Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se vendi nuk i rrezikuar nga përhapja e koronavirusit, i cili ka lënë të vdekur mbi 200 persona në Kinë.
Megjithëse Maqedonia e Veriut është shtet me rrezikshmëri të ulët, shteti i është bashkuar vendeve të tjera, të cilat po zbatojnë masa kundër këtij virusi.
Duke ndjekur rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Maqedonia e Veriut ka vendosur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kamera termale, ku skanohen udhëtarët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai, vende këto që kanë linja ajrore me Kinën, ku është vatra e virusit.
SHIKONI EDHE: OBSH-ja shpall emergjencë globale për koronavirusin e riNë aeroport ka edhe ekipe mjekësore të cilët kontrollojnë udhëtarët nëse shfaqet ndonjë dyshim.
Mjekja Sandra Petrovska, e cila është pjesë e ekipit kujdestar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përmes kamerës termale kontrollohet nëse udhëtarët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai kanë temperaturë më të lartë se normalja.
“Te të gjithë ata që regjistrohet temperaturë më e lartë se normalja, do t’u bëhen kontrolle që të determinohet nëse kanë qenë në kontakt me ndonjë pacient nga rajoni i rrezikut dhe më pas nëse ka nevojë ndërmerren masa plotësuese”, thotë Petrovska, e cila shton se udhëtarëve po u shpërndahen fletushka me informacione rreth simptomave të virusit.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ka vend për panik, pasi sipas këtij institucioni, shteti po i ndërmerr masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së këtij virusi në Maqedoni të Veriut.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se dikasteri që ai drejton ka kapacitete për t’iu përgjigjur sfidave nga virusi i ri dhe ka plan për mjekim, izolim dhe futjen në karantinë të personave që potencialisht mund të preken nga ky virus.
“Kemi edhe algoritëm për shërim nëse kemi ndonjë pacient potencial të prekur nga ky virus dhe nëse është e nevojshme të bëhet izolimi i tij në përputhje me rekomandimet”, theksoi ministri Filipçe.
*Expose: Sa në të vërtetë i rrezikshëm është koronavirusi?
Your browser doesn’t support HTML5
Epidemiologët në Maqedoninë e Veriut sqarojnë se virusi i ri ka simptoma të ngjashme me gripin.
“Forma e vetme është parandalimi (nga infektimi me virus) sepse ende nuk ka vaksinë për këtë virus”, thotë Zharko Karxhovski, epidemiolog në Institutin për Shëndetësi Publike.
Përhapja e koronavirusit të ri në Kinë ka rritur frikën e përhapjes së këtij virusi përmes dërgesave postare të produkteve nga Kina. Por, drejtoria e Postave të Maqedonisë së Veriut ka sqaruar se nuk ka vend për shqetësim, pasi dërgesat e tilla kalojnë nga Praga dhe Frankfurti, ku ju nënshtrohen kontrolleve të detajuara.
SHIKONI EDHE: Virusi i ri: Vendet e rajonit marrin masa parandalueseNdërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut ndodhen në përfaqësi diplomatike në Kinë, por asnjëri nga ta nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e virusit.