Turizmi është një nga sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.
Ky vend i ka të zhvilluara të gjitha degët turistike, por më i njohur mbetet Liqeni i Ohrit, të cilin, sipas të dhënave të Entit të Statistikave, në vitin 2019 e kanë vizituar rreth 200 mijë turistë të huaj dhe rreth 150 mijë vendorë.
Këtë vit, për shkak të koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19, shifrat e vizitorëve të huaj janë thuajse të papërfillshme.
Javën e kaluar kanë arritur 100 turistët e parë nga Polonia, ndërkohë që nuk ka paralajmërime nëse do të ketë turistë të tjerë, të cilët kryesisht vijnë nga vendet aziatike, por edhe nga shtetet evropiane, si: Holanda, Belgjika, Çekia e të tjera.
“Gjendja nuk është aspak e mirë, por mbetemi me shpresë se nga java e ardhshme ajo mund të përmirësohet. Presim që të paktën të mbushet gjysma e kapaciteteve, edhe atë më shumë nga turistët vendorë. Në këtë ka ndihmuar edhe ndihma financiare që ka ndarë qeveria për disa kategori të qytetarëve, të cilët do të mund ta shfrytëzojnë në Ohër dhe qendra tjera turistike”, thotë Krste Blazeski, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve nga Ohri.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, Maqedoninë e Veriut, në muajin maj, e kanë vizituar 838 turistë, që është për 99.2 për qind më pak se në muajin e njëjtë të vitit 2019.
Drejtuesit e hoteleve thonë se turizmi asnjëherë nuk ka qenë në gjendje kaq të mjerueshme sa tani, gjatë pandeminë.
“Mund të them se jemi në respiratorë. Për momentin, gastronomët janë në respiratorë dhe është çështje kohe kur do të ndalen. Hotelet dhe plazhet asnjëherë nuk kanë qenë më të braktisura se tani. Humbjet janë të mëdha, bizneset nuk po arrijnë të sigurojnë as paga minimale për punonjësit e tyre. Besoj se ndoshta do të ketë ndonjë lëvizje të vogël”, thotë Ana Jançeva, menaxhere hoteli në Ohër.
Dëmet vazhdojnë, përkundër lehtësimit të disa masave
Përveç qytetit të Ohrit, me pasoja po përballet edhe Struga, qytet ky që gjithashtu është pranë liqenit.
“Në këta pesë muajt e kaluar, sidomos sektori turistik, qoftë ai i kafeneve, restoranteve dhe hotelierik, është dëmtuar në masë të madhe. Këtë besoj se do ta tregojnë shifrat mbi dëmet që janë bërë. Por, fatkeqësisht, dëmet vazhdojnë edhe tutje, përkundër asaj se kemi disa lehtësime të masave. U hapën kafenetë dhe restorantet, por jo edhe hotelet”, thotë kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Ai thotë se gjendja është zbutur pak me masat e qeverisë për familjet më të goditura, pasi, në të kundërtën, shton ai, gjendja do të ishte edhe më e keqe.
“Këto masa, si vauçerët dhe rrogat minimale, kanë zbutur varfërinë te qytetarët, sidomos të asaj pjese që kanë pasur rroga të ulëta. Ndërsa, sektorët tjerë sadopak kanë punuar. Kanë punuar ndërtimtaria dhe administrata, e cila me ndihmën e qeverisë arriti të mos marrë rroga të shkurtura, pasi dy apo tri rroga ia fali shteti”, thotë Merko.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për muajt prill, maj dhe qershor, ka miratuar pako të ndihmave për të gjitha kategoritë e qytetarëve, por edhe për bizneset për t’i mbajtur punëtorët në punë.
Ndihmat janë në shumën e pagës minimale prej rreth 250 eurosh. Masa të ngjashme janë miratuar edhe për muajt korrik, gusht dhe shtator.