe më gjerë duke e ditur se ndikimi rus qoftë në aspektin politik, ekonomik dhe në sfera tjera është i madh dhe mund të ndodhë që të ketë rritje të ndikimeve destabilizuese në mënyrë të heshtur. Organet e sigurisë do ta kenë të vështirë të detektojnë elementët e tillë, prandaj kujdesi dhe përcjellja e tyre duhet të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm, sepse mund të paraqiten raste të destabilizimit duke e ditur edhe dinakërinë e Serbisë dhe Rusisë mund të ndodhin rast të tilla të kërcënojnë sigurinë e përgjithshme në vend”, vlerësoi Selmani.

SHIKONI EDHE: Shkup: Qytetarët ukrainas të painteresuar për statusin e refugjatit

Pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë, në muajin shkurt, në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë hyrë rreth 19.000 shtetas të Ukrainës.

Pas strehimit dhe trajtimit nga institucionet, rreth 90 për qind e tyre janë larguar në shtete të tjera, ndërsa pjesa tjetër, kryesisht fëmijë deri në moshën 16 vjeçe dhe të moshuarit mbi 80 vjeç, vazhdojnë të jenë nën kujdesin e shtetit.