Ndërlidhjet

Shkup: Anulohen të gjitha tubimet parazgjedhore


Shkup
Shkup

Liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut janë pajtuar për të anuluar të gjithë aktivitetet politike deri më 24 mars ndërsa bënë thirrje për respektimin e të gjitha rekomandimeve të komitetit shtetëror për mbrojtje nga koronavirusi i ri.

Takimi u thirr nga kryeministri, Oliveri Spasovski për të koordinuar masat para se vendi të nisë fushatën elektorale pas dy javësh për zgjedhjet parlamentare, më 12 prill.

“Më e rëndësishme, është shëndeti i qytetarëve. Në këtë drejtim janë edhe rekomandimet për tubimet dhe kafiteritë. Mbeten ndalen në fuqi ndalesat për mësim për nxënësit dhe studentët. Konfirmuam se fushata do të jetë në pajtim me rekomandimet e Shtabit të Krizës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjithë e kemi për obligim që t’i respektojmë. Apeloj deri tek qytetarët që në maksimum të respektohen këto rekomandime”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, ish-kryeministri, Zoran Zaev.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se në këtë takim nuk është biseduar për shtyrjen e zgjedhjeve por anulimin e tubimeve gjatë fushatës zgjedhore.

“Nuk është shqyrtuar mundësia për shtyrjen e zgjedhjeve. Ajo për çfarë kemi biseduar ka të bëjë kryesisht me fushatën zgjedhore në të cilën nuk do të ketë mitingje partiake. Do të zhvillojmë fushatë alternative, do të shkojmë derë më derë, do të organizojmë konferenca për mediat ndërsa do të shfrytëzojmë edhe rrjetet sociale për përcjelljen e qëndrimeve partiake”, ka deklaruar kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se beson që nuk do të ketë përhapje të koronavirusit, por kjo sipas tij nuk nënkupton që institucionet të mos ndërmarrin masa parandaluese.

“Të gjithë u dakorduam që këto masa duhet të përforcohen, pavarësisht se vendi jonë nuk është i rrezikuar nga ky virus. Megjithatë, shteti obligohet që të ndërmerr masa që ky virus të mos përhapet. Sa u përket zgjedhjeve do të respektohen rekomandimet që do të dalin nga organet kompetente, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Grupi i krizës”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela bëri thirrje që të mos përhapet panikë ndërsa nga kompanitë farmaceutike që të mos e shfrytëzojnë gjendjen për ngritjen e çmimeve.

“Nuk ka vend të bëjmë panik. Kjo situatë do të kalojë. Njerëzit duhet të jenë më solidarë me njëri-tjetrin. Sikur se edhe me viruset tjera, pacientët më të prekur janë ata me sëmundje kronike. U bëj thirrje kompanive farmaceutike mos të keqpërdorin situatën. Nuk u diskutua për anulimin e zgjedhjeve. Deri më 24 mars do të vlejnë këto ndalesa nga shtabi i krizës”, ka deklaruar Sela.

Shtabi i krizës ka vendosur gjithashtu ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve në shtet ndërsa kafenetë dhe lokalet tjera shërbyese do të punojnë deri në orën 18.00.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut është 9. Nga ta, tre kanë shfaqur shenja të komplikimeve të lehta ndërsa gjashtë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG