Javë vendimtare për reformat në gjyqësor

Objekti i Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoni. Foto nga arkivi

Kuvendi i Maqedonisë këtë javë duhet të miratojë ligjet kryesore në sferën e pushtetit gjyqësor, që vlerësohen si vendimtare për marrjen e një raporti pozitiv nga Komisioni Evropian, i cili pitet të publikohet javën e ardhshme në Bruksel.

Ligjet për punën e gjykatësve, Prokurorinë Publike, dëshmitarët e mbrojtur, ndjekjen e komunikimeve dhe agjencinë tekniko-operative, vlerësohen si thelbësor për ngritjen e nivelit të gjyqësorit, si në aspekt të largimit të ndikimeve politike, ashtu edhe në rritjen e efikasitetit. Por, që këto ligje të kalojnë nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend, e të cilat shumica parlamentare nuk i ka pa mbështetjen edhe të opozitës maqedonase.

Kjo e fundit, si kusht për të ndërprerë bojkotin dhe për të mbështetur ligjet ka vënë kërkesën për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, që në rend dite është vendosur në seancën e ditës së mërkurë, kështu që pas këtij debati pritet që në seancat e dy ditëve të fundit të javës, të miratohen edhe ligjet reformuese, siç quhen ndryshimet ligjore në gjyqësor.

Miratimin e këtyre ligjeve me votat edhe të opozitës, Qeveria e Maqedonisë e vlerëson si të rëndësishëm, pasi kjo do të ishte garanci se ligjet mund të gjejnë zbatimin në praktikë për të pasur një gjyqësor të pavarur dhe efikas.

“Këtyre ditëve do të shihen rezultatet e dialogut me opozitën dhe unë jam i lumtur që po ndërtohet një konsensus kombëtar për reformat serioze. Maqedonia është përballur me një gjyqësor të kapur nga politika dhe që nuk ka qenë aspak në krye të detyrës, apo në shërbim të qytetarëve kur është në pyetje ndarja e drejtësisë. Ne, jemi të përcaktuar për reforma dhe largimin e politikës nga gjyqësori, që gjykatësit të mund të punojnë lirshëm, të jenë të pavarur dhe efikas në ndarjen e drejtësisë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ekspertët presin që ligjet konkrete të miratohen shumë shpejtë pasi është e qartë se për kalimin e tyre ka një konsensus mes pushtetit dhe opozitës.

“Këto ligje në një afat më të gjatë kohor do të ndikojnë në atë se çfarë pushteti gjyqësor do të kemi, prandaj për ligjet kyçe reformuese apo për ligjet sistemore si ligji për gjykatat është e nevojshme që të miratohen me dy të tretat e votave”, thotë Iva Conevcka nga Instituti për Politika Evropiane.

Sa i përket rekomandimit, ajo pret që Komisioni të jep vlerësime pozitive për arritjen e konsensusit për reformat, por mbetet e hapur çështja nëse do të arrihet rekomandimi për nisjen e bisedimeve.

“Rekomandimi mund të kushtëzohet me çështjen e emrit, apo eventualisht nga tri sferat kyçe sa i përket reformave, pra për reformat”, thotë Conevska.

Këtë javë në Maqedoni pritet të arrijë në vizitë shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, ndërsa javën e ardhshme apo një ditë pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian në Maqedoni pritet të arrijnë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe Komisionieri për Zgjerim Jahannes Hahn. Në fokus të takimeve do të jetë çështja e emrit, pa zgjidhjen e të cilit Maqedonia nuk do të mund të anëtarësohet as në Bashkimin Evropian e as në NATO.