Procesi i reformave në sistemin gjyqësor në Maqedoni, jo vetëm që po ngecë, por rasti i fundit me fëmijën Almir Aliu dëshmon se gjyqësori vazhdon të udhëhiqet nga joprofesionalizmi dhe vendime të njëanshme, në veçanti kur bëhet fjalë për raste mes përkatësive të ndryshme etnike. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar protestën e të mërkurës kundër vendimit të prokurorisë dhe gjykatës në Kumanovë për rikualifikimin e ngjarjes së para dy vjetëve me fëmijën katërvjeçar në këtë qytet nga “vrasje” në “aksident komunikacioni”.
Ky rast nxiti edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliu i cili ka pranuar se reformat nuk janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë.
“Situatat që dolën nga rasti ‘Sopoti’, por edhe rastet tjera që kanë qenë temë tabu për një kohë të gjatë, krijojnë huti në opinion se çfarë po ndodhë me sistemin e drejtësisë në vend. Nga e gjithë kjo del se ka ende shumë punë për të bërë, duhet të përfshihen ekipe njerëzit, profesionistë të cilët do t’i japin shtytje procesit, apo nuk të do të lejojnë hapësira të tilla që nuk korrespondojnë me sistemin e së drejtës”, thotë Besa Kadriu, ligjëruese në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ajo i vlerëson të drejtën e protestave dhe shprehjen e pakënaqësive të ndryshme ndaj vendimeve të organeve të drejtësisë.
“Ne si qytetar irritohemi shumë në momentet kur kriminelët që kanë kryer veprat lirohen apo shëtisin nëpër rrugët e qyteteve gjithandej. Kjo krijon jo vetëm mungesë të sigurisë tek qytetarët, por edhe ndjenjën e dështimit të sistemit i cili pati përpjekje të mëdha, aspirata të mëdha për të vendosur drejtësinë në kuadër të sistemit gjyqësor”, thotë Kadriu.
Edhe Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike thotë se procesi i reformave në gjyqësor nuk po ecën me dinamikën e kënaqshme, por dorëheqja e ministrit të Drejtësisë nuk beson se do të ketë pasoja ndaj këtij procesi që duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ai thotë se gjyqësori ka pasur goditje të rënda në të kaluarën, andaj edhe është koha që të eliminohen të gjithë faktorët që e kanë sjellë gjyqësorin në këtë gjendje.
“Procesi i reformave nuk mund të varet nga një njeri, sikur ai të jetë edhe ministër. Procesi i reformave është përcaktim strategjik i shtetit, në të cilin janë të përshirë shumë institucione. Megjithatë, gjyqësori dhe prokuroria janë ato që duhet të reformohen. Ministria këtu ka, të them përgjegjësi të vogël sikur edhe institucionet tjera, sa i përket këtij procesi. Nuk pres që dorëheqja e ministrit do të ngadalësojë procesin i reformave, i cili, edhe ashtu është i ngadaltë”, thotë Dujoski.
Përveç me rastin e Almir Aliut, në gjyqësor ka pasur edhe zhvillime tjera që kanë tronditur opinionin.
Njëmbëdhjetë banorë shqiptarë të fshatit Sopot të Kumanovë, pas 15 vjet vuajtje nga më të ndryshme, janë shpallur të pafajshëm lidhur me një shpërthim në fshatin e tyre në vitin 2003, nga i cili kishin humbur jetën dy ushtarë të NATO-s. Veç kësaj, anulim të vendimit gjyqësor ka pasur edhe ndaj gjashtë shqiptarëve të tjerë të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonaseve në Smillkovcë, në vitin 2012.