Ndërlidhjet

Izolimi, gjurmimi dhe testimi masiv - çelësi i suksesit në Vietnam 


Hanoi, Vietnam
Hanoi, Vietnam

Vietnami është vendi më i populluar në botë që nuk ka regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi. Mikrobiologu Rogier van Doorn, i cili udhëheq Njësinë për Kërkime Klinike të Universitetit të Oksfordit në Hanoi, thotë se strategji e autoriteteve ka qenë testimi i njerëzve duke u bazuar në rrezikun e infektimit dhe jo në shfaqjen e simptomave. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, van Doorn thotë se izolimi, gjurmimi dhe testimi masiv kanë bërë që ky vend të ketë sukses në luftimin e pandemisë. Megjithatë, kërcënimi është rikthyer këtë javë, me shfaqjen e disa rasteve të reja të të infektuarve, pas gati 100 ditësh të qeta.

Radio Evropa e Lirë: Doktor van Doorn, Vietnami regjistroi këtë javë rastet e para me COVID-19 qysh në muajin prill. A jeni të shqetësuar se një shpërthim i plotë mund të jetë në rrugë e sipër?

Rogier van Doorn: Ne jemi gjithmonë të shqetësuar. Nuk ka ende shumë informacione. Rastet e para kanë nisur të premten e kaluar dhe në ditët në vazhdim ka pasur të tjera. Përgjigjja e punonjësve të shëndetit publik, e cila ka rezultuar e suksesshme në trajtimin e qindra rasteve të para, nga janari apo shkurti, është aktivizuar sërish. Po bëhen shumë testime, shumë gjurmime kontaktesh, izolime, vendosje e njerëzve në karantinë, e atyre që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj pacientëve. Pra, jemi kthyer prapa, jemi kthyer atje ku kemi qenë pas një periudhe relativisht të qetë.

Radio Evropa e Lirë: Sa qytete në Vietnam kanë konfirmuar raste?

Rogier van Doorn: Deri më 14 prill, që ka qenë vala e parë, kemi pasur rreth 300 raste. Pastaj ka qenë një periudhë prej 100 ditësh kur kemi pasur vetëm vietnamezë të riatdhesuar që janë kapur në kufij - të them ashtu. Tani ka sërish transmetim në komunitet, por është ende një numër i vogël në krahasim me vendet e tjera.

Radio Evropa e Lirë: Është kjo vala e dytë?

Rogier van Doorn: Termi valë e dytë përdoret zakonisht kur sezoni i gripit nis sërish. Kjo është ende vala e parë, por është grupi i tretë i rasteve,do të thosha, se i përket valës së parë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat masa për parandalimin e sëmundjes i kanë rikthyer autoritetet?

Rogier van Doorn: Mënyra se si Vietnami po merret me të [shfaqjen e rasteve të reja] është shumë proaktive. Vietnami nuk pret që njerëzit të kenë simptoma, për të vepruar. Reagimi bazohet tek epidemiologjia, që do të thotë se nëse dikush ka qenë diku ku ka raste, ose nëse dikush ka qenë në kontakt me dikë që ka simptoma ose është pozitiv, atëherë ata njerëz izolohen nga komuniteti në objekte të karantinës. Kontaktet e tyre po ashtu. Pra, është një reagim që bazohet më shumë në rrezikun dhe ekspozimin potencial, sesa në të qenët i sëmurë.

Radio Evropa e Lirë: Po masat e tjera, si maskat, distancimi fizik?

Rogier van Doorn: Po, edhe ato. Nuk kam dëgjuar ndonjë njoftim formal për atë që do të ndodhë tani, por po, në rastet e mëhershme i është kërkuar publikut të veshë maska në hapësira publike. Kjo është diçka relativisht e zakonshme këtu, për shkak të ndotjes së ajrit dhe për faktin se shumë njerëz udhëtojnë me motoçikleta. Por, në ditët e fundit shoh se ndoshta mbi 95 për qind e njerëzve veshin maska. Edhe distanca fizike me gjasë do të zbatohet sërish dhe vendet për tubime familjare do të mbyllen.

Janë bërë 200-300 teste për secilin rast pozitiv

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht kufirit të gjatë me Kinën, prej ku ka dalë koronavirusi, dhe popullsisë prej 97 milionë banorësh, Vietnami është cilësuar si histori suksesi në luftën kundër pandemisë. Ka regjistruar vetëm disa qindra raste dhe asnjë viktimë. Si e ka arritur?

Rogier van Doorn: Duhet t’i kthehem përgjigjes së mëhershme. Mendoj se kanë qenë dy përbërës shumë të rëndësishëm. I pari ka qenë shpejtësia, të qenët shumë të shpejtë dhe proaktivë. Edhe para diagnostikimit të rasteve të para në Vietnam, gjatë Vitit të Ri Hënor, në fund të janarit, ka pasur kufizime për njerëzit që vinin nga Kina. Ka pasur kontrolle shëndetësore dhe pyetësorë për ata që kalonin kufirin. Pastaj, pas diagnostikimit të rasteve të para, janë ndaluar të gjitha fluturimet [me Kinën]. Faktori tjetër që mendoj se ka qenë shumë i rëndësishëm, ka qenë gjurmimi dhe izolimi, bazuar në situatën epidemiologjike, e jo në simptoma. Përveç këtyre ka pasur edhe rritje të shpejtë të kapaciteteve të testimit. Mendoj se janë bërë 200-300 teste për secilin rast pozitiv. Pra, këta tre faktorë kanë luajtur rol në suksesin e Vietnamit.

Shumë vaksina në testim, çfarë po ndodh me to?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:15 0:00

Radio Evropa e Lirë: I përmendët edhe ju, ka shumë raste asimptomatike në botë. Çfarë mbrojtjeje ka ndërmarrë Vietnami kundër tyre?

Rogier van Doorn: Nëse e bazoni përgjigjen te rreziku dhe nuk prisni derisa njerëzit të sëmuren, atëherë i zbuloni edhe njerëzit asimptomatikë. Për shembull, nëse njerëzit që kanë qenë në një fluturim, ku ka dalë se ka pasur të sëmurë ose të infektuar, vendosen në karantinë dhe testohen sa janë në karantinë, atëherë zbulohen edhe rastet asimptomatike, edhe nëse nuk sëmuren kurrë. Rastet e tilla do të shmangeshin nëse izolimi do të bëhej bazuar në simptoma. Pra, nëse njerëzit izolohen derisa janë duke kaluar periudhën e inkubacionit, ata mund të zbulohen edhe nëse nuk kanë simptoma dhe mund të parandalohet transmetimi i virusit në komunitet.

Veshja e maskave është e pranueshme në Vietnam

Radio Evropa e Lirë: Si ka reaguar popullata ndaj këtyre masave? Si ka komunikuar qeveria me publikun?

Rogier van Doorn: Unë, si jovietnamez, nuk e kam të lehtë ta them. Natyrisht se bisedoj me shumë njerëz, por nuk e kuptoj fjalë për fjalë atë që po ndodh. Ka pasur shumë komunikime për sëmundjen që nga fillimi, në televizione, përmes panove në vendet publike, altoparlanteve e të tjera. Ka pasur edhe një video-klip nga një grup R&B për larje të duarve, veshje të maskave etj.

Pra, ka pasur komunikim masiv në nivele të ndryshme. Sa i përket reagimit të njerëzve, veshja e maskave është relativisht e pranueshme këtu. Nuk është një gjë e madhe nëse rekomandohet veshja e tyre. Nuk kam parë ndonjë trazirë ose njerëz që refuzojnë të veshin maska. Edhe përvoja me virusin SARS në vitin 2003 dhe viruse të tjera të rrezikshme ka bërë që maskat të jenë pjesë e masave që ndërmerr Vietnami.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë e shpjegon mungesën e viktimave?

Rogier van Doorn: Mendoj se ka të bëjë me faktin se këtu zbulohet çdo rast. Mendoj se në shumë vende, shumica e rasteve asimptomatike kalojnë të pazbuluara, dhe shumë njerëz që nuk sëmuren shumë, nuk shkojnë në spital. Këtu, secili që infektohet, zbulohet dhe vendoset në spital. Kemi pasur rreth 400 raste. Pesë deri në shtatë pacientë kanë qenë në gjendje të rëndë, në kujdes intensiv dhe në ventilatorë. Mendoj se, në njërën anë, është ‘lojë numrash’ dhe, në anën tjetër, kapaciteti i njësisë së kujdesit intensiv nuk është mbingarkuar kurrë.

Radio Evropa e Lirë: Ju udhëhiqni Njësinë për Kërkime Klinike të Universitetit të Oksfordit në Hanoi, e cila punon me qeverinë në programet e saj të sëmundjeve infektive. A mund të na tregoni më shumë për sistemin shëndetësor atje, cilat janë kapacitetet, si funksionon, çfarë ilaçesh përdoren?

Rogier van Doorn: Ne bashkëpunojmë me Spitalin e Sëmundjeve Tropikale në Ho Çi Min dhe Hanoi, si dhe me disa të tjera. Unë nuk i kam numrat e plotë të kapacitetit të sistemit të kujdesit shëndetësor këtu, por ajo që mund të them është se ai është kryesisht publik, sektori privat është i vogël, edhe pse në zhvillim. Janë qindra spitale dhe ato janë të ndara. Ka të nivelit kombëtar, pastaj secila provincë ka spitalin provincial. Në provinca ka qarqe dhe ato i kanë spitalet e qarkut. Kapaciteti i kujdesit intensiv nis nga spitalet e nivelit provincial deri ek ato të nivelit kombëtar. Nuk mund ta them me saktësi se sa mjekë punojnë ose sa shtretër të kujdesit intensiv janë. Por, numri i tyre padyshim se është më i ulët se në shumicën e vendeve me të ardhura më të mëdha në Perëndim. Megjithatë, është një sistem i zhvilluar shëndetësor.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ilaçesh përdoren për të trajtuar pacientët me koronavirus?

Rogier van Doorn: I vetmi që është dëshmuar se funksionon, është deksametazoni, për pacientët në gjendje të rëndë. Ai është i disponueshëm edhe këtu, sepse është i zakonshëm për trajtimin e shumë infektimeve të rënda. Pra, ai përdoret. Ilaçet e tjera që janë përmendur në publikime shkencore, ose në lajme, si antiviralet ose ilaçet kundër malaries, ato nuk përdoren, por janë duke u bërë studime nëse duhet t’iu jepen pacientëve.

Radio Evropa e Lirë: A ka kryer ekipi juaj teste për COVID-19?

Rogier van Doorn: Në Ho Çi Min kemi bashkëpunuar nga afër me spitalin në tesimin në shkallë të gjerë, në kuadër të sistemit kombëtar.

Radio Evropa e Lirë: A përkojnë rezultatet e juaja me të dhënat e qeverisë?

Rogier van Doorn: Punojmë në të njëjtin laborator dhe rezultatet janë të njëjta.

Radio Evropa e Lirë: Vietnami ka përjetuar SARS-in në vitin 2003, gripin e shpendëve më 2010 ... Sa e dobishme ka qenë përvoja e tij me gatishmërinë ndaj epidemive?

Rogier van Doorn: Unë nuk kam qenë këtu në atë kohë, por mendoj se qasja, shpejtësia, gjurmimi, izolimi vijnë nga ajo periudhë. Me siguri që janë nxjerrë ato protokolle për t’i shërbyer përgjigjes aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mësime nga Vietnami janë të zbatueshme për vendet e tjera?

Rogier van Doorn: Është një pyetje e vështirë. Mendoj se Vietnami ka qenë në pozitë për të pasur një reagim të tillë, të shpejtë, konsekuent dhe të bazuar në përvojë. Të ndodhë kjo në Bashkimin Evropian, që ka dhjetëra vende me kufij të hapur, është pak sfiduese. Por, leksioni që secili duhet ta mësojë është se njerëzit me një virus respirator, që nuk e njohim, janë gjithmonë arsye për alarm dhe arsye për të bërë diçka. Pa përmendur asnjë vend, mendoj se ka pasur disa që e kanë minuar, duke mos bërë asgjë shpejt. Mësimi që mund të nxjerrim nga Vietnami është se, nëse jeni të shpejtë dhe konsekuentë, mund të jeni të suksesshëm deri në një masë.

Ekziston gjithmonë shansi që virusi të kthehet

Radio Evropa e Lirë: Me të gjitha këto masa që i përmendët, Vietnami regjistroi raste të reja këtë javë. A është kjo shqetësuese për vendet e tjera që mund të mos kenë një politikë kaq të rreptë?

Rogier van Doorn: Situata këtu është ndryshe, sepse [virusi] është larguar. Nuk ka pasur asgjë për 100 ditë, ose për 99 për të qenë më të saktë. Tani kemi disa raste në komunitet dhe nuk e di se sa do të jenë në fund. Nuk e di nëse do të frenohet, por shumë vende të tjera janë në atë nivel ose në nivel më të lartë të transmetimit në komunitet. Mësimi nga kjo është se, edhe nëse virusi largohet krejtësisht, ekziston gjithmonë shansi për t’u kthyer. Edhe nëse keni arritur ta qetësoni për një kohë, kur ta hapni vendin do të ketë gjithmonë rrezik që numri i rasteve të rritet.

Radio Evropa e Lirë: Edhe sa kohë mund të përballet bota me këtë situatë ose kërcënim?

Rogier van Doorn: Kjo është një pyetje një miliard dollarëshe. Nuk mendoj se ka ndonjë provë që tregon drejtimin. Janë dy skenarë. I pari, shumë njerëz do të infektohen dhe virusi nuk ka shumë nikoqirë dhe largohet. Kjo është hipoteza e imunitetit të tufës, por jemi shumë larg saj, sepse duhet të infektohen 60-70 për qind e popullatës. Shpresa tjetër është se vaksina, kurdo që të zbulohet dhe të bëhet e disponueshme globalisht, do t’i japë fund kësaj. Përndryshe, është një virus me të cilin do të duhet të jetojmë për disa vite, së paku.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG