Ndërlidhjet

Dialogu i brendshëm shpejton rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së


Vendosja e flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe atij të BE-së në Shkup.
Vendosja e flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe atij të BE-së në Shkup.

Maqedonia e Veriut ka shënuar 9 Majin, Ditën e Evropës, me shpresë se në qershor do të marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin vendit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri për çështje të Integrimeve Evropiane, Bujar Osmani, si organizator i mëngjesit tradicional me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, ka theksuar se vendi me përparime të mëdha ka ecur drejt BE-së dhe se pret që edhe BE-ja të afrohet me Maqedoninë e Veriut.

“Kemi ecur përpara me hapa të mëdhenj drejt BE-së dhe presim tani që BE-ja të vijë më afër nesh me vendim për hapjen e negociatave”, ka theksuar Osmani.

Por, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, është shprehur më i përmbajtur në këtë drejtim, duke theksuar se nuk mund të premtojë se Maqedonisë së Veriut në qershor do t'i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Diplomatët e huaj njëherësh kanë theksuar se tani është koha që politikanët dhe partitë politike t’i lënë mënjanë dallimet, me qëllim që të intensifikohen përpjekjet, së pari të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, së dyti të shkohet përpara në negociata.

Në këtë drejtim, Nazmi Maliqi, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin FON të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Brukseli kësaj radhe nuk do t'i mbyll sytë ndaj ngecjeve sa i përket realizimit të reformave në Gjyqësor po edhe në lëmi tjera.

Maliqi nënvizon se për realizimin e suksesshëm të reformave, pushteti duhet të angazhohet që komunikimi me opozitën të jetë funksional.

“Porosia e faktorit ndërkombëtar është e qartë se vullneti politik duhet të mbështetet në politika funksionale dhe kjo qeveri me siguri sa më shpejt duhet të përfundojë me rolin aktrues pozitiv dhe më tepër t'i përvishet realizimit të projekteve që e përafrojnë Maqedoninë e Veriut drejt Bashkimit Evropian”, konsideron Maliqi.

Ai shton se raportet mes palëve kryesore politike në Maqedoninë e Veriut, mbeten të acaruara edhe kundrejt gjithë atij aktrimi pro NATO-s, pro Bashkimit Evropian.

“Akoma në Maqedoninë e Veriut mbeten reformat e pazbatuara, akoma flitet për kriminalitet të organizuar , për partizim të administratës shtetërore dhe shumë vërejtje ndaj shtetit sa i përket sundimit të së drejtësisë”, shton Maliqi.

Për rëndësinë e unifikimit të të gjitha subjekteve për të çuar para procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe presidenti i sapozgjedhur, Stevo Pendarovski.

Ai para ambasadorëve të vendeve të BE-së, është zotuar se do të punojë në këtë drejtim.

“Që nga dita e parë e marrjes së funksionit nga ana ime, do të punoj me opozitën, me sektorin civil, me mediumet, me të gjithë ata që e ndajnë qëllimin e përbashkët dhe ajo është të jemi anëtar i plotfuqishëm i BE-së dhe NATO-s dhe të jemi evropianë të vërtetë”, ka thënë Pendarovski.

Maqedonia e Veriut pret nga Këshilli i BE-së në qershor të marrë datë për fillimin e negociatave, por arritja e ujdisë ndërmjet pushtetit dhe opozitës për miratimin e Ligjit që rregullon punën e Prokurorisë Speciale Publike është një nga çështjet vendimtare në bazë të së cilës Brukseli do të marrë vendim sa i përket dinamikës së hapërimit të Maqedonisë së Veriut drejt familjes evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG