Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, u bëri thirrje pacientëve që janë shëruar nga COVID-19 të dhurojnë plazmën e tyre të gjakut pasi mund të përdoret për shërimin e atyre personave që po luftojnë me koronavirusin e ri.
Në Maqedoninë e Veriut, donatorët e parë të plazmës konvulsive janë regjistruar në fillim të prillit dhe deri tani janë siguruar 61 njësi gjak, ka bërë të ditur ministri Filipçe.
“Plazma e gjakut mund të dhurohet nga një person që është shëruar nga koronavirusi. Të tregohemi humanë dhe të ndihmojmë pacientët që ende po luftojnë me këtë virus të paparashikueshëm. Ju bëj thirrje solidaritetit, sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti ynë dhe shëndeti i të dashurve tanë”, ka theksuar Filipçe në një prononcim me shkrim.
SHIKONI EDHE: A janë disa grupe gjaku më rezistente ndaj koronavirusit?Ai nuk ka bërë të ditur për efektin që ka dhënë kjo metodë e shërimit, por nga Klinika Infektive janë shprehur të kënaqur me rezultatet, pa saktësuar se sa kohë mund t’i kenë antitrupat personat që e pranojnë plazmën e gjakut nga persona të shëruar nga virusi.
Procesi i terapisë me plazmë konvulsive zgjat për më shumë se një orë, dhe plazma nga një donator i vetëm mund të përdoret për të trajtuar tre ose katër pacientë. Por, jo të gjithë personat e shëruar nga COVID-19 mund të dhurojnë plazmën konvulsive.
Your browser doesn’t support HTML5
“Ata që kanë shprehur dëshirë për të dhuruar plazmës, megjithatë duhet t’i plotësojnë disa kushte, pra jo të gjithë mund të jenë dhurues. Ata duhet të plotësojnë kushtet e dhuruesve të rregullt të gjakut, duhet të jenë të moshës mes 18 dhe 60 vjeç. Të sëmurët kronikë nuk mund të jenë dhurues. Duhet të kenë testin e parë kur janë diagnostikuar me COVID-19 dhe pastaj dy teste negativ të njëpasnjëshëm. Pas kësaj ata duhet të presin 21 ditë që t’i ftojmë për testin e tretë, por edhe një sërë analizash tjera që të vërtetojmë mirë se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore që të mos dëmtohen ata që pranojnë gjakun e tyre”, thotë Radica Gruboviq-Rastvorceva, mjeke specialiste në Institutin për Transfuzion në Shkup, duke sqaruar se cilët persona të infektuar mund të pranojnë plazmën e dhuruar.
“Bazuar në praktikat ndërkombëtare, me plazmë konvaleshence mund të trajtohen personat që janë në fazën e mesme të sëmundjes dhe atë që janë në fazën më të vështirë. Gjithçka bëhet në koordinim me infektologët që merren me trajtimin e tyre. Pra, me këtë metodë shërohen personat e shtruar në spital që kanë simptome të rënda të rrugëve të frymëmarrjes”, thekson Radica Gruboviq-Rastvorceva, mjeke specialiste.
SHIKONI EDHE: Pandemia dëmton rëndë turizmin në Maqedoninë e VeriutNga Instituti për Transfuzion të gjakut thonë se terapia me plazmë konvulsive është treguar efikase në luftimin e sëmundjeve të shkaktuara nga viruset ebola dhe SARS. Meqenëse nuk ka ndonjë terapi specifike ose vaksinë e cila është në kërkim, hulumtimet e fundit sugjerojnë që plazma konvulsive mund të jetë e dobishme në trajtimin e infeksionit të shkaktuar nga koronavirusi i ri (SARS-CoV-2).
Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht, me COVID-19 janë të diagnostikuar 11,289 persona, 511 prej kanë vdekur, 7,221 janë shëruar ndërsa 3,557 të tjerë ende janë aktiv. Të dhënat rezultojnë nga testimi i 108,384 mostrave që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19 më 27 shkurt.