Maqedonia e V. planifikon të vaksinojë 20 për qind të popullsisë kundër gripit sezonal

Shkup, 5 gusht, 2020.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut thotë se ka marrë ftesë nga Aleanca globale për vaksina dhe Imunizim si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që t’i bashkohen iniciativës për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit të ri. Po ashtu, në vjeshtë, autoritetet po përgatiten të nisin një program të vaksinimit të 20 për qind të popullatës, kundër gripit sezonal.

OBSH ka nisur një iniciativë përmes skemës së quajtur COVAX, ku shtetet pjesëmarrëse në të, do të kenë qasje më të lehtë kur të zbulohet vaksina eventuale kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.

“COVAX mekanizmi (qasja globale në vaksinat kundër COVID-19) pritet të rezultojë në zbulimin e një vaksine dhe vendosjen e pandemisë në kontroll në një afat sa më të shkurtër kohor. Gjatë periudhës së kaluar kemi pas disa mbledhje, në të cilat janë diskutuar më shumë detaje rreth furnizimit, sasive dhe mënyrës së shpërndarjes të vaksinave”, kanë theksuar nga dikasteri i shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.

SHIKONI EDHE: Nacionalizëm edhe për vaksinën ndaj koronavirusit? 

Ndërkaq, drejtori i Qendrës për shëndet publik në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Stojanov, i cili është dhe anëtar i Komisionit për sëmundje ngjitëse, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se vaksina do të këtë, por është shumë herët të thuhet se cila është sasia me të cilën do të furnizohet Maqedonia e Veriut si shtet.

“Maqedonia e Veriut është vendosur në listën e Bashkimit Evropian për marrjen e vaksinave kundër koronavirusit. Kur do të furnizohemi dhe me çfarë sasie, nuk mund të themi asgjë në këtë drejtim”, thotë Stojanov.

Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se gjatë stinës së vjeshtës pritet të vaksinohen rreth 20 për qind e popullsisë kundër gripit sezonal. Ky vaksinimin, që do të jetë pa pagesë, ka për qëllim të evitojë përkeqësimin e situatës shëndetësore, që mund të ndodhë me paraqitjen e gripit sezonal, në kohën kur vendi po përballet edhe me pandeminë e koronavirusit.

Për punonjësit shëndetësor, shqetësues mbetet fakti se shumë qytetarë janë shprehur kundër vaksinimit.

SHIKONI EDHE: Shërimi nga COVID-19 me plazmë gjaku, kërkohen dhurues

Drejtori i Qendrës për shëndet publik në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Stojanov thotë se një pjesë e madhe e popullsisë së vendit janë kundër vaksinimit edhe ndaj gripit sezonal, pasi mendojnë se një gjë e tillë nuk sjellë asnjë dobi.

“Gjatë këtij viti do të bëhet përpjekje për të siguruar vaksina pa pagesë, për vaksinimin e personave mbi moshën 65-vjeçare, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 5 vjeç, në mënyrë që të kemi më pak probleme me menaxhimin e gripit sezonal, duke i orientuar të gjitha kapacitetet shëndetësore në luftën kundër COVID-19”, theksoi Stojanov.

Ndërkaq, drejtori i Odës së mjekëve në Maqedoninë e Veriut, Ylber Besimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë në bazë të normave shkencore, dihet se cilat grupe të njerëzve janë më të rrezikuar. Ai thotë se Maqedonia e Veriut ka kapacitet që të vaksinojë 20 për qind të popullsisë, ku prioritet do të jenë grupet më të ekspozuara dhe rrezikuara nga virusi, përshirë këtu edhe personelin shëndetësor.

“Për t’u vaksinuar rreth 20 për qind e popullatës, realisht, ka sistemi shëndetësorë këtu, por duhet të menaxhohet dhe bëhet mirë shpërndarja e vaksinave që të mund të bëhet vaksinimi i shpejtë i popullatës nga gripi sezonal.E theksoj se sistemi shëndetësore ka kapacitete për të vaksinuar, veçanërisht atë pjesë të popullatës që bën pjesë në kategoritë e rrezikuar si personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe personat që kanë kontakte të shumta për shkak të natyrës së punës...”, thotë Besimi.

SHIKONI EDHE: Dallimet ndërmjet koronavirusit të ri dhe virusit sezonal

Për të menaxhuar situatën me pandeminë e koronavirusit nga dikasteri i shëndetësisë kanë paralajmëruar hapjen e spitaleve të përkohshme në shumë qytete të vendit, me qëllim që të përballen më mirë, nëse ka rritje eventuale të rasteve me COVID-19.