Maqedonia dhe Greqia drejt zgjidhjes së kontestit të emrit

Ndërmejtësuesi i OKB-së Matthew Nimetz gjatë vizitës në Shkup

Mesazhet e ndërmjetësit të OKB-së për emrin Matthew Nimetz janë edhe mesazhe të kryeministrave të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, se Maqedonia dhe Greqia janë në rrugë të mirë për të mbyllur kontestit më se dy dekadësh për emrin.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar vizitës e diplomatit Nimetz në Athinëm e më pas edhe në Shkup.

Ish-ambasadori Alajdin Demiri, thotë se nga prononcimet e deritanishme si nga pala maqedonase ashtu edhe nga pala greke, fitohet përshtypje se dy qeveritë si asnjëherë më parë janë të përkushtuar për hapjen e një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe. Ai vlerëson se dy palët tashmë kanë kaluar edhe dallimet sa i përket identitetit.

“Premtimi është se pozita edhe në Greqi edhe këtu është e gatshme të bëjë kompromisin dhe të zgjidhet emri. Pra, kjo do të jetë ajo zgjidhja e cila është një bagazh i vjetër dhe nga e cila duhet të shpëtojnë edhe Greqia edhe Maqedonia. Është problem vetëm se për emrin pasi identiteti, gjuha, alfabeti nuk do të preken. Kompromisi është mes Maqedonisë Antike dhe kësaj Maqedonie. Maqedonasit antikë sot nuk ekzistojnë, ata janë grekë, ndërsa maqedonasit këtu janë sllavë, pra janë një identitet i ri që është në formim”, thotë Demiri.

Por, Nano Ruxhin, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë se megjithatë kanë ende punë për të bërë deri në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.

“Mendoj se tani do të nisë faza e fundit e bisedimeve, të dyja palët tani do të bëjnë klasifikimin e propozimeve, çfarë është e mirë e çfarë nuk është dhe secila palë do të pranojë ato pika, ndër të cilat nuk do të mund të shkohet. Kjo nënkupton se palët mund të mos jenë të kënaqura deri në fund, por kompromis duhet të ketë. Pala greke ka dalë me një propozim, i cili për palën maqedonase nuk është edhe lehtë për t’u pranuar për shkak të çështjes së identitetit. Këto do të përqendrohen të gjitha energjitë, por besoj se fundi mund të jetë i mirë”, thotë Ruxhin i cili mbron qëndrimin se me ndryshimin eventual të emrit të shtetit, nuk ndryshon edhe identiteti i popullit maqedon.

Për dallim nga partitë në pushtet, që duken se po ecin në rrugë të mbarë për zgjidhjen e kontestit, partitë opozitare dhe grupet e ndryshme të shoqërisë civile në të dy vendet vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tanishme, njëra palë, ajo greke e cila kërkon që zgjidhja të mos përmbajë në asnjë variant emrin Maqedoni dhe pala tjetër, ajo maqedonase, e cila kërkon që me asnjë çmim të mos ndryshohet emri i tanishëm.

Aljadin Demiri thotë se pakënaqësi dhe kërcënime nga grupet të ndryshme janë të pritshme, por me rëndësi sipas tij është që nga institucionet e dy vendeve të ketë vullnet për zgjidhjen e problemit.

“Protestat vijnë nga grupet të cilave u konvenon një situatë e tillë, mirëpo fakti se mazhoranca ajo që ka mandat të zgjidhë këtë problem ka mendim ndryshe nga grupet që protestojnë, e kjo e ndryshon situatën. Grupe margjinale kemi edhe në Greqi edhe në Maqedoni dhe kjo është normale. Në një situatë të këtillë, është e pamundur që të gjithë të jemi të një zëri”, thotë Demiri.

Ndryshe, paralelisht me bisedimet mes dy vendeve, po zhvillohen edhe konsultime për arritjen e një konsensusi të brendshëm. Takimi të nivelit të lartë do të zhvillohen edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim që zgjidhja e cila do të ofrohet të jetë e pranueshme për të gjithë edhe pse disa nga njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se do të ketë një gjë të tillë. Bazuar në prononcimet e drejtuesve të institucioneve, dy shtetet mund të arrijnë marrëveshje në gjysmën e parë të vitit.