“Hет войне – Jo luftës”, brohoritën dhjetëra rusë në qendër të Beogradit, natën e 21 shtatorit.
Ata protestuan kundër mobilizimit të rezervistëve, të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Në prag të muajit të tetë të pushtimit të Ukrainës, pas përballjes me humbjet në lindje të frontit ku ushtria ukrainase është në kundërsulm, Putin bëri lëvizje të reja për të përshkallëzuar luftën. Ky është mobilizimi i parë në Rusi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Për dekretin e Putinit, Ivan Kokorev, 34 vjeç nga Moska, dëgjoi në Beograd, ku ai jeton që nga marsi i vitit 2022.
Rusët nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Serbi dhe mund të marrin qëndrim të përkohshëm. Shumë prej tyre përfituan nga kjo, duke ikur nga regjimi i Putinit dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës.
Autoritetet në Serbi refuzojnë të konfirmojnë se sa rusë kanë arritur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
“Jam dëgjuar sot me miqtë e mi në Moskë. Kanë frikë të dalin nga shtëpitë, se mos i ndalin në rrugë komisarët e luftës, kanë frikë se mos i dërgojnë në luftë”, tha Ivani për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti rus e përshkroi mobilizimin si “të pjesshëm”.
Në një adresim të tij, përmes televizionit, ai tha se i referohet “vetëm qytetarëve që aktualisht janë në përbërjen rezervë... dhe kryesisht atyre që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë një specialitet të caktuar ushtarak dhe përvojë relevante”.
Ivan Kokorev tha se dyshon në fjalët e Putinit.
“Nuk është një mobilizim i pjesshëm, dekreti në asnjë mënyrë nuk e kufizon Putinin në mobilizimin e njerëzve. Të gjithë janë në rrezik”, theksoi ai.
Mobilizimin e rezervistëve ai e cilësoi si “një krim tjetër të regjimit të Putinit”.
“Nuk ka arsye apo justifikim për luftën në Ukrainë - përveç dëshirës së Putinit për të sunduar përgjithmonë dhe për të fshehur problemet e brendshme në mjegullën e luftës”, tha Ivan Kokorev.
“Të merren seriozisht porositë e Putinit”
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, më 21 shtator prezantoi një plan për përfshirjen e 300.000 rezervistë në radhët e ushtrisë. Siç theksoi ai, kjo është vetëm 1 për qind e numrit të përgjithshëm prej 25 milionë rezervistëve, që ka në dispozicion Kremlini.
Një ditë përpara dekretit të Putinit për mobilizim, Parlamenti i kontrolluar nga Kremlini, miratoi amendamentet që ashpërsojnë dënimet për ushtarët.
Ata që dorëzohen, dezertojnë ose refuzojnë të luftojnë gjatë periudhës së mobilizimit ose gjendjes ushtarake, do të ndëshkohen.
Në ligj, për herë të parë u shtuan fjalët “mobilizim” dhe “gjendje e jashtëzakonshme”. Putini deri më tani e ka shmangur cilësimin e pushtimit të Ukrainës si “luftë”, që është edhe fjalë e ndaluar me ligj. Pushtimi i Ukrainës, për Kremlinin është një “operacion i posaçëm ushtarak”.
Në fjalimin e tij, Putin njoftoi të ashtuquajturat referendume të thirrura nga separatistët në Ukrainë - në Donjetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja. Ai gjithashtu rriti kërcënimin me armë bërthamore.
Ai tha se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj, duke shtuar: “Ky nuk është blof”.
Udhëheqësit perëndimorë thanë se mesazhet e Putinit duhet të merren seriozisht, me vlerësimin se ato janë “pranim se pushtimi i tij po dështon”.
“Është e pamundur të jetosh nën diktaturë”
Aleksei nga Shën Petërburgu, me profesion sociolog, ndoqi fjalimin e Putinit përmes internetit.
Që nga qershori i vitit 2022, ai jeton në Beograd, pasi që siç ai, “është e pamundur të jetosh nën diktaturë”.
Ai ka dhjetë vjet përvojë në protestat kundër Putinit dhe ka marrë pjesë në jetën politike si vëzhgues i pavarur i zgjedhjeve.
“Këtë nuk e prisja as në ëndrrat e mia më të çmendura. Shpresoja që regjimi i Putinit do të dobësohej ngadalë dhe se ai do të zëvendësohej. Vetëm një i çmendur mund të mendonte se do të ketë luftë”, tha Aleksei.
Ai tha se Putini nuk e ka mbështetjen e qytetarëve për mobilizim. "Në fillim të luftës, ndoshta disa mund ta kenë përkrahur, të mashtruar nga propaganda shtetërore. Por, tjetër gjë është të shikosh luftën në televizion dhe krejt tjetër të marrësh pjesë në të, të jesh i mobilizuar”, thotë ai.
Ai i bëri këto deklarata teksa ishte i mbështjellë me flamurin bardh-kaltër-bardh. Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ky flamur u bë simbol kundër luftës së Rusisë.
“Simbolet zyrtare të shtetit rus janë komprometuar. Unë e konsideroj veten patriot, por të Rusisë së vërtetë. Putini nuk është Rusi, ndërkaq flamurin zyrtar e njollosi me gjakun e njerëzve ku ai udhëhoqi luftëra - të rusëve, ukrainasve, gjeorgjianëve, sirianëve. Nuk kam ndjenja patriotike kur shoh trengjyrëshin rus [bardh, kaltër, kuq]”, theksoi Aleksei.
Tash për tash, ai tha se dëshiron të qëndrojë në Beograd.
“Nuk e kam idenë se deri kur. Aktualisht jam i papunë dhe e konsideroj veten refugjat”, përfundoi Aleksei.
Serbia kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë dhe refuzon të vendosë sanksione ndaj këtij vendi. Megjithatë, në Kombet e Bashkuara, deri më tani, ka mbajtur qëndrimin e shumicës, që e dënon agresionin rus kundër Ukrainës.
Beogradi është ndër të paktat qytete ku u mbajtën mitingje në favor dhe kundër luftës në Ukrainë - aktivistët kundër luftës protestuan kundër agresionit rus, ndërsa të djathtët organizuan tubime në mbështetje të Kremlinit.
“Thirrjet për mobilizim vërshuan rrjetet sociale”
Derisa po protestonte kundër pushtimit rus, në qendër të Beogradit, Jekaterina Gregorian, 38 vjeçe, mendon se është në vend të sigurt.
Ajo ka ardhur në Serbi, me burrin e saj, dy muaj më parë. Ata shitën gjithçka që kishin në Rusi. Po të kishim qëndruar në Moskë, do të kisha frikë për burrin tim, por tani kam frikë për të afërmit dhe miqtë e mi. Madje, edhe babai i burrit tim është në moshën që mund të mobilizohet”, tha ajo.
Jekaterina në Rusi punonte dhe shiste gërsheta flokësh. Ajo tha se vendosi të largohej nga vendi, në të cilin nuk donte të “paguante taksa dhe kështu të financonte luftën”. Burri i saj ishte inxhinier në një fabrikë në Moskë. Ai dha dorëheqje para se të nisej për në Beograd.
“Kam dëgjuar nga disa mikesha që burrat e tyre kanë marrë porosi për t’iu përgjigjur mobilizimit. Porosi kanë marrë edhe punëtorët në fabrikën ku punonte burri im”, tregoi Jekaterina.
Ikja nga Rusia, biletat e aeroplanëve janë shitur
Në orët e para pas urdhrit të Putinit për mobilizim të pjesshëm, biletat njëdrejtimëshe të aeroplanëve, drejt shumë destinacioneve, u shitën brenda një kohe të shkurtër. Çmimet për terminet e lira janë rritur.
Qytetarët, siç shkruan Reuters, kanë frikë se burrat që janë të aftë për ushtri, nuk do të lejohen të largohen nga vendi.
Reuters raportoi se biletat për fluturimet nga Moska në Stamboll të Turqisë dhe në Jerevan të Armenisë, tashmë ishin shitur të mërkurën. Në të dy këto shtete, rusëve u është mundësuar hyrja pa viza.
Rusët mund të shkojnë pa viza edhe në Gjeorgji, por fluturimet nga Moska për në Tbilisi, gjithashtu nuk ishin të qasshme.
Fluturimet më të lira nga Moska për në Dubai kushtonin më shumë se 300.000 rubla ruse (5.000 euro) - rreth pesëfishi i pagës mesatare mujore në Rusi.
“Ku të ikësh nëse nuk ke pasaportë”, titullohet një artikull nga faqja e pavarur ruse Meduza.
Si destinacion, ndër të tjera përmendin Bjellorusinë, me një paralajmërim se “mos harroni rreziqet e qëndrimit në atë vend”.
Megjithatë, për ata që duan urgjentisht të largohen nga Rusia, mbetet pikëpyetje nëse mund ta bëjnë këtë. Rezervistëve, në momentin që marrrin thirrjet, mund t’u ndalohet largimi nga Rusia.
Më 21 shtator, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për mbylljen e mundshme të kufijve të Rusisë. Ai tha shkurt se Qeveria ruse “shumë shpejt” do të njoftojë se cilat kategori të qytetarëve do të përjashtohen nga mobilizimi i rezervistëve.
Nga Moska në Beograd
Ndër vendet për të cilat rusët nuk kanë nevojë për vizë është edhe Serbia.
Por, për të arritur nga Moska në Beograd me transportuesin kombëtar serb Air Serbia, mund të udhëtohet më 9 tetor, ndërkaq bileta kushton rreth 900 euro për një drejtim.
Këto janë të dhënat që dalin nga kërkimi i biletave në faqen e Air Serbia, më 21 shtator, pak orë pas njoftimit të Putinit. Për fluturimet e para nga Moska kanë mbetur të lira vetëm disa bileta - në klasën më të shtrenjtë dhe ekonomike.
Deri në publikimin e tekstit, Air Serbia nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për fluturimet nga Rusia në Beograd - deri në çfarë mase është rritur interesimi për bileta dhe sa janë rritur çmimet.
Nga Moska, në Beograd mund të arrihet edhe nëpërmjet Stambollit dhe Dubait. Vendet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanët rusë, për shkak të sanksioneve.
Megjithatë, fluturimet e para të lira nga këto qytete janë për të shtunën, më 24 shtator.
Sipas të dhënave të kërkuara nga REL-i, në orët e pasdites më 21 shtator, çmimi i një bilete nga Moska, përmes Dubait për në Beograd, ishte pothuajse 1.4 milion dinarë (11.6 mijë euro). Kjo është më shumë se dhjetëfish më e shtrenjtë se çmimi i rregullt i biletave, i cili ishte i vlefshëm dy ditë para njoftimit të Putinit për mobilizimin.
Protesta në Rusi, kundër mobilizimit
Në të njëjtën kohë kur në Beograd po mbahej protesta kundër luftës, qytetarët anembanë Rusisë gjithashtu dolën në rrugë.
Sipas të dhënave të organizatës së pavarur OVD-info, e cila monitoron protestat, më shumë se një mijë persona u arrestuan në dhjetëra qytete ruse.
Në ditën kur Kremlini shpalli mobilizimin e pjesshëm, aktivistët kundër luftës u dërguan qytetarëve këtë mesazh:
“Mijëra rus – baballarët, vëllezërit dhe burrat tanë – do të hidhen në makinerinë e luftës për bluarje mishi. Pse do të vdesin? Pse do të derdhin lot nënat dhe fëmijët?”, porositi lëvizja kundër luftës “Vesna”, në thirrjen për protesta në qytetet ruse.
E njëjta lëvizje, pak para fjalimit të Putinit dhe shpalljes së mobilizimit, u bëri thirrje ushtarëve rusë që të refuzojnë të marrin pjesë në luftë.
Kundër mobilizimit e ka ngritur zërin edhe politikani opozitar, Aleksei Navalny, i cili po mbahet në burg nga autoritetet ruse.
Në një deklaratë përmes një videoje, në seancën e një prej proceseve gjyqësore kundër tij, Navalny theksoi se shpallja e mobilizimit të pjesshëm çon kah një “tragjedi e madhe”.
“Për të ruajtur pushtetin e tij personal, Putin shkoi në një vend fqinj, vrau njerëz atje dhe tani po dërgon një numër të madh qytetarësh rusë në këtë luftë”, tha Navalny.
Numri i ushtarëve të vrarë është më i lartë sesa që thotë Kremlini
Afatin e obligueshëm ushtarak në Rusi e shërbejnë burrat nga mosha 18 deri në 27 vjeç. Përveç trajnimit, rekrutët në Rusi marrin pjesë edhe në stërvitje ushtarake. Por, ligji nuk e lejon pjesëmarrjen e rekrutëve në luftë.
Megjithatë, dyshohet se ky ligj është shkelur gjerësisht gjatë pushtimit të Ukrainës. REL-i raportoi për disa raste të konfirmuara të dërgimit të paligjshëm të rekrutëve në luftime.
Numri i saktë i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë nuk dihet.
Më 21 shtator, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, paraqiti të dhëna për 5.937 ushtarë rusë të vrarë që nga 24 shkurti, kur Kremlini filloi pushtimin në Ukrainë.
Por, agjencitë perëndimore të inteligjencës tregojnë se numri i të vdekurve rusë është shumë më i lartë se kaq, duke vlerësuar se dhjetëra mijëra ushtarë u vranë, u plagosën ose u kapën.
Në të njëjtën kohë, një numër në rritje i ushtarëve refuzojnë të luftojnë. Si arsye, ata e përmendin udhëheqjen e keqe dhe rezistencën e ashpër të Ukrainës.
Aktivistët rusë për të drejtat e njeriut theksojnë se qindra ushtarë, nëse jo mijëra, po refuzojnë urdhrat për vendosjen e trupave, për të vazhduar luftimin ose për të qëndruar në fushën e betejës.
Deri më tani, për shkak të frikës nga reagimi i popullit, Kremlini ka refuzuar që pushtimin ta quajë luftë dhe të shpallë mobilizim të përgjithshëm.
Në vend të kësaj, filloi një fushatë e fshehtë për të rekrutuar luftëtarë, e cila përfshinte stimuj të lartë monetarë për të shkuar në fushën e betejës, zgjatjen e kufizimeve të moshës dhe lirimin e të burgosurve, në mënyrë që të shkonin në front.
Siç raportojnë mediat botërore, Rusia u orientua kah rekrutimi i të dënuarve nëpër burgje përmes kompanisë private ushtarake Wagner.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe Qeveria ukrainase kanë akuzuar anëtarët e grupit mercenar Wagner për krime lufte në Siri dhe Ukrainën lindore që nga viti 2014.
Mbi 200 ditë luftë
Më 24 shkurt, Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë. Që atëherë, Evropa është përballur me lëvizjet e detyruara të popullsisë, më të shpejtat që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pothuajse një e treta e popullsisë së Ukrainës, rreth 14 milionë njerëz, u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, të publikuara më 19 shtator, që nga fillimi i luftës ka pasur 14.532 viktima civile në Ukrainë - 5.916 të vrarë dhe 8.616 të plagosur.
Theksohet se bëhet fjalë për viktimat që deri më tash janë identifikuar dhe konfirmuar zyrtarisht.
Shifrat reale, sipas vlerësimeve të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare humanitare, janë dukshëm më të larta.