Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar edhe gjashtë raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 18 numrin e përgjithshëm të të prekurve sëmundja Covid-19.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, i cili udhëheq grupin e krizës, ka thënë se të infektuarit janë persona të kthyer në vend nga shtetet me rrezik të lartë. Gjithsej ishin testuar 12 persona, gjashtë prej të cilëve kanë dalë me rezultate pozitive.
Ministri i Shëndetësisë njoftoi edhe për masa tjera që janë ndërmarrë nga trupi qeveritar i krizës: janë mbyllur të gjitha vendkalimet kufitare përveç në Bogorodicë më Greqinë, Qaf Thanë me Shqipërinë, Tabanoc me Serbinë dhe Bllacë me Kosovën. Është mbyllur edhe aeroporti në Ohër. Hyrja në Maqedoninë e Veriut i ndalohet të gjithë personave që vijnë nga shtetet me rrezik të lartë dhe të mesëm. Përveç marketeve dhe barnatoreve janë mbyllur të gjitha dyqanet tjera, bastoret sportive, klubet e natës e të tjera.
Kryeministri Oliver Spasovski ka njoftuar për vendimin për anulimin e të gjitha aktiviteteve politike.
“Shëndeti dhe jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, kështu që ne besojmë se mesazhin më të fortë për qytetarët në këtë moment duhet ta dërgojnë partitë politike, në mënyrë që të respektojnë rekomandimet dhe është mirë që të gjithë liderët politikë pajtohen që moratoriumi duhet të qëndrojë deri më 22 mars. Sigurisht, si do të zhvillohen ngjarjet, ne jemi këtu, të hapur për të gjithë të ulemi së bashku, dhe të vendosim se çfarë është në interesin më të mirë të qytetarëve”, ka deklaruar Oliver Spasovski pas kontakteve që ka pasur me të gjithë liderët e partive politike.
SHIKONI EDHE: Shkup: Anulohen të gjitha tubimet parazgjedhoreNga e premtja në mesnatë, Dibra dhe Zhupa, dy zona në perëndim të vendit janë izoluar, pasi pikërisht nga këto dy vende edhe është numri më i madh i të infektuarve.
“Është vendosur sistemi i organizuar institucional që do i përfshijë gjitha aspektet që do mbulojnë çdo qytetarë të Dibrës dhe Qendrës Zhupa. Bashkë me kryetarët e komunave, që janë të kyçur dhe me të cilët bashkëpunojmë, do të sigurojmë gjitha kushtet që të merren masat më të mira shëndetësore. Do marrim masa për organizimin e përditshmërisë në gjendje krize. Në Dibër dhe Zhupë, do sigurohen gjitha nevojat për funksionim të pandërprerë të kapaciteteve të prodhimtarisë ushqimore, pompat e benzinës, barnatoret dhe spitalet”, ka deklaruar kryeministri Spasovski.
Për gjendjen me koronavirusin të hënën do të mblidhet edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti, Stevo Pendarovski.
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka kërkuar që të shpallet gjendje krize në gjithë Maqedoninë e Veriut.