Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të ndryshojë raportet e këtij institucioni me Qeverinë, por edhe me komunitetin ndërkombëtar, bazuar sipas vlerësimeve të njohësve të çështjeve politike. Paraprakisht edhe partitë në pushtet të udhëhequra nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM), që e kishin nominuar dhe zgjedhur për president, kanë thënë se me Stevo Pendarovskin në krye të shtetit, do të vazhdojë kursin euroatlantik të Qeverisë dhe si dhe konceptin e saj, “Një shoqëri për të gjithë”.
SHIKONI EDHE: Stevo Pendarovski inaugurohet president i Maqedonisë së VeriutAlbert Musliu, analist dhe drejtues shoqatës “Iniciativa Demokratike”, beson se vendi përfundimisht do t’i japë fund bllokimit të procesit reformave nga presidenti i deritanishëm, Gjorge Ivanov, i cili kishte refuzuar dekretimin e dhjetëra ligjeve për shkak të mos pranimit të emrit të ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, ndërsa kishte mbajtur zvarrë edhe shumë vendime tjera në politikën e jashtme si emërimin e ambasadorëve, por edhe ratifikimin e marrëveshjeve dypalëshe.
“Gjithsesi se me zgjedhjen e këtij presidenti dhe nëse ai i përmbush premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës, por edhe mbrëmjen kur u kumtua se është zgjedhur president, mendoj se gjithë procesin e përshpejton, jo vetëm për faktin se nuk do të ketë dilema për nënshkrimin e ligjeve që janë me rëndësi për Maqedoninë e Veriut, por ai do t’i japë një impuls pozitiv edhe raporteve të vendit me partnerët tanë euroatlantik. Mendoj se do të kemi një president më të përgjegjshëm dhe më vizionar lidhur me ardhmërinë euroatlantike të shtetit”, thotë Musliu.
SHIKONI EDHE: Dialogu i brendshëm shpejton rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-sëPresidenti i ri, Stevo Pendarovski në postin e kreut të shtetit u zgjodh edhe me votat e shqiptarëve, të cilët ishin vendimtare në fitoren e tij. Musliu thotë se ai do të jetë ndryshe nga tani më ish presidenti Ivanov, i cili kishte refuzuar dekretimin e Ligjit për gjuhën shqipe, si dhe zgjidhje tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët.
“Pikë së pari mendoj se presidenti i ri do të respektojë plotësisht Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve. Nga ana tjetër, nuk besoj se ai do të bëjë zgjedhje politike të personave sa për t’u parkuar në presidencë. Pres që të mos ketë dilema në këtë temë dhe se relacionet me shqiptarët do të shënojnë një përmirësim më rrënjësor apo përmbajtësor”, thotë Musliu.
Ish-presidenti Gjorge Ivanov, pas përfundimit të mandatit nuk e ka përjashtuar mundësinë e shkuarjes në pension, pasi ligji aktual i jep privilegje të shumta, pagë të njëjtë sikur edhe presidenti në detyrë, kabinet të posaçëm, të paktën katër punonjës e përfitime tjera.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se ky ligj duhet të ndryshojë, meqë pas përfundimit të mandatit, ish presidentët mund të vazhdojnë angazhimin e tyre në sfera të ndryshme.
“Megjithatë, duhet të punojnë apo të jenë në shërbim të shoqërisë. Janë njerëz që vërtetë mund të kontribuojnë dhe ata mund të bëjnë një gjë të tillë nëse u shkurtohen privilegjet. Veç kësaj, ne jemi shtet i varfër dhe nuk duhet të lejojmë që persona të tillë pavarësisht se kanë qenë në poste të larta të jenë të privilegjuar. Ivanov është i ri në moshë dhe mund të japë kontribut në profesionin e tij, por edhe në sfera tjera të shoqërisë. Mund t’i jepet pension deri sa të gjendet në shoqëri, por nuk mendoj se duhet t’i jepet pension deri në fund të jetës”, thotë Temellko Ristevski, njohës i çështjeve juridike.
SHIKONI EDHE: Leksionet e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e VeriutNdryshe, presidenti i ri, Stevo Pendarovski ka marr urime të shumta me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale, si nga përfaqësues të Bashkimit Evropian ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Stevo Pendarovski ka thënë se do të jetë presidenti i të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike, fetare apo politike dhe se qëllimi kryesor i tij do të jetë uniteti e jo ndarja e popullit dhe realizmi i aspiratave për anëtarësim në NATO dhe BE.
Ai në balotazhin e 5 majit me rreth 60 mijë vota diferencë mundi kandidaten e opozitës maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova.
Mandati i presidentit të Maqedonisë së Veriut zgjat pesë vjet.