Bota aktualisht po përjeton një garë fytafyt për vaksinën ndaj koronavirusit të ri.
Kjo gjë përbën shqetësim për agjencitë shëndetësore në botë, të cilat planifikojnë të blejnë me shumicë dhe më pas t’i shpërndajnë vaksinat në gjithë botën. Prandaj, ato janë duke parë me drojë disa shtete të pasura që kanë vendosur të vazhdojnë si të vetme, duke nënshkruar marrëveshje me kompani farmaceutike, në mënyrë që të sigurojnë miliona doza të vaksinave potenciale për qytetarët e tyre.
Këto marrëveshje – përfshirë ato që kanë arritur Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian me kompanitë si Pfizer, BioNtech, AstraZeneca dhe Moderna – janë duke dëmtuar përpjekjet globale, kanë thënë ekspertët.
“Arritja e marrëveshjeve bilaterale nga ana e secilit nuk është rrugë për zgjidhje të situatës”, ka thënë Seth Berkley, shef ekzekutiv i aleancës GAVI, që bashkudhëheq skemën e quajtur COVAX, e dizajnuar për të siguruar qasje të shpejtë globale në vaksinat për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Pfizer ka thënë javën e kaluar se është në bisedime me BE-në dhe disa shtete anëtare të saj për furnizm me vaksinën potenciale.
Ndërkohë, Britania ka bërë të ditur të mërkurën se ka arritur marrëveshje për siguruar vaksinën potenciale për COVID-19 nga GlaxoSmithKline dhe Sanofi.
Sipas organizatës shëndetësore për bamirësi, Medecins Sans Frontieres (MSF), kjo situatë do të nxisë “përleshje globale për sigurim të vaksinave nga shtetet e pasura”, duke ushqyer “një trend të rrezikshëm të nacionalizmit për vaksina”.
Shqetësimet lidhen me atë se furnizimet dhe sigurimi i vaksinës në këtë pandemi do të na kthejë në situatën e viteve 2009/2010, kur kishte shpërthyer virusi H1N1, përgjatë së cilës shtetet e pasura kanë blerë sasi të madhe të vaksinave, duke lënë fillimisht vendet e varfra pa to.
Mirëpo, meqë H1N1 ka rezultuar me simptoma më të lehta dhe gradualisht pandemisë i është ulur intensiteti, ndikimi në infektim dhe vdekje si pasojë e mosbalancimit të vaksinës, ka qenë më i kufizuar.
Tani sëmundja COVID-19 përbën kërcënim më të madh, andaj lënia e një pjese të popullsisë në botë të pambrojtur, do t’i dëmtojë ata, por edhe do të zgjerojë pandeminë dhe efektin e rëndë që ka ajo, kanë thënë ekspertët shëndetësorë.
“Ekziston rreziku që disa shtete janë duke bërë pikërisht atë për të cilën jemi frikësuar, pra secili për vete”, ka thënë Gayle Smith, ish-udhëheqëse e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe drejtore e organizatës joqeveritare, One Campaign, që synon t’i japë fund varfërisë dhe të parandalojë sëmundjet.
“Jam i shqetësuar”
Më shumë se 75 shtete të pasura, duke përfshirë Britaninë, kanë shprehur interesim për skemën e financimit të COVAX, e cila është në bashkudhëheqje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Koalicionit për Inovacione të Përgatitjes Epidemike, duke iu bashkuar 90 shteteve tjera më të varfra, të cilat do të mbështeten përmes donacioneve.
Mirëpo, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, nuk kanë qenë në mesin e shteteve që kanë shprehur interesim për COVAX, ka thënë GAVI.
Një burim brenda bllokut evropian ka thënë javën e kaluar se Komisioni Evropian ka këshilluar shtetet e BE-së që të mos e blejnë vaksinën për COVID-19 përmes skemës COVAX.
“Jam i shqetësuar”, ka thënë Thomas Bollyky, drejtor i programit botëror të shëndetësisë në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme.
“Ajo që po ndodh është se disa shtete përmes bllokimit të furnzimeve me vaksina, janë duke u bërë konkurencë marrëveshjeve shumëpalëshe. Në fund të ditës, prodhimi i vaksinës është burim që ka fund. Mund ta zgjeroni, por jo edhe aq shumë”, ka shtuar ai.
Ekspertët vlerësojnë se bota duhet të shpresojë në mënyrë të arsyeshme për të pasur rreth 2 miliardë doza të vaksinave për COVID-19 në fund të vitit të ardhshëm, nëse disa vaksina që po testohen rezultojnë efektive.
Qëllimi i skemës COVAX, është që të shpërndajë doza për të paktën 20 për qind të popullsisë së shteteve që janë bërë anëtare të saj.
Edhe dy vjet tjera?
Berkley nga GAVI, ka thënë se nëse shtetet e vetinteresuara apo rajonet synojnë të mbulojnë gjithë popullsinë e tyre – në vend të shpërndarjes së vaksinës me shtetet që janë në rrezik më të madh- atëherë pandemia nuk do të mund të kontrollohet.
“Nëse do të ketë tentime për vaksinim të të gjithë SHBA-së, apo BE-së me dy doza të vaksinës, atëherë kjo i bie që të shpenzohen 1.7 miliard doza. Dhe nëse ky do të jetë numri i dozave ekzistuese, nuk është se do të mbetet shumë për të tjerët”.
Nëse disa shtete, 30 apo 40 prej tyre do të kenë vaksina, mirëpo më shumë se 150 të tjera jo, “atëherë epidemia do të vazhdojë të përhapet atje”, ka thënë Berkley.
“Ky virus përhapet sikurse drita. Prandaj mund të përfundojmë në një situatë ku nuk do të mund të kthehemi në normalitet. Nuk do të mund të kemi tregti, turizëm, udhëtim, shitje, përveç nëse zvogëlojmë nivelin e pandemisë”.
Ai, Smith dhe ekspertë tjerë shëndetësorë kanë thënë se dhënia fund e pandemisë duhet të planifikohet në nivel global.
“Ka të bëjë me dallimin nga pandemia për dy vjet tjera në krahasim me një vit”, ka thënë Smith dhe ka shtuar:
“Pasojat ekonomike dhe ato shëndetësore janë tejet të mëdha”.